Serbët i tuten krijimit te Ushtrisë, duen ndihmë nga KFOR’i

Komandanti i sapoemëruem i bazës ushtarake amerikane në Bondsteel, Roy Macaraeg ka thanë se janë të gatshëm me krye operacione në rast të ndonji akti të dhunshëm i cili kërcënon sigurinë në Kosovë.

Gjatë nji interviste për agjencinë e lajmeve serbe ‘Tanjug’ ai asht pyet rreth asaj se cili ka me qenë reagimi i KFOR’it në rast të shpërthimit të dhunës mbas krijimit të Ushtrisë së Kosovës në ditën e flamurit kombëtar, përcjell lajmi.net.

“Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri më 28 nëntor është një proces politik, por ju e dini nëse situata del jashtë kontrollit ne sigurisht se jemi të gatshëm për të reaguar. Tani nuk ka ushtri të Kosovës në fuqi në rast se mandati ndryshon atëherë Këshilli i Atlantikut të Veriut dhe aleatët e NATO-s duhet të rivlerësojnë angazhimin tonë në Kosovë”, asht shpreh Macaraeg.

Ai ka theksue se KFOR’i ka njisite të gatshme me krye çfarëdo operacioni.

Media serbe ka insistue me ditë nëse baza e KFOR’it në Bondsteel ka marrë udhëzime të veçanta në lidhje me datën 28 Nandor, Macaraeg asht përgjigj negativisht.

“Nuk kemi diçka të tillë”, ka thanë ai.

Nji ditë ma parë, Ministri i Mbrendshëm serb, Nebojsha Stefanovic deklaroi se ka nji mundësi që Kosova me njoftue për formimin e Ushtrisë me 28 Nandor.

Simbas tij, Kosova po punon që kjo me qenë data e krijimit të Ushtrisë tue shtue se asht në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare.

Tutje, ai ka thanë se pret që NATO dhe BE me reague si garantuese të këtyne marrëveshjeve.

Shperndaje në: