Policia konfirmon: Gruevski iku nga territori i Shqipnisë, a kishte urdhën- ndalimi?

Me anë të nji deklarate për mediat, Policia e Shtetit në Shqipni ban të ditun se shtetasi “Nikola Gruevski më datë 11.11.2018, rreth orës ora 19:11, ka dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Hanit të Hotit në drejtim të Malit të Zi, si pasagjer në automjetin me targë CD1013A, në pronësi të Ambasadës Hungareze në Tiranë”.

Ma tej në deklaratë “thuhet se në datën 11.11.2018 për shtetasin Nikola Gruevski nuk ka patur asnjë njoftim në kufi apo shpallje si person në kërkim. Interpol Shkupi në datë 13.11.2018, rreth orës 19.35 i ka dërguar Interpol Tiranës njoftimin për shpallje në kërkim ndërkombëtar për këtë shtetas”, mbyllet njoftimi i policisë.

Lexoni lajmin e plotë:

Gruevski hyri ilegalisht në Shqipëri, doli nga Hani i Hotit

Ish kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski u arratis nga vendi i tij për t’i shpëtuar arrestimit, duke kaluar nga Shqipëria. Top Channel mëson se më 11 nëntor Gruevski ka kaluar ilegalisht kufirin me Shqipërinë.

Personat që e shoqëronin me gjasa e kanë kaluar atë nga kufiri i gjelbër. Pasi kanë ecur, ata kanë dalë në rrugën nacionale për t’u ndalur direkt në ambasadën e Hungarisë në Tiranë.
Burime pranë policisë së shtetit i konfirmuan zyrtarisht Top Channel se mbrëmjen e 11 nëntorit, makina e ambasadës hungareze që shoqëronte Nikolla Gruevskin ka kaluar në pikën kufitarë të Hanit të Hotit për në Malin e Zi.

Ish kryeministri i Maqedonisë, në kërkim nderkombëtar, tashmë ka përdorur karten e identitetit dhe është regjistruar ne sistemin tims shqiptar vetem në dalje.

Dy ditë më pas ai u shfaq në Budapest ku kërkoi azil politik. Mendohet se nga Mali i Zi ka kaluar në Serbi e më pas në Hungari me ndihmën e diplomatëve hungarezë.

Ndërkohë policia e shtetit nisi një verifikim nëse ishin thyer rregullat për sa kohë Nikolla Gruevski është në kërkim ndërkombëtar dhe rezultoi se ai kishte ikur nga vendi i tij ende pa u shpallur në kërkim, por sërish ka shkelur ligjin shqiptar duke hyre në tokën tonë ilegalisht.

Të parët lajmin se Gruevski iku nga Shqipëria e publikuan mediat serbe, por ato shkruanin se ikja kishte ndodhur nga aeroporti i Rinasit me kompaninë “Malev”, e cila në fakt prej kohësh nuk fluturon.

Ministria e brendshme e Maqedonisë po heton mënyrën se si ish kryeministri i akuzuar për korrupsion u arratis, nëse ka të përfshirë në këtë aferë ndonjë punonjës policie. Institucionet ndërkohë po përgatisin dokumentacionin e nevojshëm për të kërkuar ekstradimin e tij. Por Hungaria ka vendosur ta mbrojë ish kryeministrin e Maqedonisë. Ndërsa ndodhej në Prishtinë, ministri i jashtëm hungarez Péter Szijjártó komentoi rastin Gruevski.

“Mund t’iu them një gjë: Ne do ta shikojmë këtë çështje në aspektin ligjor dhe jo atë politik. Autoritetet tona relevante, autoritetet e imigrimit do t’i kryejnë procedurat, bazuar në ligjin ndërkombëtar dhe do të shohim rezultatet”, tha ai.

Përzgjedhja e Hungarisë për azil nga ana e Gruevskit, lidhet në opinion me raportet e afërta të tij me kryeministrin hungarez, Viktor Orban. Sipas njohësve të çështjeve politike, të dy ata bashkohen edhe nga nacionalizmi dhe tendenca për të sunduar në çdo segment të shoqërisë, përfshirë edhe mediat.

Shperndaje në: