Aktakuzë ndaj ish-drejtorit te Inspektoratit në Prizren

Ngritet aktakuzë për keqpërdorim të pozitës zyrtare ndaj nji ish-drejtori të Drejtorisë së Inspektoratit në Prizren.

Departamenti i Krimeve të Randa njofton se ka ngrit aktakuzë kundër të pandehunit B.N. ish-drejtor i Drejtorisë Komunale të Inspektorateve në Prizren, për shkak se ka krye veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri B.N. si person zyrtar me mosveprim duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, nuk e ka përmbushur detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër, në atë mënyrë që në cilësinë e ish-drejtorit të Drejtorisë Komunale të Inspektorateve në Prizren, nuk i ka siguruar kushtet për t’i ekzekutuar konkluzionet e lëshuara nga inspektorët e ndërtimtarisë, për rrënimin e detyrueshëm të mbindërtimeve dhe ndërtimeve të 4 objekteve hoteliere në afërsi të sheshit “Shatërvan” në Prizren, të ndërtuar pa leje apo në kundërshtim me lejet e dhëna. Të gjitha këto të ndërtuara në Zonën e Parë të Qendrës Historike në Prizren, me ç‘rast është dëmtuar trashëgimia kulturore e arkitektonike e Qendrës Historike të Prizrenit si dhe për shkak të mospagesës së detyrimeve, është dëmtuar buxheti i Komunës së Prizrenit për 36,143.00 euro.

I pandehuri, kësodore ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

Shperndaje në: