Vetmia e Perandorit

Eugenio Buzzetti

Është një festim jo shumë i qëlluar. Kina kremton 40 vitet e reformave dhe hapjes, të përuruara nga Ten Hsiao Pin, ndërmjet turbullirave ndërkombëtare të çështjes Huawei dhe të dhënave pak inkurajuese të ekonomisë. Fotografitë e shpërndara nga agjencia Hsinhua nga mbledhja solemne tregojnë presidentin Hsi Jinpin buzëqeshur duke iu shtrënguar duart të ftuarve, por pasiguritë e jashtme të shkaktuara nga “njëanshmëria” dhe “proteksionizmi”, lexo nga SHBA e Donald Trump-it, po kthehen shpejt nga tregtare në politike mbas mbajtjes forcërisht në Kinë të dy qytetarëve kanadezë, në një hakmarrje të hapur për arrestimin në Vankuver të drejtoreshës financiare dhe trashëgimtare e grupit Huawei, Meng Wangzhu, me kërkesën amerikane.

Jo vetëm: në planin e brendshëm shtohen zërat jo gjithmonë në vijë me korin e lavdërimeve për presidentin, i rizgjedhur për të tretën herë e sot pa cak mandati. Hsi në fjalën e tij të kremtimit të dyzetvjetorit ka vënë theksin mbi vazhdimësinë me të shkuarën e reformave të nxjerra në dritë nga Teni, duke premtuar një “mrekulli që do të habisë botën”. Përballë dëgjuesve të panumërt të mbledhur në sallën e Madhe të popullit në sheshin Tienanmen në Pekin, ka paralajmëruar: “Askush nuk mund të na thotë se çfarë duhet ose nuk duhet bërë”. Por një tregues kuptimplotë se jo çdo gjë shkon sipas parashikimeve shihet duke lexuar komunikatën e fundit të nxjerrë nga Byroja Politike, organi i majës së partisë me në krye vetë Hsi-në. Përtej sigurisë së zakonshme mbi rritjen ekonomike, 25 drejtuesit kombëtarë lënë të tejshihet një ndryshim, së paku në formën e shprehjes, nga besimi i së shkuarës: “Ndryshimet në bashkëthurjen ndërkombëtare dhe në kushtet e brendshme”, lexohet në njoftimin, “duhet të shihen në mënyrë dialektike, duke kërkuar nga partia të jetë e gatshme të përballojë kundërshti të mundshme”. Një gjë e re e paparashikuar.

Që nga vera e shkuar, që nga goditjet e para të luftës tregtare me Shtetet e Bashkuara, ishte ndonjëri që e quante të nevojshme një ndërrim hapi në rrafshin politik, ekonomik e shoqëror nga ana e administratës kineze, për të përballuar kundërgoditjet e zënkës tarifore. Ndërmjet këtyre Ten Juven, ish-zëvendësdrejtori i revistës Study Times, të botuar nga shkolla që formon pikërisht funksionarët e PKK. “Zhvillimi i gjendjes mund të shkaktojë opinione gjithnjë e më të ndryshme në brendësi të partisë” kishte thënë pak përpara mbledhjes miqësore në nivel të lartë të Beidaihes, një qendër bregdetare pak orë udhëtimi larg Pekinit, në të cilën udhëheqësit kinezë, të sotshmit e të së shkuarës, bisedojnë për strategjitë që do të zbatohen në të ardhmen. Popullariteti i Hsi-së dukej në një rënie të lehtë: ndërsa në Pekin sy të vëmendshëm vinin re një pakësim të manifestuesve me imazhin e tij triumfues, qarkullonin zëra të një letre të dërguar presidentit kinez, të firmosur nga disa veteranë të partisë që kërkonin të rishikoheshin zgjedhjet e bëra në ekonomi e në politikën e jashtme.

Që nga fundi i verës kishin arritur më të qartë e më të fuqishëm kumtimet kritike të trashëgimtarëve të aristokracisë së kuqe. “Duhet të kërkojmë të vërtetën e fakteve, të ruajmë kthjelltësinë e të dimë kush është vendi ynë”, tha gjatë një fjalimi Ten Pufan, që është bash i biri i arkitektit të reformave kineze, Ten Hsiaopin-it, i kremtuar në këto ditë, dhe kryetar nderi i Federatës kineze të autizmit. Pasiguritë në rrafsh ndërkombëtar “janë në rritje”, ka vazhduar, dhe “gjëja më e rëndësishme në këtë çast është të përballohen në mënyrën e duhur çështjet e Kinës”. Janë fjalë që tingëllojnë si një sulm kundër dëshirave në politikën e jashtme dhe në zgjerimin ushtarak të presidentit kinez. Një tjetër anëtar i elitës së Partisë, Hu Depin, biri i ish-sekretarit të Përgjithshëm të PKK Hu Jaoban, e ka kritikuar Hsi-në sepse, sipas mendimit të tij, ai shtrydhte ndërmarrjet private në garën me ndërmarrjet e mëdha të Shtetit. Pa asnjë lidhje të dukshme me atë padi, në fund të tetorit Hsi ripërtëriti mbështetjen për ndërmarrjet private. “Çdo veprim që mohon apo dobëson ekonominë private është i gabuar”.

Mbi të sotmen peshojnë kryesisht të dhënat e ekonomisë, që në tremujorin e tretë 2018 shënoi një ngadalësim prej 6,5 % mbi bazën vjetore (1,6 % mbi bazën e rrethanave të tanishme, 0,1 më pak në krahasim me të dhënën e tremujorit të dytë 2018, sipas përllogaritjes së Byrosë kombëtare të statistikave). Kështu Bursat botërore janë kthyer në ulje mbas të dhënave të fundit të shpallura nga të premten e shkuar nga Pekini, për pakësimin e shitjeve me shumicë, me një rritje prej 8,1 % në nëntor në krahasim me të njëjtin muaj të 2017, kundrejt 8,6 të tetorit dhe të prodhimit industrial, me 5,4 si bazë vjetore muajin e shkuar kundrejt 5,9 të tetorit.

Për të errësuar përfundimet në përparim të ekonomisë së dytë të botës arriti lajmi i botuar nga South China Morning Post e Hong Kongut që, gjithmonë nga Byroja kombëtare e statistikave që urdhëron provincën juglindore të Guandonit, baza industriale e Vendit, të mos përpilojë treguesin Pmi, që llogarit nivelin e atij sektori. E dhëna e fundit e botuar është ajo e shtatorit të shkuar e shënon një rritje të lehtë, në kuotën 50,2, por nuk ka asnjë tregues për të dhënat e tetorit dhe nëntorit: një mungesë që turbullon operatorët dhe le të kuptohet për të ardhmen një ngadalësim të mëtejshëm të ekonomisë.

Të sendërtohet ëndrra kineze e përtëritjes kombëtare “nuk do të jetë një shëtitje në park”. Me këto fjalë ishte shprehur Hsi vitin e shkuar, përpara 2300 delegatëve të ardhur në Pekin për kongresin e 19-të të PKK që e blatoi udhëheqës pa pasues të dukshëm, duke lënë të kuptohet se do të ketë mundësi për turbullira, të cilat u dukën shpejt: qeverisë kineze iu desh të ulte tonet mbi një plan vendimtar, “made in China 2025” për zhvillimin e industrisë së përparuar, i parë jo me sy të mirë nga administrata amerikane; nisma e ndërmarrë nga Hsi në 2013, Belt and Road për lidhjen ndërstrukturore të Azisë, Evropës dhe Afrikës, ka ngjallur dyshime e qëndresë jashtë e nuk është pa kritika brenda.

Akademiku i moshuar Sun Wenguan, shpesh kritik me qeverinë, në një ese ka kërkuar të kthejë në dobi të zhvillimit të Kinës fondet e caktuara për projektin e madh: mbas pak ditësh ish-profesori 84-vjeçar, ndërsa po i jepte një intervistë stacionit amerikan për jashtë Voice of America, u ndërpre nga mbërritja e policisë. Sipas disa dëshmive, është mbajtur në arrest bashkë me gruan për disa ditë në disa hotele të qytetit. Një fat të tillë të ngjashëm, edhe se për arsye shumë të ndryshme, i paska takuar edhe artistes Fan Binbin, zhdukja e së cilës për muaj nga rrjetet sociale ka shkaktuar shumë hamendje: e paditur për mospagim taksash, i është vënë një gjobë prej më shumë se 110 milion euro (884 milionë juan), dhe në kthimin online yllit iu desh t’i kërkonte falje publikut të saj.

Më e ngatërruar për Hsi-në është t’u heqë kapsollën minave shëtitëse jashtë Shtetit. Përfytyresa e Vendit nuk doli mirë nga arrestimi i shefit të Interpolit, Men Hongvei, zëvendësministër për Sigurinë Publike që nga viti 2004 me padinë për korrupsion: organi i bashkëpunimit ndërkombëtar të policive ka pohuar se nuk ishte lajmëruar në kohë për masën e autoriteteve kineze. Meni dha dorëheqjen me “efekt të menjëhershëm” mbas zhdukjes, të kallëzuar në policinë franceze nga e shoqja, që në një intervistë tronditëse shpalli se ishte e kërcënuar e se kishte frikë për jetën e të shoqit. “Askush nuk është mbi ligjin” qe komenti i thatë i Ministrisë së Jashtme të Pekinit. Të tjerë që do të donin të ndiqnin gjurmët e tij janë të lajmëruar.

Kërcënimi i fundit për pushtetin qendror vjen edhe një herë nga Shtetet e Bashkuara. Që nga viti i shkuar Partia komuniste kineze llogarit ndërmjet kundërshtarëve më të paepur të saj një biznesmen të përfolur që i ikën drejtësisë kineze që nga 2014: Guo Wengui, ose Miles Kwok, sipas emrit tjetër me të cilin është i njohur. Që nga apartamenti në katin e fundit në Manhattan miliarderi ka drejtuar gishtin kundër të mëdhenjve të partisë, duke i paditur për korrupsion: në shënjestrën e tij është dhe i paprekshmi Van Kishan, ish-kryetari i Komisionit për kontrollin disiplinor që heton mbi funksionarët e korruptuar në Kinë, e sot nënkryetar i Kinës me dëshirën e Hsi. Paditë e tij shpesh janë minimizuar apo janë bërë të paqena, por mbas një periudhe të kaluar mbas perdeve, Guo ka dalë në pah. Në një konferencë shtypi në Nju Jork ka shtjelluar planin e tij të ri: të vërtetojë dorën e PKK mbas disa ndodhive të zhdukura nxitimthi nga radari, duke filluar nga vdekja e presidentit të ndërmarrjes grumbulluese Hna, Van Jian, mbas një rrëzimi të çuditshëm në afërsi të një kishe në Provencë.

Nga hetimet e para nuk kanë dalë pista që lënë të mendohet për vrasje, por për kërkuesit e paguar nga Guo, telekamerat e zonës kishin marrë “elementë të dyshimtë” ndërmjet rojeve të biznesmenit. Për ta ndihmuar në skenë arriti edhe një shok: Steve Bannon. Me ish-strategun e Shtëpisë së Bardhë manjati kinez ka firmosur një fond prej njëqind milionë dollarësh për të hetuar mbi rastet e dyshimta të Kinës. Si kryetar i fondit do të qëndrojë vetë Bannon: është një “çështje detyre” që nuk ka të bëjë asgjë me administratën Trump, ka thënë. “Të dy përçmojmë Partinë Komuniste Kineze” i bën jehonë Guo, i cituar nga New York Times. “Kështu jemi bërë bashkëpunëtorë”.

Besueshmëria e miliarderit në ikje nga drejtësia kineze mbetet e ulët, por ylli i tij mund të kthehet të ndriçojë, sipas së përditshmes amerikane që i ka kushtuar një shkrim të gjatë së fundi. Në saje të ndihmës së Bannonit, Guo është futur në mjediset më konservatore të Washingtonit, dhe akuzat e tij PKK mund të gjejnë veshë të prirur për ta dëgjuar. Një tjetër gjemb i mundshëm për kurorën e perandorit Hsi.

—————–

Marrë nga e përjavshmja italiane “Panorama”. E përktheu nga italishtja: Eugjen Merlika

Shperndaje në: