Korrupsioni: Ballkani në fund, Shqipnia në fund të Ballkanit

Pietro Aleotti

Ditët e fundit Transparency International, një organizatë që ka në fokusin e vet themelor luftën kundër korrupsionit në sektorin publik, ka publikuar rezultatet lidhur me vlerësimin e indeksit të perceptimit të korrupsionit, i matur në 180 vende të botës. Situata për vendet e Ballkanit është e tillë që e vendos në fund të renditjes evropiane, duke qenë më mirë vetëm se Rusia e Ukraina.

Që nga viti 1995, Transparency International i paraqet këto të dhëna në baza vjetore, duke ofruar një përshkrim të situatës në nivel global. Shkalla e korrupsionit shprehet nëpërmjet një indeksi të quajtur “Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit, CPI”, i llogaritur duke kontrolluar të dhënat zyrtare që vijnë nga institucione të ndryshme të pavarura dhe në lidhje me aspekte të ndryshme të korrupsionit. Ndër të tjera: përdorimi i fondeve publike dhe devijimi i tyre, ekzistenca e ligjeve mbi konfliktin e interesave, lufta kundër korrupsionit, niveli i burokracisë, pavarësia e medias etj. CPI shprehet në një shkallë nga 0 në 100, ku 0 tregon shkallën më të lartë të korrupsionit dhe 100 mungesën e plotë të tij.

Europa zë shtatë vende në dhjetë vendet më të më të mira që kryesojnë, duke përfshirë edhe kreun që është Danimarka. Vlera mesatare e vendeve të Bashkimit Europian është 66, më e lartë se mesatarja globale me mbi 20 pikë. Situata në vendet e Ballkanit, megjithatë, është shumë më e keqe: të gjitha vendet janë të përfshira pozicionet më të ulëta apo në mes të renditjes së përgjithshme. Për shkak të një CPI mesatare prej vetëm 41 pikë, Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria janë në mesin e shtatëdhjetë deri në vendin e njëqindtë në renditje, dhe vetëm Kroacia (60) dhe Malin e Zi (68) janë pak më mirë. Për të dhënë një konotacion të mëtejshëm negativ të të dhënave të nxjerra Transparency International analiza e trendit të këtyre shteteve: që nga viti 2012 (vit në të cilin matja është bërë me metodologjinë aktuale) e deri në 2018 nuk ka treguar ndonjë shenjë përmirësimi dhe, në krahasim me të fundin e vitit të kaluar, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përkundrazi e kanë përkeqësuar rezultatin e tyre, me përjashtim të Maqedonisë.

Ndonëse lufta kundër korrupsionit është një nga kushtet e vendosura nga institucionet evropiane për hyrjen në BE, asnjë nga shtetet kandidate apo aspiruese nuk ka bërë përpjekje të konsiderueshme për këtë çështje. Në Serbi, për shembull, përpjekja për të vënë nën kontroll institucionet publike përgjegjëse për mbajtjen e sundimit të ligjit u theksua edhe nga shoqata e gjyqtarëve serbë, të cilët me një deklaratë e quajtën draftin e reformës kushtetuese si një përpjekje të qeverisë “për të zgjeruar mundësinë e ndikimit politik në sistemin gjyqësor”. Një pushtet i dobët gjyqësor sigurisht që është më pak efektiv në hetimin e sferës politike nga e cila është, përkundrazi, nënshtruar. Një tablo negative që duhet shtuar, siç raportohet nga Transparency Serbia, është edhe tendenca për të mos ndërhyrë edhe në rastet kur korrupsioni vërtetohet nga investigimet e gazetarëve apo nga autoritetet hetimore e audituese. Në kontekste të tjera problemi fillon nga vakumi legjislativ dhe, në përgjithësi, nga dobësia e institucioneve: ky është rasti, për shembull, i Kosovës, ku, përballë ekzistencës së katër organeve mbikëqyrëse, ka paqartësi në ndarjen e roleve dhe detyrave gjë që ka krijuar mbivendosje dhe joefikasitet, duke minuar kështu punën. Për më tepër, përmes mekanizmit të financimit publik të partive, korrupsioni madje po ndikon në rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme: një dyshim në këtë kuptim është se, sipas Transparency International, kjo mund të ketë ndodhur në zgjedhjet e fundit në Mal të Zi dhe në Bosnjë-Hercegovinë. Shqipëria është vendi i fundit në mesin e vendeve të Ballkanit. Me klasifikimin në vendin e njëqindtë, Shqipëria vuan nga shumica e problemeve të përshkruara më lart, shto edhe rekomandimin që FMN i bëri Tiranës vetëm pak ditë më pare, për të ndërmarrë masat më efektive antikorrupsion, si kusht i domosdoshëm për rimëkëmbjen ekonomike të vendit dhe nxitje për tregun të punës, në kushtet e fenomenit të emigracionit.

Shpesh i neglizhuar, korrupsioni është një problem që ndikon në sferën demokratike të vendeve të përfshira, me pasoja të rënda edhe në nivelin ekonomik e social. Vitet e fundit, përpjekja e shumë qeverive të rajonit për të rritur ndikimin dhe kontrollin e tyre mbi institucionet dhe mediat, ka çuar deri në konflikte me organizatat joqeveritare dhe si zakonisht edhe me kundërshtarët politikë. Kjo klimë po favorizon përhapjen e praktikave korruptive, siç vëren edhe presidenti i Transparency International, sipas të cilit “korrupsioni publik ka potencial më të madh për të fituar terren në vendet ku bazat demokratike janë të dobëta”.

Shperndaje në: