Qe kur pritet m’u votue Projektligji për statusin e punëtorëve të arsimit shqip 90/99

Edhe pak ditë bahen pesë muej që kur Projektligji për statusin e punëtorëve të arsimit shqip te Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99 asht miratue në shqyrtim të parë.

Mbas nji debati të gjatë, ky Projektligj mori dritën e gjelbër me 71 vota për, 1 kundër dhe 2 abstenime.

Por, ndonëse kanë kalue kaq muaj, Projektligji nuk ka arritë me hyj në rendin e ditës së seancave plenare të Kuvendit.

Nënkryetarja e parë e komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sport, Inovacion dhe Ndërmarrësi, Teuta Haxhiu ka thanë për Indeksonline se ka disa lëvizje në këtë drejtim.

“Projektligji të hënen e përfundon punën në komisionin funksional, e pastaj menjëherë e dërgojmë tek komisionet e përhershme. Tutje Kryesisë së Kuvendit i mbetet për ta dërguar në seancë parlamentare për votim”, ka theksue Haxhiu.

Ajo ka vlerësue se ma në fund ka me përfundue edhe kjo kërkesë e kamotshme e punëtorëve të arsimit.

“Përfundimisht po realizohet kjo kërkesë e vazhdueshme e punëtorëve të asaj periudhe, por edhe e deputetëve në vazhdimësi”, ka thanë tutje Haxhiu.

Kujtojmë se Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës kishte paralajmërue për grevë të mundshme të mësimdhanësve, nëse kërkesat e tyne nuk ka me u realizue deri në Tetor.

Sindikata kërkon që Projektligji për statusin e punëtorëve të arsimit shqip në vitet 1990-91 e deri në vitin 1998-99 me u dërgue në Kuvendin e Kosovës për lexim të dytë dhe me u votue, tue kërkue po ashtu edhe ndryshimin e Projektligji për rrogat.

Si dhe duhet përkujtue që Ligji për mësimdhanësit e viteve të 90’ta ka kohë që asht tue u zvarrit përderisa shpesh herë pati edhe ndërpremje të mësimit në shkolla të Kosovës nga paralajmërimet e Sindikatës për Arsim, Shkenca dhe Kulturë për plotësimin e kërkesave të tyre.

Shperndaje në: