Zbuloni a asht e mundun me i tonifikue muskujt pa ushtrime fizike!

Mjekët në Kaliforni po reklamojnë nji procedurë të re që thonë se rritë masën muskulore dhe ul përqindjen e vijamit në trup pa nevojën e ushtrimeve fizike.

Lexoni lajmin e plotë:

Procedura mbështetet në teknologji që stimulojnë nervat thellë në muskuj, përmes impulseve elektronike. Por dietologët paralajmërojnë se procedura nuk u shërben pacientëve me obezitet, apo probleme të mbipeshës së theksuar:

Për ata që duan një trup më të tonifikuar, qoftë muskuloz, apo eliminimin e dhjamit tek pjesa e barkut, kompania “BTL Aesthetics” ka prezantuar Emsculpt, një procedure të re, novatore.

Pajisja, që operon programe 30-minutëshe për të tonifikuar trupin duke vënë në shënjestër muskujt e këmbëve, barkut, apo vitheve, është miratuar për përdorim nga Administrata për Ushqimin dhe Ilaçet.

Dr. Michael J. Persky e përdor këtë pajisje në klinikën e tij në qytetin Encino:

“Ja si funksionon: një helikë emeton valë elektromanjetike me frekuencë të lartë që stimulojnë nervat thellë në muskul. Kjo është teknologjia e parë e miratuar nga qeveria federale që e realizon këtë, pra që stimulon muskujt që nuk stimulohen gjatë ushtrimeve të rregullta fizike,” thotë Dr. Michael Persky.

Pajisjet për stimulimin elektrik të muskujve ka vite që janë në qarkullim, por kompania thotë se ka bërë shtatë studime në klinika të ndryshme në SHBA dhe se rezultatet që jep kjo procedurë janë të papara deri tani:

“Kur e filluan studimin, po përpiqeshin thjesht të arrinin formimin e muskujve, por kur bënë kontrollin me skaner dhe MRI zbuluan se jo vetëm ishte shtuar masa muskulore me 16% brenda 1-3 muajsh, por ishte reduktuar 19% masa e dhjamit. Pra kishte një përfitim shtesë,” thotë Dr. Persky.

Kompania thotë se fusha elektromanjetike i detyron muskujt të kontraktohen dhe rezulton në reduktim të masës së dhjamit, njësoj sikur personi të ketë bërë ushtrime fizike. Klientja e Dr Perskyt, Marci Freed shprehet e kënaqur:

“Nuk shkakton dhimbje, nuk ka intensitet. Ngjan me masazhin e muskujve; ka vibracione. Kur fillon duhet të mësohesh pak, por nga fundi është një ndjesi e këndshme,” thotë klientja Marci Freed.

Klientët që kanë përdorur pajisjen në klinikën e Dr. Perskyt nuk janë individë pasivë. Shumë prej tyre frekuentojnë rregullisht palestrat. Një përfaqësues i kompanisë thotë se shpikja e tyre u shërben si personave që nuk bëjnë ushtrime fizike, ashtu edhe atyre që janë aktivë:

“Pacientët na thonë se po përjetojnë diçka që nuk e kanë hasur kurrë më parë. Rezultatet janë dramatike, sidomos pas katër orë trajtimi; ata ndejnë tonifikim të muskujve; në pjesën e barkut kanë vërejtur ulje të masës dhjamore. Kjo procedurë është ideale edhe për pacientët që shkojnë çdo ditë në palestër dhe punojnë fort për shëndetin fizik. Me këtë procedurë ata arrijnë edhe më shumë,” thotë nënpresidenti për shitjet në kompaninë “BLT Aesthetics”.

Kompania “BTL Aesthetics” paralajmëron se Emsculpt nuk është për këdo. Personat që kanë implante metalike në kokë, apo valvola metalike në trup, si dhe pacemakers ose stimulantë elektronikë nuk mund ta përdorin Emsculptin pasi rryma elektrike e procedurës për tonifikim muskujsh do të ndërhynte me funksionimin normal të pajisjeve që ata kanë në trup.

Dr. Adrienne Youdim, drejtoreshë e Qendrës për Humbjen në Peshë dhe Dietën në Beverly Hills thotë se megjithëse procedura rezulton në humbje peshe, ajo nuk i ndihmon personat me probleme të theksuara të mbipeshës. Ajo shton se rënia në peshë nuk duhet të varet vetëm tek pajisja, por duhet të shoqërohet me një stil jetese të shëndetshëm, që mbështetet tek një dietë e rregullt dhe ushtrimet fizike. /gazeta-shqip

Shperndaje në: