Admirali Foggo përkrahë Ushtrinë e Kosovës

Vendimi i autoriteteve të Kosovës për me transformue Forcën e Sigurisë së Kosovës në ushtri, asht nji vendim sovran, dhe ne mbetet me respektue, deklaroi sot në Shkup, komandanti i Komandës së Përbashkët të Forcave Aleate në Napoli, admirali James Foggo.

Komentet e tij, admirali Foggo i bani në nji konferencë për mediat në Shkup, mbas takimit që realizoi me Ministren e Mbrojtjes së Maqedonisë, Radmilla Shekerinska.

I pyetun nga gazetari mbi pohimet për formimin e ushtrisë së Kosovës, dhe ndikimet që kjo mundet me pasë për stabilitetin e rajonit, Foggo, të cilit komandanti i KFOR’it i jep llogari, tha se “Kosova është një demokraci e njëjtë ashtu siç janë Maqedonia dhe Serbia ku qytetarët votojnë personat të cilët marrin vendime në emër të tyre”.

“Nga këtu them se ky është një vendim sovran të cilin do të duhet të bëjë Kuvendi i Kosovës për transformimin e FSK-së”, tha Foggo.

Admirali tha se i asht thanë se procesi i transformimit ka me zgjatë 10 vjet, për me shtue se ndërkohë asht detyrë e tij me u kujdes për nji ambient të sigurtë dhe me garantue lirinë e lëvizjes së lirë.

“Ne jemi të gatshëm për çfarëdo vendimi që do të merret këtë javë”, përfundoi Foggo.

Kujtojmë se të Premten, me 14 Dhetor, Kuvendi i Kosovës pritet me i miratue projektligjet për transformimin e FSK’s në Ushtri.

Shperndaje në: