Julian Assange: Ja si shantazhohen pasi përgjohen politikanët

Themeluesi i Wikileaks, Julian Assange, në intervistë për të përditshmen gjermane “Der Spiegel”, flet për rikthimin e Wikileaks dhe mënyrat se si agjencioni per siguri i Amerikes i njoftun si NSA, vepron në marrëdhënie me politikanët botërorë

Assange, Wikileaks është rikthyer, duke publikuar dokumente që vërtetojnë mbikëqyrjen e Shteteve të Bashkuara ndaj qeverisë franceze dhe asaj gjermane. Cilat janë arsyet e këtij rikthimi?

Po, WikiLeaks ka botuar shumë materiale gjatë muajve të fundit. Në fakt ne kemi botuar gjatë gjithë kohës, por ndonjëherë ka qenë materiale që nuk e shqetësojnë shumë perëndimin dhe mediat botërore, dokumente për Sirinë për shembull. Por duhet të kini parasysh se ka pasur dhe ka ende një konflikt me qeverinë e Shteteve të Bashkuara që ka filluar në vitin 2010, pasi ne filluam botimin e disa dokumenteve të klasifikuara amerikane.

Çka domethane kjo për ju dhe për Wikileaks?

Rezultati ishte një seri çështjesh ligjore, bllokada, sulme e kështu me radhë. Me një bllokadë bankare, WikiLeaks-it iu prenë më shumë se 90% e financave. Bllokada ka ndodhur në një mënyrë krejtësisht jashtëgjyqësore. Ne patëm marrë masa ligjore kundër bllokadës dhe fituam gjyqin, në mënyrë që njerëzit mund të na dërgonin sërish donacione.

Pra, mund të presim botime të reja?

Kemi shumë materiale tani. Ekonomikisht, sfida për WikiLeaks është nëse ne mund të rrisim të ardhurat tona në proporcion me sasinë e materialit që kemi në proces.

Është personeli i qeverisë së SHBA dhe ushtrisë amerikane i ndaluar që të përdorë bibliotekën tuaj?

Wikileaks është ende një objekt tabu për disa pjesë të qeverisë. Çdo punonjës i qeverisë federale dhe çdo kontraktor që ka marrë një e-mail ku u kërkohet se nëse lexojnë diçka nga WikiLeaks, madje edhe përmes “New York Times”, duhet ta largojnë menjëherë nga kompjuteri i tyre dhe të raportojnë. Kjo është një histeri e re e McCarthy.

Le të flasim për politikanët. Pse politikanët që mësuan falë WikiLeaks dhe Edward Snowden, që telefonat e tyre ishin përgjuar dhe e-mail lexohen nga spiunët amerikanë, reaguan në një mënyrë të tillë të ndrojtur, të ngadaltë për këto zbulime?

Angela Merkel nuk do të shihet si një lidere e dobët, por mendoj se ajo arriti në përfundimin se amerikanët nuk do të ndryshojnë. I gjithë informacioni i zbulimit amerikan është shumë i vlefshëm për agjencinë gjermane të inteligjencës. Ju lutem, imagjinoni për një çast që qeveria gjermane ankohet se është spiunuar dhe amerikanët i thonë: “Dakord do ju japim më shumë të dhëna për Francën. Kur francezët ankohen, ata marrin informacione për Gjermaninë. NSA shpenzon shumë burime duke marrë informacione dhe nëse i hedh disa thërrime Francës dhe Gjermanisë kur ata fillojnë të ankohen se janë viktimë, nuk u kushton asgjë, kopjet dixhitale nuk kushtojnë asgjë.

Nëse funksionon kështu, do të ishte krejtësisht e turpshme për qeveritë gjermane dhe franceze.

Është e trishtueshme. Duket sikur politikanët gjermanë mendojnë se ky debat na bën të dukemi të dobët dhe krijon konflikt me amerikanët. Pra, më mirë e lënë çështjen e përgjimeve. Nëse ti si politikan e di që agjencitë amerikane të zbulimit kanë mbledhur të dhëna intensivisht për më shumë se 125 politikanë dhe zyrtarë të tjerë nivelit të lartë përgjatë dekadave, do të kujtosh disa nga bisedat që ke bërë gjithë këto vite dhe pastaj do të kuptosh se Shtetet e Bashkuara i kanë të gjitha këto biseda, dhe se mund të rrëzojnë kabinetin e Merkelit thjesht duke u dhënë një pjesë të atyre bisedave gazetarëve.

Shihni ndonjë situatë potenciale shantazhi?

Ata nuk do të publikonin kurrë telefonatat e përgjuara, sepse kjo e çon fokusin te vetë përgjimi. Mënyra se si shërbimet e inteligjencës pastrojnë përgjimet, është që të nxjerrin faktet e shprehura gjatë bisedave; për shembull u thonë kontakteve te tyre në media: Mendoj se duhet të bëni disa kërkime në lidhje mes këtij politikani dhe atij personi, çfarë bënë ata në një ditë të caktuar.

Keni ndonjë shembull të dokumentuar ku është përdorur kjo lloj taktike?

Nuk kemi publikuar ende asgjë për ndonjë politikan gjerman, por ka shembuj të myslimanëve të shquar në vende të ndryshme për të cilët u zbulua se shfletonin pornografi. Shantazhi, ose shkatërrimi i imazhit nga përgjimet është pjesë e repertorit të përdorur.

Kush i përdor këto metoda?

Agjencia britanike e spiunazhit, GCHQ, ka departamentin e saj për këto metoda, të quajtura JTRIG. Ata përfshijnë shantazhe, krijime videosh, SMS, madje krijojnë biznise të rreme me emra të njëjta si bizneset reale, të cilat Britania e Madhe dëshiron t’i margjinalizojë në disa rajone të botës dhe inkurajon njerëzit të porosisin nga biznisi i rremë duke shitur produkte të një cilësie të dobët, në mënyrë që biznisi real të fitojë një reputacion të keq. Kjo tingëllon si një teori e çmendur konspirative, por është e dokumentuar konkretisht në materialin GCHQ gjoja të ofruara nga Edward Snowden.

Biseduam për politikanët dhe shërbimet sekrete. Por nuk folëm për korporatat e mëdha private. Jeni takuar me Eric Schmidt, kreun ekzekutiv të Google. Mendoni se ai është një njeri i rrezikshëm?

Nëse më pyet, A mbledh Google më shumë informacion se Agjencia e Sigurisë Kombëtare, atëherë përgjigja është “jo”, sepse NSA gjithashtu mbledh informacion nga Google. E njëjta gjë vlen edhe për Facebook dhe kompani të tjera. Ata ende mbledhin shumë informacion dhe përdorin një model të ri ekonomik të cilin akademikët e quajnë “kapitalizmi i mbikëqyrjes”. Informacione të përgjithshme në lidhje me individët vlejnë pak, por kur mbledh se bashku një miliard individë, ajo shndërrohet në një strategji, si një tubacion nafte, apo gazi.

Ju keni paguar një çmim të lartë për atë që keni bërë dhe ende po paguani, jeni në këtë ambasadë për më shumë se tre vjet dhe keni humbur lirinë e lëvizjes. E kanë ndryshuar sjelljen apo pikëpamjet tuaja politike këto eksperienca?

Thuhet se bëhesh më pak radikal me plakjen. Tashmë jam 44 vjeç, por ndjej se jam bërë më pak radikal./ Dita

Shperndaje në: