Për çka ju ankue shefi i ushtrisë serbe komandantit te KFOR’it?

Komandanti i KFOR’it, Salvatore Couci asht takue sot në Beograd me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosuna serbe, Milan Mojsilovic.

Komandanti i KFOR’it, gjenerali Salvatore Couci ka zhvillue sot në Serbi nji vizitë zyrtare.

Siç shkruen Telegraf.rs, ky asht takimi i parë zyrtar në mes të komandantit të KFOR’it, gjeneralit Salvatore Couci dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosuna serbe, gjeneral-lejtnant, Milan Mojsilovic.

Në kazermën ‘Topçider’ në Beograd, Couci dhe Mojsilovic diskutuen për gjendjen aktuale të sigurisë në Kosovë si dhe realizimin e aktiviteteve të përbashkëta të ushtrisë së Serbisë dhe KFOR’it.

Në këtë takim siç shkruen ky medium serb, Mojsilovic ka shpreh shqetësimin e tij për situatën aktuale në Kosovë, përcjell lajmi.net.

Po ashtu Mojsilovic, ka theksue se nuk janë tue u zbatue procedurat dhe marrëveshjet e sigurisë që janë thelbësore për sigurinë në Kosovë dhe se simbas tij, kjo ka ba që edhe me u komplikue situata e sigurisë në Kosovë.

Simbas tij, interesi i përbashkët i ushtrisë së Serbisë dhe KFOR’it asht që  me ruejtë sigurinë në zonat e përgjegjësisë në të dyja anët e vijës administrative dhe se siç asht shpreh Mojsilovic, KFOR’i asht nji akter ndërkombëtar dhe përgjegjës për sigurinë e të gjithë qytetarëve në Kosovë e në veçanti për pakicat.

Ndryshe, këto takime janë të rregullta që nga viti 1999, mbasi janë në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes Ushtarake Teknike, i cili asht i përbamë nga Komanda e Komisionit të KFOR’it dhe Komisioni i Përfaqësuesve të Sigurisë së Serbisë.

Shperndaje në: