Qysh u ba lahuta me qene – serbe?!

Lahuta, eposi i kreshnikëve dhe ministresha e Kulturës

Bedri Islami

Pas gjumit tonë të thellë letargjik, më në fund, UNESKO vendosi që lahuta është një instrument serb dhe futet në fondin e kulturës botërore si i tillë. Me përkatësi serbe. Duke lënë mënjanë të vërteten historike se ajo, LAHUTA, ndodhej në këto treva shumë më herët se të ndodhnin dyndjet sllave.

Nga heshtja jonë , nganjëherë një heshtje e përbindshme, një instrument i tillë, thellësisht ilir e më pas Arbënor, i cili shtegtoi së bashku me epikën tonë legjendare nëpër të gjithë brezat dhe e shoqëroi jetën e një populli, tashmë mund të quhet një kopje e një guzle serbe dhe asgjë më tej se kaq.

Cikli i pashoq i Mujit dhe i Halilit , transmetuar tek ne si një pasuri bjeshkore, sipas këtij vendimi, që në pamjen e parë duket absurd, janë shoqëruar përmes një instrument të cilin e kemi marrë nga serbët; dhe, nuk është e habitshme që një ditë tjetër të na thonë se edhe ciklin e Kreshnikëve e kemi marrë prej tyre.

Kur po dalin analistë që nënat e heronjve kombëtarë na i nxjerrin gjithë mburrje si vajza serbe, pse të mos ndodhë edhe me një instrument.

Pushteti serb dhe strukturat e kulturës serbe, edhe në këtë zallamahi që e ka pushtuar atë shtet përçud, nuk e kanë harruar se e djeshmja ngrit edhe një të ardhme, dhe se, përmes kësaj të kaluare mund të ngrihen pretendimet e tashme.

Ministria shqiptare e Kulturës dhe ministresha jonë, jam i bindur se, as që e ka ditur se po bëhet një dualizëm i tillë: kujt i takon një instrument i vjetër sa bota: vendasve apo të ardhurve; njerëzve autotoktonë apo bredharakëve.

Ajo ka qenë shumë e zënë duke ngritur një “Aushvitz shqiptar” në rrethinat e Tepelenës, ku janë hedhur me miliona euro dhe do të hidhen akoma; për të bërë një histori gjysmë të rreme dhe gjysmë të saktë;

– në të pesë vitet e ministreshës ende nuk është bërë asgjë e vlefshme në të gjithë veriun e Shqipërisë; kullat e moçme po shemben, historia po grabitet, epose të mëdha kanë mbetur vetëm në botimet e moçme, shtëpi të mëdha të figurave të shquara po rrënohen apo, si ndodh me shtëpinë e atdhetarit të madh, Riza Dani, po kthehen në lavazhe makinash…

– ajo, e ka harruar se ne kemi edhe një epos të madh, të quajtur “Lahuta e malcisë”, shkruar nga një figurë e madhe e mendimit dhe artit shqiptar Gjergj Fishta, i cili, si duket e kishte parashikuar se mund të vijë një kohë e tillë e mohimit të vlerave dhe e grabitjes së tyre, ndaj e quajti eposin e tij me emrin e Lahutës…

Përse t’ua vëmë fajin serbëve…..ata e kanë natyrë të dytë rrëmbimin e vlerave…

Të gjithë e dinë këtë, vetëm se tek Ministria jonë e Kulturës ende nuk ka trokitur as fillesa e ndërgjegjes kombëtare.

Ata e kanë më të lehtë të ndërtojnë pritat vrastare ndaj njëri tjetrit, se sa të dëshmojnë kulturën e hershme të këtij populli, ku rasti i solli të jenë në majat e kulturës së saj, pa transmetuar tashmë asgjë nga e djeshmja shumë shekullore.

Na morën një Lahutë… një ditë mund të na e marrin gjithë Veriun…/ Dita

Shperndaje në: