“Histori nga Albanistani”, Corriere della Sera “nxin” faqet për Shqipninë

Trafiqe dhe tregime nga “Albanistani”. Kështu titullohet artikulli i botuem sot në gazetën italiane “Corriere della Sera”, ku trajtohen lidhjet e Shqipnisë me drogën, nivelin e naltë të korrupcionit, pagat e ulëta të policëve dhe grupet kriminale shqiptare që veprojnë nga Europa deri në SHBA.

Në artikullin e Andrea Galli’t, i cili asht botue edhe në faqen e parë të numrit të sotëm të gazetës, flitet për “narko-shtetin”, nji term i përdorun gjanësisht nga opozita shqiptare. “Përkufizimi i “narko-shtetit” ka në themel të tij rregullimet e hesapeve, tonelatat e drogës, krimet e eksponentëve shtetnorë të kamufluem si aksidente rrugore, djemtë që joshen nga kriminelët dhe transformohen në vrasës, lidhje mes politikanëve dhe narkotrafikantëve shqiptarë, e cila nuk mbetet ma vetëm në kuadër të prodhimit të marijuanës, por asht futë edhe në kanalet ndërkombëtare të kokainës, në aleancë me ’ndrangheta’n dhe klanet amerikano-jugore”.

Artikulli në Corriere della Sera flet edhe për “rregullin e pareve”, simbas të cilit niveli i korrupcionit asht aq i naltë tue u kthye në kulturë për shqiptarët. “Nji zakon i përhapun aq shumë, saqë kur nji qytetar ndalohet nga policia për nji kontroll rutinë, ban gati paret. Kurrë nuk i dihet, edhe pse nuk ka krye asnji krim. Nji polic fiton mesatarisht 300 euro në muej. Ndikimi i partive nuk ka të ngjashëm në Europë. Me ndryshimin e pushtetit, ndërrohen edhe kolltuqet, të randësishëm ose jo. Policët e thjeshtë mund të transferohen nga nji anë e vendit në tjetrën. Ato paga mjerane nuk u lejojnë me ble nji kerr, ndërsa mjetet e transportit publik janë të moçme, e kështu ndodh shpesh me i gjetë policët tue ba autostop…”, thuhet ndër të tjera.

Artikulli në fund flet për grupet kriminale shqiptare që ndodhen në gjithë Europën dhe në Amerikë, si në New York, Londër dhe Roterdam, grupe të cilat kontrollojnë trafikun e hashashit dhe kokainës. “Në nji vend ku spikat patriotizmi, me nji ndjenjë të rrallë mikpritje dhe me nji natyrë të mrekullueshme, jetojnë të lirë dheta të kërkuem, të dënuem në Itali por jo të arrestuem. Me 200 mijë euro mundet me u fitue pandëshkueshmënia e përjetshme”, përmbyllet artikulli i “Corriere della Sera”.

Shperndaje në: