Autorja australiane Geraldine Brooks nderohet me çmimin “Ramiz Kelmendi”

Ne dyvjetorin e vdekjes se shkrimtarit dhe gazetarit Ramiz Kelmendi, Festivali i Letërsisë në Orllan (FLO) njofton se çmimin tashma tradicional – “Ramiz Kelmendi” – sivjet ja ka nda autores australiane Geraldine Brooks.
Ky asht postimi i plote:
Festivali i Letërsisë në Orllan (FLO) ka kënaqësinë të njoftojë se laureat i çmimit Ramiz Kelmendi këtë vit është autorja me origjinë australiane, Geraldine Brooks. Brooks nderohet me këtë çmim për rikonstruktimin mjeshtëror të një historie të vërtetë, histori mahnitëse dhe jashtëzakonisht të fuqishme, The Book of Exodus (Libri i ekzodit). Kjo kronikë, e botuar në revistën The New Yorker, mbulon një periudhë që shtrihet nga okupimi gjerman i Sarajevës në Luftën e Dytë Botërore deri në luftën e Kosovës më 1999, kur ndodhi eksodi masiv i kosovarëve, pikërisht njëzet vjet më parë. Artikulli ishte rezultat i hulumtimit që autorja bëri për romanin e saj People of the Book, i cili u frymëzua nga rrugëtimi i Librit të Ekzodit që njihet si Haggadah e Sarajevës.
Në një korrespondencë para publikimit të njoftimit, Brooks tha se ndihet e nderuar me çmimin.
Photo by: Randi Baird

 

Geraldine Brooks është autore dhe gazetare që u rrit në periferinë perëndimore të Sidnejt. Punoi si reportere për The Sydney Morning Herald para se të fillonte punën për The Wall Street Journal, ku mbuloi krizat në Lindjen e Mesme, Afrikë dhe në Ballkan.
Në vitin 2006 u nderua me çmimin Pulitzer për letërsi për romanin March. Romanet e saj, Caleb’s Crossing dhe People of the Book, ishin bestsellerë të New York Times-it. Romani i saj i parë, Year of Wonders është bestseller ndërkombëtar, i përkthyer në më shumë se 25 gjuhë dhe i përzgjedhur për t’u bërë film me Andrew Lincoln në rolin kryesor. Ajo është autore edhe e veprave dokumentare Nine Parts of Desire, Foreign Correspondence dhe The Idea of Home.
——
Çmimi Ramiz Kelmendi u themelua më 2013 për të nderuar njërin prej shkrimtarëve më të mirë dhe më popullor të Kosovës, gazetar veteran dhe përkthyes i mirënjohur. Me çmimin Ramiz Kelmendi në të kaluarën janë nderuar Peter Constantine, përkthyes me renome botërore, Faruk Šehić, shkrimtar nga Bosnja që konsiderohet një prej autorëve më të mirë të gjeneratës së tij në Ballkan. Laureatë të çmimit janë edhe Sanije Gashi, për kontributin pesëdhjetëvjeçar gazetarisë dhe publicistikës në Kosovë, Sokrat Shyti nga Shqipëria, si mirënjohje mbijetesës së njeriut dhe letërsisë, dhe Luan Starova, nga Maqedonia, për njohje më të gjërë të letërsisë shqipe në botë.
Shperndaje në: