Trump po e shkatërron politikën amerikane në Lindjen e Mesme

Victoria Nuland

 

 

 

Me vendimin e tij për tërheqjen e të gjitha forcave amerikane nga Siria, presidenti Trump i bëri një dhuratë të madhe të Vitit të Ri presidentit sirian Bashar Al-Asad, Shtetit Islamik, Kremlinit dhe Teheranit. Ai, gjithashtu, garantoi shkatërrimin e të gjitha arritjeve ushtarake amerikane atje, dhe zhduku çdo mekanizëm, përmes të cilit Sekretari i Shtetit Mike Pompeo dhe i dërguari i tij special për Sirinë, Xhejms Xhefri, mund të nxisnin një zgjidhje diplomatike, që të përmbushte qëllimet e administratës për mbajtjen jashtë Sirisë të ISIS-it dhe Iranit. Më e rëndësishmja, Trump po bie në të njëjtin batak si Barak Obama, kur tërhoqi të gjitha forcat amerikane nga Iraku në vitin 2011. Vendimi i Trump, thuajse garanton degradimin e mëtejshëm të sigurisë në vend, që Shteti Islamik dhe Irani të rrisin sërish ndikimin e tyre, dhe që Shtetet e Bashkuara do të detyrohen të rikthehen në Siri, këtë herë me një kosto edhe më të madhe ushtarake, se sa po të kishim vazhduar të qëndronim. Gjithçka në lidhje me këtë vendim të pamatur, rrezikon interesat kombëtare të SHBA-së. Së pari, Shteti Islamik nuk ka ndërmend ta lërë Sirinë. Vetëm 6 muaj më parë, Pentagoni vlerësoi se 20-30 mijë luftëtarë aktivë mbeten në Siri dhe Irak. ISIS mund të mos kontrollojë më shumë territore në Siri, por luftëtarët e saj po fshihen në xhepa të padeklaruar në lindje të vendit, dhe në rrethinat e Idlibit. Sapo Shtetet e Bashkuara të tërhiqen, Shteti Islamik do të kryejë tre lëvizje. Ai do të pretendojë fitoren ndaj të “pafeve amerikanë”, duke nxitur një fushatë të re rekrutimesh në mbarë Lindjen e Mesme dhe Azinë Jugore. Kjo do të shoqërohet me shkuarjen e shumë luftëtarëve të rinj në Sirinë lindore. Dhe do të dalë nga hija për të rimarrë kontrollin e territorit përgjatë Sirisë lindore, nga Forcat Demokratike Siriane (SDF) të mbështetura nga SHBA-ja, të cilat s’mund ta mbajnë dot Rakën apo ndonjë territor tjetër të spastruar për momentin nga terroristët, pa ndihmën e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara. Edhe Irani, gjithashtu, do të pushtojë zonat që po braktisen nga trupat e SHBA-së. Teherani ka të ngjarë të ketë dhënë urdhra për dhjetëra mijëra milicë Hezbollah, që kontrollojnë Sirinë perëndimore dhe jugore, për t’u kthyer në lindje. Vetëm 3 muaj më parë, këshilltari i sigurisë kombëtare Xhon Bolton, u zotua se Shtetet e Bashkuara do të qëndronin në Siri, derisa të dëbohej prej andej çdo luftëtar iranian.Edhe Moska, po feston pas vendimit të Trump. Pas disa viteve, kur pretendoi të negocionte me Uashingtonin një zgjidhje diplomatike të krizës në Siri, presidenti rus Vladimir Putin mund të shpërfillë tashmë lutjet e të dërguarit të Trump, pasi SHBA-ja nuk do të ketë më asnjë ndikim ushtarak për të mbështetur diplomacinë e saj. Kremlini do të vazhdojë, siç e ka planifikuar prej kohësh, të konsolidojë kontrollin mbi pjesën tjetër të Sirisë për llogari të Asadit deri në vitin 2021, dhe pastaj duke manipuluar zgjedhjet për një figurë të re. Moska do të jetë shumë e zgjuar për të zgjeruar praninë e saj tokësore në Siri, dhe do të zgjerojë përkrahjen e saj të heshtur për milicitë e mbështetura nga Irani, që tashmë shërbejnë si forca de fakto të policisë lokale në Sirinë perëndimore.

Nga ana tjetër, kjo do të forcojë shqetësimin e Izraelit dhe përgjigjen kinetike. Moska pastaj do të pikturohet si paqebërëse, dhe e vetmja fuqi e aftë për të arritur marrëveshjet strategjike me Izraelin, Jordaninë, Turqinë dhe të tjerët. Në këtë proces, Putini do të ketë realizuar ëndrrën e tij të vjetër për të rivendosur hegjemoninë postsovjetike në zemër të Lindjes së Mesme – të paktën derisa Shteti Islamik të rikthehet fuqishëm në skenë.

Nëse Shtetet e Bashkuara tërhiqen, as miqtë sirianë të Uashingtonit nuk do të marrin pjesë në një nismë diplomatike të udhëhequr nga SHBA. Ata do të jenë shumë të zënë, duke u mbrojtur nga Shteti Islamik dhe Irani. Pak vite më parë por përmes Twitter, Trump e kritikoi paraardhësin e tij se e kishte lënë Irakun në dorë të Shtetit Islamik në vitin 2011, duke u detyruar më pas të rikthente trupat amerikane atje në vitin 2014. Shtetet e Bashkuara, kanë aktualisht 5.200 trupa të vendosura në Irak, dhe shpenzojnë 13.6 milionë dollarë në ditë në operacionet ushtarake atje. Sipas gjykimit të fundit, presidenti duhet t’i cilësonte 2.000 trupat tona në Siri si një policë sigurimi, dhe një levë jetike kundër rezultateve shumë më të këqija për ne, për Sirinë, dhe për ekuilibrin global të pushtetit.

Shperndaje në: