Ministri Ismaili tregon se n’çfarë situate asht Kosova mbas vizitës së David Hale

David Hale, zv/Sekretar i Departamentit Amerikan të Shtetit për Çashtje Politike, vizitoi te Shtunen Kosovën me nji mision të qartë: zhbllokimin e situatës së krijueme me taksën, e cila po ndërlikon jo vetëm dialogun, por po rrezikon edhe raportet SHBA-Kosovë dhe interesat e të dyja vendeve, percjell Gazeta Metro. 

Hale, ne nji takim të përbashkët me Presidentin Hashim Thaçi, Kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe Kryeministrin Ramush Haradinaj, ka kërkue suspendimin e taksës dhe lëvizjen përpara për arritjen e nji marrëveshjeje gjithëpërfshimëse mes Kosovës dhe Serbisë, tue thanë se SHBA e sheh këtë si momentum të duhun.

Ndërkohë, mediat kanë raportue se ky takim, i mbajtun në Rezidencën e Ambasadorit Amerikan, Philip Kosnett, ka qenë i randë, mbasi që Haradinaj nuk ka pranue as kësaj here t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës amerikane, ndërkohë që Thaçi dhe Veseli janë pozicionue përkrah SHBA’ve. 

Këshilltari i Haradinajt, Avni Arifi, tue komentue raportimet për konfrontimet e liderëve përballë zyrtarëve amerikanë, ka thanë se ato nuk i shërbejnë zgjidhjes së kësaj situate dhe e damtojnë Kosovën.

I pyetun nëse ky takim i Hale me liderët kosovarë ka qenë i randë, nënkryetari i PDK’s, Uran Ismaili, ka folë për Gazeta Metro dhe tha se nuk e di nëse ka qenë i tillë. Por, ai ka shtue se ka mundësi që ka qenë i tillë për këshilltarët e Kryeministrit për nji tjetër arsye.

“Takimi mund të konsiderohet i vështirë nga vartësit e Kryeministrit, sepse janë në nji pozicion të kundërt me kërkesat e Shteteve të Bashkueme të Amerikës”, ka thanë Ismaili për Gazetën Metro. “Nëse ka qenë takim i vështirë, nuk asht lajm i mirë për Kosovën. Takimet me administratën e SHBA’ve, si aleati jonë kryesor në arritjen e lirisë, pamvarësisë dhe shtetndërtimin e Kosovës, gjithmonë kanë qenë të mirëseardhuna. Kjo asht hera e parë që takimet tona me zyrtarët amerikanë po konsiderohen të randa dhe ky vërtet asht lajm i keq”, ka shtue ai.

Zyrtarë të shumtë amerikanë, përfshi Presidentin Doland Trump, insistojnë në suspendimin e përkohshëm të taksës dhe fillimin e procesit për arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, tue e konsiderue këtë edhe si nji interes të tyne strategjik në Ballkan.

E gjetun përpara nji situate kur kredibiliteti i saj po vihet në pikëpyetje, SHBA thuhet se nuk do të ketë durim të pakufishëm dhe kërkon që kjo çashtje të zgjidhet sa ma shpejtë. 

“Mendojmë se Kosova ndodhet para nji hapi kritik që ka të bajë me nji të ardhme me ma shumë mirëqenie. Marrëveshja gjithëpërfshimëse dhe e dobishme mes Serbisë dhe Kosovës asht rruga me arritë këtë të ardhme, me zotimin për njohje reciproke në thelb të saj”, ka thënë David Hale për mediat kosovare mbas takimit.

Ai, po ashtu ka rikujtue se Presidenti Trump iu ka dërgue letë udhëheqësve kosovarë dhe ka kërkue nga ta që të flasin njizani. 

 

/GazetaMetro/

Shperndaje në: