Dënohet me 16 vjet burg personi që vrau 17-vjeçarin Shkelqim Pllana

Gjykata Themelore e Prishtinës e ka shpall fajtor dhe e ka dënue me 16 vjet e 6 muej burg L.Perveticën për vrasjen e të mitunit Shkelqim Pllana në Dhetorin e vitit të kaluem në qytetin e Prishtinës.

Këtë e ka konfirmue përmes nji komunikate për media, Gjykata Themelore e Prishtinës, përkatësisht Departamenti për Krime të Randa.

Siç sqaron Gjykata, vrasja kishte ardhë si pasojë e mosmarrëveshjes ndërmjet dy personave të cilët kishin qenë edhe shokë të ngushtë.

Ajo përplasje ma vonë kishte rezultue edhe me nji konflikt në të cilin L.Përvetica e kishte qëllue katër herë me thikë të ndjerin Shkelqim Pllana.

Mbas këtij sulmi me thikë, SH.P nuk kishte arritë t’ju mbijetonte plagëve dhe kishte ndrrue jetë në QKUK.

Njoftimi i Gjykatës:

Është shpallur aktgjykimi kundër të akuzuarit L.P

Prishtinë, 12 tetor 2018 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të

Rënda ka shpallur Aktgjykimin me numër PKR.nr.128/18 kundër të akuzuarit L.P.

I akuzuari L.P është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim unik në kohëzgjatje prej 16 (gjashtëmbëdhjetë) vite 6 (gjashtë) muaj për veprën penale Vrasje e rëndë nga neni 179 paragrafi 1 pika 1.1 dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve nga neni 374 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

I akuzuari L.P me dt. 09.12.2017, rreth orës 19.00, në Prishtinë me dashje kishte privuar nga jeta të miturin- tani të ndjerin SH.P në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje në mes tyre ishin fjalosur dhe kishin filluar ta godasin me grushte njëri tjetrin, ndërsa më vonë i akuzuari L.P e thërret përsëri tani të ndjerin SH.P që të takohen dhe në atë moment e kishte goditur katër herë me thikë, ku më pas i ndjeri pas plagëve që kishte marr nuk arrin të mbijetojë dhe ndërron jetë në QKUK.

Pala ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Shperndaje në: