Vrasja e Enver Haradinajt dhe historia e konfliktit me fisin Musaj

Pjesë nga libri ‘HAGA E RAMUSH HARADINAJ’

Nga Michael O’Reilly

Pesë javë pasi Ramush Haradinaj dha dorëheqjen si kryeministër dhe u transferua në burg në Hagë, vëllai i tij Enver u vra. Në orën 3 pasditen e së premtes, datë 15 prill 2005, Enveri po udhëtonte nga shtëpia e prindërve të tij në Gllogjan për në qytetin e Pejës, i shoqëruar nga një mik. Sipas mikut të tij, një Audi i kuq 80 kaloi pranë automjetit të Enverit, në afërsi të fshatit Rausic, dhe një nga pasagjerët qëlloi disa herë. Enveri u plagos për vdekje dhe vdiq pak më vonë atë pasdite. Të gjithë ishin të të njëjtit mendim, se Enveri ishte vëllai më i thjeshtë dhe pa pretendime, ai ishte 25 vjeç kur vdiq. Kishte qenë luftëtar i UÇK-së në luftën e 1998-1999, gjatë së cilës ai pësoi një plagë të rëndë në këmbë që i shkaktoi atij një problem të konsiderueshëm në pjesën tjetër të jetës së tij të shkurtër.

Haradinajt iu dha lirim i përkohshëm për t’u kthyer në Kosovë për të marrë pjesë në funeralin e Enverit, i cili u zhvillua të dielën e 17 prillit. Mbështetësit e tij organizuan një avion privat për ta transportuar atë në Kosovë. Ai u prit në aeroport nga e gjithë qeveria, e drejtuar nga Bajram Kosumi që kishte pasuar atë si kryeminister. Përshëndetjet formale nuk zgjatën më shumë se disa sekonda dhe pastaj të gjithë u grumbulluan në një karvan të gjatë policie, ushtarie e makinash private, të cilat nxitonin drejt fshatit Gllogjan.

Më shumë se njëqind mijë njerëz nga mbarë Kosova u mblodhën në Gllogjan në funeralin e Enver Haradinajt. Atë pasdite, rrjeti i tre rrugëve të vogla në trekëndëshin e formuar nga qytetet e Pejës, Klinës dhe Deçanit ishte jashtë funksionimi, në pamundësi për të përballuar trafikun e madh. Dhjetra mijëra njerëz braktisën automjetet e tyre dhe ecën 20 ose më shumë kilometra për të qenë të pranishëm në varrim. Gjendja e zymtë shoqërohej me re të zeza që kërcënonin për shi gjatë gjithë pasdites. Enveri u varros së bashku me dy vëllezërit e tij të cilët gjithashtu kishin vdekur në një mënyrë të dhunshme: Luani në një pritë serbe në maj të vitit 1997 në moshën 24-vjeçare dhe Shkëlzeni, i cili ishte 29 vjeç kur u vra në një përballje me forcat paraushtarake serbe në prill të vitit 1999.

Në rrethana që nuk mund të ishin më të vështira – vëllai i tij i vrarë në mënyrë të pamëshirshme, dhe ai vetë i akuzuar dhe larguar nga jeta e tij profesionale dhe familjare – Haradinaj mbajti një fjalim të pashkruar me nuanca politike:

“Të gjithë ju të pranishëm sot këtu, që keni ardhur ngado për të ndarë me ne vuajtjen tonë dhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit vëllait tonë Enverit, birit të Kosovës, në emër të familjes Haradinaj ju falenderoj të gjithëve. Kjo mbledhje e jona sot këtu përfshin të gjithë ne, familjet e dëshmorëve të luftës dhe ish-luftëtarëve, përfaqësues të institucioneve më të larta të Kosovës dhe të institucioneve të tjera vendore dhe ndërkombëtare.Gjithashtu, vëllezërit tanë nga Shqipëria, Maqedonia, Presheva, përfaqësues të besimeve fetare dhe organizatave të tjera, ky është një ngushëllim i madh për familjen tonë dhe për të gjithë ata që kanë vuajtur. Kjo që ndodhi ishte shumë e papritur dhe e vështirë. Ajo na ka prekur të gjithëve. Mënyra më e mirë dhe më efektive për të mbrojtur jetën qytetarëve tanë, për të mbrojtur Kosovën, për të siguruar se nuk do të ketë më dhimbje në Kosovë, për asnjë familje shqiptare, për të mbrojtur çdo qytetar të Kosovës, është mbështetja e procesit politik në Kosovë. Ne thjeshtë do të dëmtojmë veten nëse lëkundemi nga vendosmëria jonë për të ndërtuar një Kosovë demokratike, për të ndërtuar lirinë e vërtetë që respekton të gjithë ata që jetojnë këtu, për t’u bërë një shtet i pavarur. Nuk duhet të ketë kthim mbrapa. Ne duhet të vazhdojmë të mbështesim procesin politik në të cilin jemi angazhuar. Dhe ne duhet të përshpejtojmë procesin e integrimit të të gjithë njerëzve tanë. Të gjitha pengesat që kemi kapërcyer, ato me të cilat ende sot përballemi, ato që unë ose kushdo tjetër mund të përballet personalisht, këto janë gjëra të vogla në krahasim me atë që ne jemi duke arritur. Ne nuk duhet të tërhiqemi tani ose të dekurajohemi nga hapat e ndërmarrë deri më tani. Ne mund dhe do të arrijmë fatin tonë. Ne jemi në rrugë të mirë dhe duhet të kujdesemi që ne të bëjmë punën tonë në mënyrë më të mirë. Ju faleminderit të gjithëve. Unë ndaj dhimbjen me të gjithë ju”.

Mesazhi ishte i qartë. Nuk duhej të kishte asnjë reagim të dhunshëm për vdekjen e Enver Haradinajt. Askush nuk duhej të përdorte tragjedinë e fundit si dëshmi se procesi politik po dështonte. Përkundrazi, procesi politik ishte e vetmja rrugë përpara. Kosova do të jetë një vend për të gjithë. Dhuna duhej ndalur dhe vuajtjet e familjeve duhet të merrnin fund.

Kosova po kalonte një provë tjetër atë pasdite, duke iu përgjigjur, për herë të dytë brenda gjashtë javësh, një ngjarje tronditëse, se shteti ligjor dhe institucionet politike demokratike duhet të mbizotërojnë. Pavarësisht urdhërit të tij të drejtpërdrejtë ndaj militantëve të tij, Haradinaj gjithashtu lëshoi një sinjal se tradita e Kanunit gjaku-me-gjak nuk duhej të zbatohej. Asnjë kombinim ngjarjesh nuk do mund të përbënin më kërcënim për prishjen e paqes delikate në Kosovën perëndimore se akt-akuza e kryeministrit hero ndjekur nga vrasja e vëllait të tij. Pak minuta pasi ai u ngrit për të folur, rreziku nga përleshjet e armatosura, i cili kishte përfshirë bashkësinë ndërkombëtare, kishte kaluar. Një fjalë e gabuar gjatë asaj pasditeje, një zemërim i papritur apo edhe një dështim për të thënë atë që duhej mund të kishte shkruar fatkeqësi. Kosova perëndimore ishte në një gjendje të tensionuar. Grupi Ndërkombëtar i Krizave raportoi në muajin që pasoi se:

“Dy komunat më veriore të Dukagjinit, Peja/Pec dhe Deçani, kanë paraqitur rreziqe akute të sigurisë pas akt-akuzës së Haradinaj. Në fillim të prillit 2005, një zyrtar i njohur i UNMIK-ut tha se Peja/ Pec kishte qenë “një telefonatë larg nga katastrofa”. Në fund të dhjetorit 2004 një polic i UNMIK-ut e kishte vërejtur se “realiteti në Pejë dhe Dukagjin është shumë ndryshe nga pjesa tjetër e Kosovës… Mund të shpërthejë për dy minuta… Ne nuk kemi kontakte me popullatën… “Është e pamundur të flitet me shqiptarët tani në Dukagjin”. Por këto kërcënime rrezikonin të përfshinin edhe pjesën tjetër të Kosovës. Ditët e para pas ngritjes së akt-akuzës (ndaj Haradinajt), duket të ketë pasur një lëvizje të madhe armësh nga Peja/Pec në qendrat e tjera urbane, përfshirë edhe Prishtinën… Punëtorët e dyqaneve dhe kioskave në kryeqytet vënë re një fluks të pazakontë burrash “të ashpër dhe të vrazhdë”.

Në këtë atmosferë të tillë të tensionuar dhe të ethshme, një turmë e madhe njerëzish të zakonshëm kërkonin që t’i shprehnin simpatinë dhe solidaritetin e tyre një familjeje që kishte humbur aq shumë. Por më shumë se këtë, ata dëshironin të dëgjonin atë që Ramush Haradinaj kishte për t’ju thënë. Momenti i akt-akuzës së tij kaloi shpejt, dhe në një turbullirë të tillë emocionesh, ku askush nuk ishte i sigurt se çfarë po ndodhte me të vërtetë, nëse procesi politik ishte ende gjallë apo nëse durimi dhe besimi në bashkësinë ndërkombëtare kishte marrë fund. Çfarëdo që Haradinaj tha atë ditë do të përcaktonte qëndrimin ndaj një faze tjetër kritike në historinë e Kosovës.

Deri më sot askush nuk është akuzuar për vrasjen e Enver Haradinajt, por spekulime dhe thashetheme e lidhin atë me vrasjen e Sadik Musajt i cili ishte qëlluar dhe vrarë dy muaj më parë në qytetin e Pejës në Kosovën perëndimore më 2 shkurt 2005, dhe vëllait të tij Xheladin Musaj i cili u vra tre muaj më vonë, më 11 korrik 2005, nga të shtënat nga një makinë, shumë afër vëndit ku u vra Enver Haradinaj. Bazë e të gjithë kësaj, thuhej se ishte një mori vrasjesh disa vjet më parë dhe i një procedim penal i cili u njoh si “Çështja e Dukagjinit”, në të cilën Daut Haradinaj kishte qënë i bashkëpandehur dhe në të cilin Ramushi kishte qënë i dyshuar në fillim. Hetimi u ndërpre nga zyrtarët lokal për t’u rihapur në vitin 2002 nga një prokuror ndërkombëtar.

Rasti kishte të bënte me një pretendim se verën e vitit 1999, menjëherë pas përfundimit të luftës, Daut Haradinaj bashkë me Idriz Balaj (i bashkakuzuar i Ramush Haradinaj në Hagë) dhe dy ushtarë të tjerë të UÇK-së, rrëmbyen pesë burra të cilët ishin të lidhur me FARK-un. Është pohuar se Dauti dhe të tjerët torturuan dhe vranë katër nga pesë burra, një nga të cilët ishte Sinan Musaj, vëllai i Sadik dhe Xheladin Musaj. Personi i pestë, Vesel Muriqi, thuhet se ka arritur të ikë. Muriqi, i afërm i vëllezërve Musaj, ishte dëshmitari kyç i prokurorisë.

Gjyqi ishte një farsë kaotike mes të pandehurve dhe dëshmitarëve që hidhnin fyerje në drejtim të njëritjetrit. Të afërmit e viktimave të supozuar u lejuan të merrnin në pyetje dëshmitarët. Në përfundim të pandehurit u dënuan me dëshminë e Vesel Muriqit i mbijetuari nga incidenti i dyshuar, i cili dha dëshmi kontradiktore në kohë të ndryshme. Nga vetë pranimi i tij, Muriqi nuk e kishte takuar asnjëherë Daut Haradinajn para incidentit të supozuar. Një dëshmitar për Daut Haradinaj, një mjek, dëshmoi se ai nuk mund të kishte goditur viktimat në mënyrën e pretenduar për shkak të një plage të rëndë nga e cila ai nuk ishte rikuperuar në kohën e incidentit të supozuar.

Tahir Zemaj, komandant i FARK-ut në zonën e Ramush Haradinajt gjatë luftës, dha prova për prokurorinë. Sjellja e tij në gjykatë ishte e qetë dhe e respektueshme. Ai nuk kishte asgjë për të thënë në lidhje me Daut Haradinaj dhe thjesht bëri disa kritika ndaj Ramushit, duke thënë se disa nga veprimet e tij gjatë luftës ishin “të papjekura”. Në fillim të janarit të vitit 2003, Zemaj së bashku me djalin dhe nipin e tij u qëlluan dhe u vranë.

Daut Haradinaj u lirua nga akuza për vrasje, por u dënuar për bashkëpunim në ngjarje me pasojë vdekjen. Ai u dënua me pesë vjet burg. Ai me vendosmëri mohon çdo përfshirje apo dijeni në lidhje me ngjarjet. Ai këmbëngul se nuk i kishte takuar asnjëherë viktimat, që nuk kishte pasur asnjë arsye për ti takuar ata, aq më pak ti keqtrajtojnë ata, dhe se ndonëse ai njihte dy prej të bashkë-akuzuarve (Idriz Balaj dhe Bekim Zekaj, dy prej të cilëve luftuan me UÇK-në në afërsi të Gllogjanit), ai nuk kishte asnjë lidhje me ta dhe nuk i kishte takuar asnjëherë më parë. Në fund, gjykata u paraqit me dy versione kontradiktore dhe gjykatësit zgjodhën të besonin versionin e dëshmitarit të prokurorisë, Vesel Muriqi, i cili tha se e kishte shpëtuar nga kthetrat e Idriz Balaj, sepse sipas citimit të gjykatës “ai ishte subjekt i një marrje në pyetje të ngjeshur dhe të lodhshme për dy ditë por ai qëndroi i palëkundur në versionin e tij të ngjarjes”. Dauti u dënua me pesë vjet burg për rolin e tij të dyshuar në rrëmbim. Të akuzuarit e tjerë u akuzuan për vrasje dhe u dënuan deri në 15 vjet.

Fusha e “studimeve të Ballkanit”, e cila u bë e modës pas viteve 1998-1999 të luftës, prodhoi një numër traktatesh akademike mbi hakmarrjen, bazuar në Kanun, vrasjet në Kosovë, të cilat e merrnin konfliktin Musaj-Haradinaj si referencë, duke mos parë asnjëherë përtej dënimit të dyshimtë të Dautiti cili, duhet mbajtur mend, nuk u dënua për asnjë vrasje. Por edhe rradha e vrasjeve deri me vitin 2005 nuk sugjeronte për sulme hakmarrëse. Sinan ishte i pari nga Musajt që u vra dhe më pas u vra vëllai i tij Sadiku pa patur asnjë konflikt me asnjë nga pjestarët e familjes Haradinaj. Duke lënë mënjanë këtë pjesë, teoricienët konspiracionist tregojnë për vrasjet e mëvonshme në fillim të Enver Haradinajt dhe më pas të Xheladin Musajt, njëri pas tjetrit. Mbyllja e hetimit zbuloi se nuk kishte asnjë lidhje mes dy ngjarjeve.

Kishte shumë dëshmitarë në vrasjen e Sadik Musajt në janar të vitit 2005. Nuk mund të kishte qënë më publike se aq, në mes të një rruge të mbushur me njerëz, në mes të ditës. Dokumentet gjyqësore i referohen Sadik Musajt dhe njeriut të dënuar për vrasjen e tij, Atdhe Bekaj, në një takim rastësorë mes tyre ku debatuan ashpër deri në atë pikë ku Bekaj të vriste me pistoletë Musajn. Nuk kishte asnjë fakt që të provonte të kundërtën, që nuk kishim të bënim me një konflikt të çastit, të pa-paramenduar, një akt dhune. Ekzistonin disa prova se Musaj, i cili ishte përshkruar si një njeri “mizor dhe i rrezikshëm”, kishte sulmuar fizikisht Bekaj disa ditë më parë. Nuk ka lidhje dhe nuk ishte askush i dyshuar për ndonjë lidhje mes Atdhe Bekajt dhe çdo anëtari të familjes Haradinaj. Megjithatë dukej se ekzistonte një lidhje me gjyqin e Dukagjinit, por jo me Familjen Haradinaj. Vrasësi i Sadik Musajt ishte, me sa duket, nipi i një burri të quajtur Ramush Ahmetaj, i cili ishte një nga të akuzuarit dhe të dënuarit për vrasjen e vëllait të Sadikut, Sinanit, në vitin 1999. Në qytetin e Pejës, vendasit besojnë se rasti i Sadik Musaj ishte një mosmarrëveshje midis dy kriminelëve vendas.

Në të vërtetë askush nuk u akuzua lidhur me vrasjen e Xheladin Musajt korrikun e vitit 2005. Asnjë pjestar i familjes Haradinaj nuk ishte i dyshuar.

Vrasja e Tahirit Zemajt në vitin 2003 dhe, brenda të njëjtit vit, vrasja e dy oficerëve të policisë mbetën gjithashtu të pazgjidhura. Vdekjeve u është atribuar si shkak rivaliteti mes klaneve konkurruese, gjakmarrja, hakmarrja për tradhtitë gjatë luftës dhe larje hesapesh mes bandave të krimit të organizuar. Ata vazhdojnë të jenë objekt hetimi.

Përsa i përket çështjes Musaj/Muriqi, një hap i rëndësishëm ishte vizita e papritur e Ramush Haradinajt në shtëpinë e Musajt më 7 korrik të vitit 2000. Disa ditë më parë, tre vëllezërit Musaj kishin vizituar babanë e Haradinajt, Hilmi Haradinaj, për t’i kërkuar kthimin e “eshtrave të vëllait të tyre”, sipas zakonit shqiptar, një implikim i qartë ky se dikush, sipas tyre, dinte diçka mbi rrëmbimin dhe vrasjen e vëllait të tyre, Sinanit. Ramush Haradinaj tha se ai dhe Dauti shkuan në shtëpinë e familjes Musaj rreth orës 01:00 për t’u bërë të qartë se në rast se ata, Musajt, kanë diçka për të thënë duhet t’i drejtoheshin atij, Ramushit, dhe jo babait të tij. Ai zbriti nga makina dhe i paarmatosur hyri në oborrin e familjes Musaj dhe thirri, duke u prezantuar me emër, dhe u gjënd përpara një sulmi me granatë. Në përgjigjie, Dauti hapi zjarr (me një armë të licencuar), në errësirë, për të siguruar mbulim ndërkohë që përpiqej të fuste në makinë vëllanë e tij të plagosur rëndë.

Vështirë që kjo të ishte një vrasje me paramendim siç u pretendua më pas. Pas këtij incidenti, Haradinaj deklaroi publikisht se nuk do të kishte hakmarrje për sulmin me granatë ndaj tij. Ai u transportua me një aeroplan të ushtisë amerikane për në Gjermani për të trajtuar plagët e marra gjatë sulmit. Pak javë më vonë ai u kthye në Kosovë dhe dha një intervistë për gazetën Zëri, në të cilën ai e pranoi se kishte gabuar me vizitën natën vonë në shtëpinë e Musajve, duke thënë se:

… ky incident gabimisht po lidhet me ngjarjet e ndodhura pas luftës. Ishte një kaos i vërtetë kur bombardimet e NATO-s përfunduan. Zinxhiri i komandës u prish. Ushtarët, batalionet dhe njësitë speciale, shumë nga Shqipëria, u shpërndanë në mbarë Kosovën dhe zgjodhën të bënin jetën e tyre. Unë nuk di asgjë për ushtarët që mungojnë … Unë nuk di se si ata punuan gjatë periudhës së demilitarizimit, por di që ata asnjëherë nuk u regjistruan në zonën e Dukagjinit në të cilën unë isha komandant, dhe unë gjithashtu mund të dëshmoj faktin se as unë dhe as njerëzit e mi nuk kanë qënë ndonjëherë të përfshirë në ndonjë rrëmbim.

Fjalët e Haradinajt ishin të zgjedhura me kujdes. Ishte një përfundim i qartë se personat e ndaluar kishin marrë vetë ‘drejtimin’ e tyre në ‘kaosin’ e çmilitarizimit dhe një referencë për sjelljen e ‘njësive speciale…nga Shqipëria’. Kjo mund të hidhej poshtë me lehtësi, por ishte e qartë se krimi i organizuar shqiptar ishte duke përfituar nga mangësitë në sigurinë dhe politikën e Kosovës në vitin 1999. Për më tepër, Tahir Zemaj dhe njerëzit e tij qëndruan disa kohë në Shqipëri për tu larguar më pas shtatorin e vitit 1998. Brigada Mërgimi i Zemajt u vendos në Mamurras, në Shqipëri, shumë larg nga kufiri me Kosovën dhe nuk u kthye në Kosovë deri në korrikun e vitit 1999, disa javë pasi luftimet kishin përfunduar. Sigurisht që ata nuk u kthyen për të mbrojtur njerëzit e tyre.

Nuk kishte as edhe një provë të vetme që Ramush Haradinaj kishte bërë apo thënë diçka të gabuar në lidhje me këto ngjarje, përveç vizitës së tij të nxituar natën vonë në shtëpinë e Musajt, gabim ky që për pak sa nuk i kushtoi jetën. Por bashkimi i trilluar i këtyre incidenteve shkaktoi spekullime të mëdha lidhur me karakterin dhe qëndrimin e komandantit gjatë luftës, për të cilin dihej shumë pak. Prokurorët në Hagë shqyrtuan çdo detaj që do të shërbente si dëshmi kriminaliteti, por nuk gjetën asgjë./Mapo

Shperndaje në: