Serwer kritikon NATO’n për qendrimin ndaj transformimit të FSK’s

Analisti amerikan, Daniel Serwer, ka deklarue se NATO asht tue e mbështetë Beogradin, mbasi po kundërshton krijimin e Ushtrisë së Kosovës.

Në nji shkrim autorial, Serwer thotë se Serbia po kërcënon me ndërhymje në Kosovë, nëse Kuvendi i Kosovës voton për të krijue ushtrinë.

“Kosova nuk ka ushtri që nga ndërhymja e NATO’s në vitin 1999 që e pshtoi atë nga përpjekjet e presidentit Milosevic për të reduktue popullsinë e saj shqiptare me forcë dhe shpalljen e pamvarësisë së saj në 2008. NATO ka sigurue mbrojtjen territoriale të vendit, edhe pse ajo qeveris vetë dhe asht njoftë si shtet sovran nga rreth 110 vende”, thotë ai.

Amerikani Serwer shton se Prishtina tash dëshiron me i konvertue forcat e saj të sigurisë, të cilat janë të armatosuna lehtë, në nji ushtri.

“SHBA, Britania e Madhe dhe NATO janë konsulltue krejtësisht. Procesi ka me zgjatë 10 vjet ose ma shumë. Nëse forcat e NATO’s najherë do të largohen nga Kosova dhe do të dërgohen në misionet me prioritet të naltë, vendi do të duhet me i pasë mjetet për të mbrojtë veten të paktën për disa ditë. NATO duhet me i mbështetë ata që duen me lehtësue barrën e saj, jo ata që kërcënojnë agresionin”, vlerëson analisti.

Serwer, profesor në Universitetin Johns Hopkins, thotë se Ushtria e Kosovës nuk ka të bajë me kërcënim për të ardhmen në rajon.

“Ajo që Serbia po përpiqet ma ba asht që me privue Prishtinën nga nji prej elementeve vitale të sovranitetit. Po përpiqet gjithashtu me gjetë nji justifikim për me ndërhy dhe për të pushtue pjesën me shumicë serbe të veriut të Kosovës, ku figurojnë figura të krimit të organizuem në përputhje me autoritetet qeverisëse të Beogradit”, thotë ai.

Serwer e quen gabim serioz mbështetjen që simbas tij, NATO po ia jep agjendës së Beogradit.

Amerikani asht shfaqë kritik edhe ndaj BE’s për shtymjen e afatit për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Shperndaje në: