FT: Nji plan prej Ballkani qe meriton perkrahje te matun

Editorial i “Financial Times”

 

 

Historia ka tregue se ngatërrimi me kufijtë në Ballkan asht ma i rrezikshëm se në çdo pjesë tjetër të Europës. Megjithatë, kryetari i Serbisë Aleksandar Vucic dhe homologu i tij kosovar Hashim Thaçi po lëvizin drejt marrëveshjes historike me i normalizue marrëdhaniet midis ish republikës jugosllave dhe ish krahinës së saj, tue përfshi korrigjimet kufitare dhe shkëmbim territoresh. Nji avancim i tillë i zhvillimeve mundet me ndihmue që Serbisë t’i hapet rruga për me ju bashkue BE dhe Kosovës me u ba kandidate formale për anëtarësim. Kjo zgjidhje e mundshme asht e mbushun edhe me rrezik.

Detajet nuk janë zbulue, por asht lanë me u kuptue se dy burrat kane diskutue shkëmbimin e Kosovës veriore, të popullueme kryesisht me serbë, për nji pjesë të Luginës së Preshevës që asht në kuadër të Serbisë dhe e popullueme kryesisht nga shqiptarët. Marreveshja mundet me i dhane fund bllokadës ndërkombëtare të Kosovës, që prej luftës së saj të viteve 1998-1999. Deklarata e Pamvarësisë së Kosovës e vitit 2008, asht njoft nga ma shumë se 110 shtete, por ajo qe asht esenciale, jo edhe nga Serbia, Rusia, Kina dhe pesë shtete anëtarë të BE.

Marreveshja, nëse e nenkupton që Serbia me njoft pamvarësinë e krahinës së dikurshme të saj – dhe nuk ka gjasa që Kosova me pranue diçka ma pak – kishte me ndihmue transformimin e ish-krahinës serbe në nji shtet të pamvarun të qëndrueshëm. Kjo marrëveshje duhet me i nxitë pesë shtetet anëtare të BE me njoft pamvarësinë e saj dhe me i inkurajue vendet tjera në nivel global me ba të njajtën gja – tue e ba të mundun që Kosova me ju  bashkue institucioneve kryesore ndërkombëtare si Kombet e Bashkueme dhe Interpol. Lëvizja e të dy shteteve drejt anëtarësimit në BE kishte me i forcue reformat demokratike dhe ekonomike dhe kishte me përçue sinjal ma të gjanë se integrimi i Ballkanit në institucionet euroatlantike, sado i ngadaltë, po qe vazhdon.

Tevona, ka gracka të shumta që mund dalin. Derisa politika perëndimore ka inkurajue grupe të ndryshme etnike për me jetue në paqe përkrah njani-tjetrit, zgjidhja e përfolun e Kosovës kishte me përfshi nji shkëmbim thelbësisht të bazuem në baza etnike. Ma shumë serbë jetojnë në Kosovën jugore të mbizotnueme nga shqiptarët sesa në veri; shumë prej tyne druejnë se kane me u nda nga të afërmit e tyne dhe nga manastiret e randësishme ortodokse serbe. Nji marrëveshje për shkëmbimin e territoreve mundet me i shty serbë me u largue nga pjeset tjera te Kosovës, tue e shndërrue në nji shtet shqiptar mono-etnik. Shumë shqiptarë të Kosovës gjithashtu kanë dyshime.

Z. Vucic dhe z. Thaçi duket se kanë aftësi me i gjykue interesat e tyne politike po aq sa për vullnetin e qytetarëve të tyne.

Pasoja ma e rrezikshme e mundshme mundet me qene inkurajimi i liderëve dhe popujve në ish-Jugosllavi – mbi të gjitha, serbët në Bosnjë – që të përpiqen me i reduktue kufijtë që nuk u pëlqejnë. Zgjidhja e konflikteve, megjithatë, shpeshherë kërkon që liderët të ndërmarrin hapa të guximshëm dhe madje edhe që shihen si tabu. Në këtë rast, nëse presidentët munden me arritë nji marrëveshje, përfitimet e mundshme – për Kosovën, Serbinë dhe rajonin e gjanë – janë të mjaftueshme për me meritue mbështetjen e kujdesshme ndërkombëtare.

Zyrtarët amerikanë dhe ata të BE po e mbështesin planin respektiv. Ndonëse Kancelarja gjermane Angela Merkel e ka kritikue idenë, pozicioni i Berlinit duket se po zbutet. Nji marrëveshje për Kosovën mundet me përforcue momentumin e trajtimit te çashtjeve të vështira në Ballkan. Kuvendi i Maqedonisë po vazhdon rrugëtimin mbas ratifikimit të marrëveshjes për zgjidhjen e mosmarrëveshjes 20-vjeçare me Greqinë mbi emnin e vendit, perkunder pjesëmarrjes zhgënjyese në referendumin mbi këtë çashtje, muejin që shkoi.

Megjithatë, Z. Vucic dhe z. Thaçi duhet me i zbute përshtypjet e kane ba ndamje të pregaditun msheft, dhe me punue ma shumë për me fitue mbështetjen e popullsisë dhe institucioneve të tyne politike. Asht po ashtu me randësi jetikë që BE dhe shtetet e tjera me i shpërblye palët në mënyrën e duhun dhe me i stimulue në rast të nji avancimi përcaktues në dialog. Kjo kishte me sigurue nji marrëveshje qe kishte me promovue paqen dhe stabilitetin – e jo fragmentim – në nji rajon të trazuem.

Shperndaje në: