Shpendi intervistohet për dëbimin e 6 gylenistëve nga Kosova

Komisioni hetimor parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq ka me mbajtë nesër takim, në të cilin ka me u intervistue ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, tash shef i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Policia e Kosovës kishte arrestue në Mars të këtij viti gjashtë shtetas turq, punëtorë të kolegjit Mehmet Akif, shkollë e cila asht pjesë e rrjetit të shkollave të klerikut Fetullah Gulen, i cili kërkohet nga Turqia me akuzën se qëndron mbrapa puçit të dështuem në këtë shtet dy vjet ma parë.

Arrestimi kishte ndodh mbas nji bashkëpunimi me inteligjencën turke.

Mësuesit e kolegjit ‘Mehmet Akif’ në Kosovë, Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Husein Günakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina dyshohet se janë pjesëtar të organizatës FETO.

Mbas arrestimit të shtetasve turq, Kryeministri Ramush Haradinaj kishte shkarkue nga detyra Ministrin e Punëve të Mbrendshme Flamur Sefaj dhe drejtorin e AKI’s, Driton Gashi.

Në fund të muejit Tetor, Komisioni Parlamentar për hetimin e depërtimit të gjashtë shtetasve turq të deportuem nga Kosova në Turqi, nisi punën me intervistimin e zyrtarëve policorë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’.

Kryetari i këtij komisioni, Xhelal Sveçla, pati deklarue për media se ky komision dëshiron me kuptue të vërtetën se çka ndodhi ditën e arrestimit dhe deportimit të shtetasve turq.

Deri tash janë intervistue tre zyrtarë policorë të aeroportit, ndërkohë që Sveçla pati thanë se ka me vazhdue intervistimet edhe të zyrtarëve tjerë policorë. /kp

 

Shperndaje në: