Dheta programe te UP’s rrezikohen në mungesë të stafit akademik!

Nji pjesë e madhe e programeve në Universitetin e Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ mvaren nga bashkëpunëtorët e jashtëm, mbasi kanë mungesë të profesorëve të rregullt.

Madje gjendja në shumë prej programeve asht tue u përkeqësue, mbasi nga viti në vit ka ranie të numrit të profesorëve të rregullt dhe kështu këto programe rrezikojnë që në të ardhmen mos me u akreditue pikërisht në mungesë të stafit të rregullt akademik, shkruen Zëri.

Gjendje ma e randë sa i përket stafit të rregullt akademik asht në Fakultetin e Arteve, në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, në Fakultetin e Mjekësisë dhe në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë.

Ndërkohë që të parrezikueme nuk mbesin as programet në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës.

Se këto njisi akademike kanë probleme me numrin e vogël të profesorëve të rregullt asht konfirmue edhe nga Rektorati i UP’s.

Ndërsa dekanët e disa prej njisive akademike thonë se nëse nuk shtohet numri i profesorëve në ato fakultete ka rrezik që shumë programe mos me u akreditue.

Aktualisht Universiteti i Prishtinës ka 143 programe studimore, prej tyne 65 në studimet Bachelor, 57 në studimet Master, 17 në studimet e Doktoratës dhe 4 programe në studimet e integrueme.

Në këto programe ky universitet ka rreth 42.000 studentë dhe 900 anëtarë të stafit akademik të rregullt, domethënë 1 mësimdhanës për 47 studentë, por ka fakultete ku ky përpjesëtim asht edhe ma i pavolitshëm dhe shkon deri në nji mësimdhanës për 140 studentë.

Shperndaje në: