“Qe çka ishte tue ba Adem Jashari kur ra dëshmor, kështu e kuptuem që u vra”

Në kuadër të Epopesë së UÇK’s, e cila po mbahet me 5, 6 dhe 7 Mars, qytetarë të shumtë po e vizitojnë Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Ciceroni i Kompleksit Memorial, Xhevat Imeri, i cili po shoqnon këta vizitorë, ka rrëfye ranien e familjes Jashari.

Ai për Telegrafin ka thanë se ky Mars sjell kujtime të hidhuna, por edhe krenare.

Tash e 21 vite më parë meqenëse lidhen 5,6,7 mars, është vendi, kulla, ajo pjesë që nga mbetur nga ajo kohë. E gjithë ajo luftë e zhvilluar këtu sot ka gjurmë pas 21 vitesh. Kanë mbetur gjurmët e rezistencës, të granatimeve, predhat, goditjet që kanë ardhur. Këtu është objekti ku është bërë jeta e Jasharajve. Këta në atë kohë njiheshin si familje e pasur, por nuk e kishin lirinë. Familja kishin gjuhë të përbashkët, dhe kanë ardhur në përfundim që edhe po të kesh pasurinë e botës, po se ke lirinë, atëherë s’ke asgjë”, ka thanë Imeri.

Imeri ka tregue sulmet e para që i ishin ba familjes Jashari.

“Ajo çka bie në sy është bodrumi i shtëpisë. Tek sulmet e para që kanë qenë më të lehta, gra edhe fëmijë kanë qenë të pozicionuar aty. Kanë ardhur goditje nga të gjitha anët, ka pasur kamera ku është bërë monitorimi i familjes. Në momentin kur ka ndodhur ngjarja, ka pasur lëvizje më të shpeshta. Dhe gjuajtja që erdhi vije mbrapa bodrumit është fatalja. E vetmja është Besarta ajo që i mbijeton asaj gjuajtje, e cila shkon në kuzhinë dhe i kalon tërë ato momente të luftës. Derisa ajo qëndronte e fshehur aty, pjesa e familjes të cilët ishin të plagosur i kërkonin ujë të pinin, por që ajo thotë se ishte përpjekur t’ua dërgonte mirëpo nuk kishte pasur guxim. Kështu fatkeqësisht me kohë familja vdesin. Pasi hyjnë forcat e shohin se a është vrarë Adem Jashari, e marrin Besartën, dhe në atë moment ishte Blerina 7 vjeçare e cila kishte mbetur gjallë e plagosur”, ka tregue ai.

Simbas tij, forcat serbe mbasi që e kanë marr Besartën i kishin kqyrë të gjitha kufomat me të.

“Të gjitha kufomat ata i kanë shoqëruar me Besartën përdore që ta shkatërronin psiqikisht, sepse ajo ishte 11 vjeçare. Me kalimin e kohës e kanë dërguar në Fabrikë të Municionit ku e kanë keqtrajtuar në mënyrë psiqike. Më vonë e kanë liruar ku e kanë dërguar në Skënderaj”, asht shprehë ai.

Imeri ka tregue edhe ranien e komandantit Adem Jashari.

Ai ka thanë se Ademi asht vra me kangë.

Në ahrije dhe shtallë, kanë qenë pozicionet e Adem Jasharit, dhe Osman Gecit nga Llausha daja i tij. Ata erdhën vonë atë natë në orë 12:00 nga fshati Ticë që ka qenë spitali ushtarak. Erdhën në familje dhe gjatë asaj kohë sa po bëheshin luftimet Shabani dhe Osmani janë vrarë në Odë. Në shtëpinë afër Odës është vrarë Hamza, i cili ka qenë i goditur me armatim të rëndë në gjoks. Adem Jashari, sipas Besartës është vrarë përball derës së bodrumit, dhe është vrarë i parafundit në familje. Besarta thotë se lufta shoqërohej me këngë për t’iu dhënë kurajo dhe moral. Ajo thotë se në momentin që është ndal kënga e ka kuptuar që është vrarë Adem Jashari”, ka thënë ai duke treguar se tani ky memorial ka vizitorë të shumtë. Kemi vizitorë nga të gjitha vendet, dhe nga jashtë Kosovë. Kontributi i kësaj familje dhe i dëshmorëve tanë që dhanë dhënë jetën dhe gjakun kanë bërë që ne ta e jetojmë këtë liri”, ka thanë ai.

Shperndaje në: