Çka quajmë Ramush?

Dush Gashi

 

 

Kur qe kthyer verën e kaluar nga Amerika, Ramush Haradinaj fliste me entuziazëm për nderimin që iu bë atje.

Dukej se më së shumti i kishte bërë përshtypje takimi me James Mattisin, atëherë ende sekretar i mbrojtjes, për të cilin fliste me shumë admirim, si njeri i devotshëm.

Ndonëse i ka shërbyer vendin të tij për 40 vite, thoshte Ramushi, nuk ka krijuar familje as pasuri, porse “uniforma e flamuri i Amerikës ka mbetur e vetmja vlerë e dashuri e tij”.

Kur dikush i shquan aq lart virtytet e një tjetri, është e natyrshme të mendosh se i do edhe për vete. Thashë se prej Amerike na qenka kthyer një Ramush i ri.

Por, jo. Ramushi e vazhdoi qeverisjen me stilin e vjetër – mori ministra pa “rrënjë”, dy dyzina zëvendësministrash e dhjetra këshilltarë koti, ndërsa për bukur shumë milionë nga buxheti publiku kosovar nuk ia ka idenë saktësisht se kah po rrjedhin, ndërsa punësimet nepostiste po vazhdojnë si në ditët më të mira. Në tw vwrtetw, për këto gjëra i ka fajet edhe sistemi tashmë me kohë i instaluar për blerjen e dëgjueshmërisë me pozita e benefite tjeta, të cilin Ramushi as ka vullnet, as do ta ndryshojë.

Gjendja ka ardhur deri aty, sa nuk të vjen kush në qeveri as në parti, pa ia mbushur sqepin e pa ia rehatuar në punë familjen e farefisin, lagjen e fisin. Kur filloi të kundërshtojë lëvizjen e kufijve, që për Hashim Thaçin dukej si një mundësi jetësore e shfaqur befas në horizont, dukej se po Ramushi po e bën lojën patriotike të Kosovës.

Por, deri sa këmbëngulja (a kokëfortësia) e tij arriti deri aty sa një Phiplip Kosnett të thotë se “mos iu dashtë Amerika, atëherë shohim” dhe në një letër të përbashkët, Matthew Palmer, Laura Cooper dhe John Earth, të gjithë me pozita të larta në State Department, të pyesin me habi se si “Kosova e vlerëson miqësinë tonë kaq ulët” dhe “si është e mundur të mos i dëgjoni këshillat tona” – atëherë kosovarët filluan të shtrojnë pyetjen se lojën e kujt është kah e bën Ramushi – të Kosovës, të veten, apo dikujt të tretë?!

Hiq fjalorin e tij jodiplomatik e të pashije, “prishemi”, deri diku kjo edhe mund të ketë një kuptim, sepse në shtyp është dëgjuar edhe teoria se as në administratën amerikane nuk janë të gjithë njëzëri sa i përket ndryshimit të kufijve, thuhet se vetë John Boltoni është mbështës i saj.

Do të mund të supozohej, pra, se se Ramushi ka mentor dikë mu nga adminisrata amerikane, apo edhe dikë nga Evropa, ndonëse këtë mundësi të fundit është zor ta besosh, pasi që edhe Gjermania e Anglia e kanë kërkuar heqjen e taksës dhe vazhdimin e bisedimeve.

Në fund të fundit, Amerika nuk është deklaruar zyrtarisht se e do ndryshimin e kufijve. Madje, duke e parë faktorin tonë politik që as kundërshton as pranon gjë në mënyrë të sinqertë e parimore – shumëkush beson se megjithatë është Amerika ajo, e cila nuk do të lejojë të dëmtohemi as këtë herë. Por, për t’u përgjigjur në pyetjen se çka quajmë Ramush, ndoshta duhet kthyer ‘filmin’ edhe pak më herët.

Në maj të vitit 2017, pas arrestimit të Ramushit në Kolmar të Francës, gazetari dhe analisti i njohur britanik, Tim Judah, për nrydhe njohës i mirë i dreqërive ballkanase, bënte një profeci interesante. “Ka mundësi reale që së shpejti, Daçiq do të jetë kryeministër i Serbisë, kurse Haradinaj i Kosovës.

Fushata e Serbisë e ndihmoi ringjallen e karrierës së Haradinajt”, shkruante asokohe Tim Judah. Pse s’ia qëlloi për Daçiqin, e në vend të tij erdhi Vuçiqi pak ka dallim, ndërsa Ramushin kryeministër po e shohim realitet.

Judah thoshte edhe këtë: “Me Daçiqin dhe Haradinajn si kryeministra të mundshëm të Serbisë dhe Kosovës, po vjen edhe një kohë interesante për dialogun”. Mbase do përkujtuar edhe këtë, se Ramushi, pas kthimit nga Franca, i kërcënonte udhëheqësit serbë Vuçiq e Daçiq, se “do ta marrim deri në Nish”.

Molla e kuqe mitike dukej se s’kish qenë kurrë më afër. Se në çka po merr shenjë Judah e kuptoni, por do të duhej ta kishin lënë mendët krejtësisht Ramushin po të angazohej për ndonjë gjeopolitikë tjetër, deri sa me anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, proces në të cilin ajo ka hyrë pakthyeshëm, përfundimisht tregon se Ballkani Juglindor i përket Perëndimit. Mbetet edhe teoria e Hagës.

Ftesa nga Prokuroria speciale për bashkëpunëtorë të tij të ngushtë është sinjal se dikë mund ta godasë – Ramushin a të vëllain e tij Dautin, besoj se për të është gati si njësoj. Kështu arritëm në një situatë dramatike, ndonëse jo të parrugëdalje.

Administrata amerikane pas gjithë këtij angazhimi sigurisht se nuk do të tërhiqet prapa, Ramushi mund të ndërrohet nga anëtarët e koalicionit, ndërsa marrëdhëniet me Amerikën, ndonëse pas aq shumë fjalësh të rënda më kurrë nuk do të kenë atë virgjërinë që e kishin deri më tash, mund të rikuperohen.

Por, pyetja se lojën e kujt po e bën Ramushi – të Kosovës, të vetën apo, larg qoftë, një të dikujt të tretë – mbetet pa përgjigje. Ndoshta përgjithmonë.

Shperndaje në: