Ndodh edhe kjo, deputetët serbë ‘uzurpojnë’ Kuvendin e Kosovës!

Përfaqësuesit e Listës Serbe kanë hy në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës ku kanë me qëndrue deri në ardhjen e komisarit europian, Johannes Hahn.

Presidenti i kësaj Liste, Goran Rakic, ka njoftue se mbas takimit të jashtëzakonshëm të ashtuquejtunit shtab i krizës në Mitrovicë, deputetët serbë kanë hy në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

“Momentalisht jemi tue u kthye nga takimi i shtabit të krizave dhe dëshiroj me ju njoftue se përfaqësuesit e Listës Serbe kanë hy në Kuvend në Prishtinë ku kanë me qëndrue deri në ardhjen e Hahnit të cilin kanë me njoftue me hapat anti-serbë që çojnë kah katastrofa humanitare”, ka thanë Rakic’i, raporton televizioni publik serb.

Simbas fjalëve të tij, deputetët serbë “kanë me luftue me mjete demokratike” që, siç tha ai, “fëmijët tanë me pasë të drejtë në ushqim e jetë normale”.

Rakic’i tha se “krejt populli asht përkrah deputetëve serbë” dhe se i mbështesin në këtë betejë.

“Kemi me provue me qenë në linjë me përfaqësuesit tanë të cilët nuk kanë me dalë nga objekti i Kuvendit derisa nuk takohen me Hahnin”, tha kreu i Listës Serbe, Goran Rakic.

Kujtojmë se Komisari Europian për Dialog dhe Zgjanim, Johannes Hahn, ka me qëndrue në Kosovë të Hanën ku pritet me u takue me zyrtarët shtetnorë për me diskutue për taksën prej 100 për qind ndaj mallnave serbe dhe atyne të Bosnës.

Shperndaje në: