Qe kufijt e Shqipnise Etnike (dokument). Artikulli i plote

Punimi i profesor Ahmet Gashit për Shqipninë etnike dhe harta e Shqipnisë së Vërtetë

Në Arkivin Qendror të Shtetit, Tiranë, në Fondin 144 – Koleksioni i hartave, administrohet dosja nr. 3, me afat ruajtje të përhershëm, me 42 fletë, e cila përmban hartën Shqipnija e Vërtetë, punuar nga Prof. Ahmet Gashi, si dhe një studim të tij me titull Shqipnija ethnike edhe vuajtjet e shqiptarëve në Shqipnin e robnueme, përgatitur më 1941. Në kohën e përgatitjes së këtij studimi, prof. Ahmet Gashi, së bashku me Hamit Kokalarin, Hamdi Karazin dhe Memduh Rivenin, ishte pjesë e stafit teknik të Komisionit për Rivendikime Shqiptare, që kryesohej nga Fejzi Alizoti. Kontribut teknik pranë këtij komisioni dhanë dhe personalitete të tjera shqiptare, si Mehdi Frashëri, Dhimitër Berati, Ferhat bej Draga, Tahir Shtylla, Rauf Fico etj. Rrethanat dhe arsyet e përgatitjes së këtij studimi do të jenë objekt i një publikimi tjetër.

Prof. Ahmet Gashi (1888-1977) – Veprimtar i lëvizjes dhe i arsimit, gjeograf dhe historian, Mësues i Popullit, lindi në Prishtinë në një familje me tradita patriotike. Pasi mbaroi Normalen e Shkupit, u diplomua Profesor i Historisë e Gjeografisë në Universitetin e Stambollit (1910). Nga viti 1910 – 1964 ka punuar si mësues në Normalen e Prishtinës, Normalen e Elbasanit, Institutin Femëror “Nâna Mbretneshë”, Gjimnazin “Sami Frashëri” Prishtinë, në shkolla të niveleve të ndryshme në Tiranë.

Ahmet Gashi ka dhënë ndihmesë si autor i një sërë veprash shkencore në fushën e studimeve dhe të teksteve të gjeografisë. Ahmet Gashi ishte i pari gjeograf shqiptar i pranuar si anëtar i Shoqatës Nacionale Gjeografike (The National Geographic Society, Washington D.C.) më 1936; është dekoruar me “Urdhërin e Lirisë” të kl. I, me Urdhrin “Për veprimtari patriotike” të kl.I. Përpiloi dhe botoi disa harta gjeografike dhe historike, ndër to hartën “Shqipëria në vitet 1878-1881”, “Kryengritjet shqiptare për pavarësi në vitet 1909-1912”, “Lëvizja kombëtare shqiptare e vitit 1908”.

Harta Shqipnija e Vërtetë paraqet shtrirjen etnike të shqiptarëve në shkallën 1 me 200 000 dhe shoqërohet me studimin e Prof. A. Gashit: Shqipnija ethnike edhe vuajtjet e shqiptarëve në Shqipnin e robnueme, nga i cili po paraqesim pjesët kryesore për lexuesin e gazetës “Mapo”, duke ruajtur gjuhën origjinale të dokumentit. Kujtojmë se pas kapitullimit të Jugosllavisë, në prill 1941, Mbretëria Shqiptare u zgjerua në një pjesë të trojeve shqiptare të shtrira në Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi, ku shtriu dhe veprimin e pushtetit politik, ushtarak dhe administrativ.

Vlera e këtij studimi është e shumëfishtë dhe aktuale, në një kohë kur diskutimet, kundërshtitë, argumentet dhe kundërargumentet për korrigjimin e kufirit Kosovë-Serbi, apo shkëmbime territori janë intensifikuar në Kosovë, Serbi, Shqipëri, Europë, SHBA etj.

Në vijim ndiqni pjesë nga studimi.

Kufijt e Shqipnis Ethnike 

  1. Kufini perëndimuer.

Në këtë anë Shqipnija Ethnike laget me detin e Jonisë dhe me atë të Adriatikut, qysh prej Prevezës (38057 gjerësi veriake) e deri te sqepi i Luftës së Zezë (Crnirat) mbi gjiun e Spizzes (4208 gjerësi veriake). Gjatësia e brigjeve në këtë anë është 651 km. 

  1. Kufini veri-perëndimuer

Ky kufi fillon të sqepi i Luftës së Zezë (Crnirat) në bregun e Adriatikut dhe mbaron te maja e Jankovit (43020 gjerësi veriake dhe 37056gjatësi lindore prej Ferro-s)

Vija e këtij kufini fillon, si u tha, te sqepi i Luftës së Zezë edhe tue kaluem nëpër majat e qafat e shënueme me numurat 157, 927, 646, 1183, 844, 1160 e 993, mbërrin te sqepi i Radushit në bregun e Liqenit të Shkodrës, me një drejtim deri këtu J.P.-V.L. (këto shënime ndiqen mbas hartës me shkallë 1/200 000 të K.U.K Militargeographisches Institut, Wien 1909). Kjo vijë, nëpër Liqenin e Shkodrës, drejtohet nga veri-perëndimi prej sqepit të Radushit e deri te goja e lumit të Moraçës, edhe e len Vraninën mbrenda në Shqipni. Prej gojës së atij lumi e mbasandej i ngjitet kreshtës së maleve të Bobinjës (Bobonja Gore), shkon me këtë, zbret nëpër qafat e atyne maleve dhe e këput rrugën Podgoricë-Cetinjë në kuotën 222. Prej këndej shkon nëpër kuotat 439 e 375 (afër Buronjës) edhe, si bân një brryl të mprehtë në majën 620 (mali i Busonikut) kthen nga veriperëndimi deri në katundin e Komonit, të cilin e merr mbrenda në Shqipni. Prej këtu vija ngjitet nga veriu i len përjashta katundet e Bandiçit, të Melencit e të Donjit, kthen nga verilindja tue marrë përmbrenda katundet e Jestrebit e të Donje-Selos, mbërrin te maja 212 në perëndim të katundit të Gliziça-s edhe shkon deri te kuota 905 në veri të katundit të Gostiljes. Prej këndej varet drejt juglindjes tue ndjekun kreshtat e malit të Piprit (Piperska), sos te maja 479 në veri të katundit të Shtijena-s, kthen mandej nga lindja edhe, pranë katundeve të Petroviçit e të Blizna-s, të cilët i fut mbrenda kufinit, pjek me lumin e Moraçës, të cilin e ndjek nga veriu deri në majën e Buljes (190) në jug të katundit të Dumaçina-s. Prej këndej te vija e kufinit ndjek përronin e Sjevernica-s, kalon malet e Gradishtës deri në Ostrovicë (1167) edhe e këput më tutje lumin e Tara-s pranë kuotës 1025 për me u zgjatun nga verilindja ndërmjet maleve të Bukovës e të Reçinës; mbasandej shkon tue u ngjitun kreshtave të malit të Planinica-s deri në Piolljan (1900), 10 km në lindje të Kolashinit, ngjitet nga veriu tue kaluem nëpër kuotat 1145, 1106 e Bjolavicë (2117) edhe mbërrin në Kryezi (Crna Glava). Prej këndej e deri te maja e Marinkova-s (1950), vija e kufinit ndjek një pjesë të kufinit të vjetër turko-malazez para 1912-ës. Në Marinkovë dredhon pak nga verilindja, kalon nga lindja e katundve të Rakitnica-s e të Noviçit hypen në kuotën 581, bân një bërryl të mprehtë, shkon drejt veriut tue marrë katundet e Tripishica-s te Nikolacit përmbrenda e tue lânë përjashta qytetin e Bjolopoljes (Akova), ndjek gjithnjë lumin e Limit deri te katundi i Metanacit të cilin e len jashtë edhe mbasandej merr nga verilindja nëpër kreshtat e maleve të Gimçeva-s, të Duboçiça-s, të Visoçka-s e Treshnjevica-s e mbërrin në kuotën 950, mu te karakolli i Trebinjës në veriperëndim të pllajës së Peshterit. Prej këndej vija merr nga lindja gjithnjë përmbi kreshtën e maleve të Trebinjës, deri te përroni i Jablanicës, kalon përmbi katundin e Rezhdeginjes (Rezh dagiç), të cilin e fut përmbrenda, drejtohet nga verilindja tue ndjekë përronin e Kijevca-s edhe atë të Klisara-s që bashkohet me të parin, kalon përmbi Kokoshiçin, mbërrin në katundin e Bernjices edhe pjek (takon), në kullën e Osman Pashës, me kufinin e vjetër turko-serb para 1912-ës, të cilin e ndjek te maja e Jankovit (1931). Këtu mbaron kufini veriperëndimuer i Shqipnisë Ethnike.

Gjatësia e kufinit veriperëndimuer është 170 km, me vija ajrore dhe afër 220 km tue shkue mbas vijave të shtrembta të kufinit. Kjo vijë përmbledh krahinat shqiptare të humbuna më 1878 të Ulqinit, të Tivarit, të Podgoricës (Zetes-s), Hotit, Grudës, Kuçit, Triepshit, Piprit, Plavës, Gucines, Beranes, Bistricës, Pejës, Rugovës, Rozhajës, Peshterit e Pomerenikut. 

  1. Kufini veri-linduer

Kjo pjesë e kufinit të Shqipnisë Ethnike shtrihet prej majës së Jankovit deri në Gradnja (42042gjânësi veriake edhe 39032 gjatësi lindore prej Ferro-s).

Në rast se nuk do të kërkohen tokat shqiptare të krahinave të Kurshumlis, të Prokupjes e të Leskovces, të ish-vilajetit të Nishit, që na kanë marrë serbët më 1878, vija e kufinit ndjek, njâ 230 km, deri në Trstene (952), vijën e kufinit të vjetër turko-serb para luftës Ballkanike të 1912-ës; kjo gjatësi e kufinit turko-serb nuk po shpjegohet këtu, mbasi edhe dihet prej të gjithëvet. Kjo vijë përmbledh kufinin me Serbinë të prefekturave të Jenipazarit (Novipazarit) e të Prishtinës, ose Dukagjinit (shih fjalorin e Bardhit shkruar më 1650) simbas të ndameve të Perandorisë Osmane. Trstene, vend ku ndahet vija e kufinit të Shqipnis ethnike prej kufinit të vjetër turko-serb, ndodhet 46 km, në lindje të Prishtinës me vijë ajrore ose 36 km në veri-lindje të Gjilanit. Tash vija e kufinit qysh prej Trstena-s e deri në Gradnja (afër 10 km e gjatë) ndjek së pari drejtimin e lindjes deri në katundet e Vlases e të Gradnja-s ku dhe mbaron.

Kjo vijë e kufinit verilinduer përmbledh të tânë krahinën e ish-prefekturave të Jenipazarit e të Prishtinës të humbuna më 1912 edhe një pjesë të kazasë së Vranjës të humbuna më 1878, me qytetet e Jenipazarit, të Mitrovicës, Vuçiternit, Prishtinës, Podujevës, Ferizajt, Gjilanit etj.

Në rast se kanë me u kërkue tokat shqiptare, të humbuna më 1878, të krahinave të Kurshumlis, të Prokupjes e të Leskovces (sikundër po kërkohen krahinat e Tivarit, të Ulqinit, të Podgoricës, të Vranjës etj.), atëherë kufini veri-linduer ndërron trajtë. Kjo vijë kufini për të tri krahinat e përmenduna në tokë thjesht shqiptare deri më 1878, e shënueme në hartat e paraqituna me vija të këputuna, ndahet prej vijës së kufinit veri-linduer në majën e Tumba-s (1471), në veri të katundit të Beloçiça-s së Kopanikut, ndjek së pari përronin e Lukovska-s deri në Mercez, mbasandej kalon nëpër Magove e mbërrin deri në majën 1003. Prej këndej fillon ta ndajë lagjen e lumit të Toplica-s prej lumejvet të tjerë të Serbisë, kalon në kuotat 1225, 1124, 900, 712, 780, 888, nga karakolli i Turqisë (Karakol Turska) kuotat 1191 e 1205, ndjek kreshtën e maleve të Sestrebacit të Madh nëpër kuotat 1400, 1566, 1564, 1255, 1111, 872 edhe kreshtën e Jastrebacit të vogël në kuotat 727 e 1001, varet nga jugelindja nëpër kuoten 846, mbasandej ndjek përronin e Marosinskesve dhe në këtë drejtim shtyhet deri në Moravë edhe takon në këtë lumë pranë Batushnicës. Prej këtu, vija e kufinit ecën gjatë Moravës afër 70 km, deri në Manalje (42045’ gjânësi veriake). Prej këndej shkon nga lindja e katundeve të Kerzinces, të Zitoragjes, të Alakincit, të Surdulica-s Romanovcës së Poshtme, edhe në kuotën 1389 kalon malin e Verdenikut; mbasandej kthen nga jugperëndimi nëpër Vërlostranje (1357), Borovik (1235), (1280), Prisedo (950), Klisurica (1162), 998, 810, Dajkina (820) edhe mbaron në Tibuzhde. Gjatësia e kësaj vije të kufinit mban afër 216 km. Prej majës së Jankovit deri në Tumba është 96 km. Po t’i shtohet edhe kjo gjatësi atëherë kufini veriak i Shqipnisë Ethnike bëhet 312 km i gjatë.

Kjo vijë e kufinit përmbledh qytetet e Kurshumlisë, të Prokupjes (Yrqyp), të Leskovcës e të Vranjës, bashkë me katundet e kazave të tyne.

Shënim i A.Gashit: Lugina dhe e tânë lagjeja e lumit të Toplica-s deri më 1878 ka qenë me katunde e qytete thjesht shqiptare. Në këtë luginë ndodheshin atëherë tre qytete: Kurshumlija, Prokupja dhe Leskovca. Afër 100 000 banorë të këtyne anëve, të solvuem egër prej serbëvet ikën prej andej dhe u vendosën në viset e ndryshme të Kosovës, ku ndodheshin edhe sot ndër ta pleq që i kujtojnë vendet e veta me mallëngjim.

  1. Kufini linduer

Kufini linduer i Shqipnisë Ethnike fillon në Gradnja (42042 gjanësi veriake edhe 39032 gjatësi lindore prej Ferro-s) edhe mbaron në këndin ku bashkohet lumi i Venetiko-s me lumin e Vistrices (39011 gjatësi lindore prej Ferro-s edhe 4003 gjanësi veriake), me gjatësi afër 342 km. Kjo vijë e kufinit linduer fillon, si thamë, me Gradnje e shkon pranë katundeve të Ushecves e të Sikirijes, të cilët i merr përmbrenda, edhe nëpër majat 961, 1320 e 1226 mbasandej vjen nga katundet e Obliçka-Sena-s, të Mostanices e Asatices, që i merr në Shqipni, kalon udhën e hekurt Beligrad-Shkup, shkon nga lindja e banjave të Vranjes (Vranjska Banja) e të Dugatuka-s, kthen nga jugperëndimi edhe shkon nëpër kuotat 810 e 826 deri në Tribuzhdo, të cilën e len në Shqipni. Prej këtu kalon nga veriu i Trebashinjës e shkon në Drovac, varet nga jugu nëpër majat 595, 1515, 529, 903 (në Jablanicë) edhe ndjek lumin e Pçinja-s deri në vendin ku bashkohet me këtë prroni i Kratovës. Mbas kësaj pike, kufini shkon nga juglindja deri në majën 750 e prej këndej dredhon nga jugperëndimi deri në Badere (Bahader), ku piqet prapë në lumin e Pçinjes, të cilin e ndjek deri në vendin ku bashkohet ky me Vardarin, e mbasandej ndjek lumin e Vardarit për njâ 12 km deri afër katundit të Poshaqoit. Prej këndej kufini kthen e largohet e largohet nga Vardari (nga e djathta), shkon nëpër kodrinat e Hazotit ose Hasit tue e lânë Velesin (Qypryly) përjashta, ecën njâ 4 km me përronin e Topolkës e mbasandej zbret prap në Vardar, të cilin e ndjek deri në vendin ku bashkohet me këtë përroni i Babunes. Qysh këtu vija e kufinit tonë drejtohet nga Jugu deri te maja e Klepa-s (1180); prej këndej kthen nga lindja në jug të Pustogradit edhe pjek me Ujin e Zi (Crne Voda-Karasu), të cilin e ndjek gjithnji (afër 86 km) deri ku bashkohet me këtë përroni i vogël i Stroshnicës.

Prej këndej vija bân një brryl tue ndjekë kreshten e malit të Sterkos, varet nga Jugu, shkon nga lindja e Stera Popadija-s kalon kuotën 1 000, mbërrin në Poteli dhe ndjek deri në Sotir udhën e hekurt që lidhë Selanikun me Manastirin, tue lânë në Shqipni këto pjesë të udhës së hekurt si edhe Panteliun dhe Sotirin. Mbas këtij vendi shkon me përroin e Rudnikut, mbërrin me kalue përmes liqenit me këtë emën (Rudnik), hypën mbasandej nëpër majat 768, 1371, 1838, 1250, shkon nga lindja e Leshnicës edhe pjek me lumin e Bistricës në veri të Melzonices. Me Bistricen ecen njâ 40 km deri në vendin ku bashkohet kjo me degën e vet të Venetikos.

Kjo vijë e kufinit linduer të Shqipnis ethnike përmbledh krahinat lindore shqiptare të humbuna mbas luftës së Ballkanit më 1912. Këto krahina kanë këto qytete bashkë me kazatë e tyne: Jakovën, Prizrenin, Kaçanikun, Vranjen (humbur më 1878), Gostivarin, Tetovën, Shkupin, Kumanovën, Preshevën, Dibrën, Kërçovën, Strugen, Ohrin, Krushevën, Perlepin, Resnën, Manastirin, Follorinën, Kosturin, Naseliçen dhe Grebenenë.

  1. Kufini jug-linduer

Vija e kufinit jug-linduer nis qysh prej vendit ku bashkohet lumi i Bistricës me kâmbën e vet të Venetiko-sve dhe mbaron te goja e lumit të Artës (38042gjatësi lindore 3901 gjânësi veriake) me një gjatësi pothuajse 180 km. Kjo vijë e kufinit prej vendit që u përmend shkon me lumin e Venetiko-s deri në majën 549, mbasandej, tue shkue drejt jugës mbas rrjedhës së një përroni që âshtë degë e Venetiko-s, kalon nga lindja e Kipurjos e shkon gjithnjë nga juga mbas atij prroni deri në Fonike (1288), ku pjek me kufirin e vjetër turko-grek të para 1912-ës, të cilin e ndjek deri te goja e Artës.

Kjo vijë përmbledh krahinat shqiptare jug-lindore të humbuna më 1912. Këto krahina kanë për qendra qytetet e Konicës, të Janinës e të Meçovës.

  1. Kufini juguer

Kjo pjesë e kufinit të Shqipërisë ethnike përbâhet prej brigjeve të gjiut të Artës. Këto brigje të përthyeme tepër kanë një gjatësi pothuajse 93 km, qysh prej gojës së lumit të Artës e deri te qyteti i Prevezës.

Kjo vijë përfshin krahinën e Pogonit me qytetin e Voshtinës edhe krahinat e Sulit e të Çamëris me qytetet e Filatit, të Ajdonatit, të Margëllëçit, Pargës, Lurosit, Filipiadhës e të Prevezës.

(Vijon ne numrin e ardhshem. Përgatiti: Veli Haklaj. MAPO)

VIJON NGA NUMRI I DJESHËM

Në Arkivin Qendror të Shtetit, Tiranë, në Fondin 144 – Koleksioni i hartave, administrohet dosja nr. 3, me afat ruajtje të përhershëm, me 42 fletë, e cila përmban hartën Shqipnija e Vërtetë, punuar nga Prof. Ahmet Gashi, si dhe një studim të tij me titull Shqipnija ethnike edhe vuajtjet e shqiptarëve në Shqipnin e robnueme, përgatitur më 1941. Në kohën e përgatitjes së këtij studimi, prof. Ahmet Gashi, së bashku me Hamit Kokalarin, Hamdi Karazin dhe Memduh Rivenin, ishte pjesë e stafit teknik të Komisonit për Rivendikime Shqiptare, që kryesohej nga Fejzi Alizoti. Kontribut teknik pranë këtij komisioni dhanë dhe personalitete të tjera shqiptare, si Mehdi Frashëri, Dhimitër Berati, Ferhat bej Draga, Tahir Shtylla, Rauf Fico etj. Rrethanat dhe arsyet e përgatitjes së këtij studime do të jenë objekt i një publikimi tjetër.

Prof. Ahmet Gashi (1888-1977) – Veprimtar i lëvizjes dhe i arsimit, gjeograf dhe historian, Mësues i Popullit, lindi në Prishtinë në një familje me tradita patriotike. Pasi mbaroi Normalen e Shkupit, u diplomua Profesor i Historisë e Gjeografisë në Universitetin e Stambollit (1910). Nga viti 1910 – 1964 ka punuar si mësues në Normalen e Prishtinës, Normalen e Elbasanit, Institutin Femëror “Nâna Mbretneshë”, Gjimnazin “Sami Frashëri” Prishtinë, në shkolla të niveleve të ndryshme në Tiranë.

Ahmet Gashi ka dhënë ndihmesë si autor i një sërë veprash shkencore në fushën e studimeve dhe të teksteve të gjeografisë. Ahmet Gashi ishte i pari gjeograf shqiptar i pranuar si anëtar i Shoqatës Nacionale Gjeografike (The National Geographic Society, Washington D.C.) më 1936; është dekoruar me “Urdhërin e Lirisë” të kl. I, me Urdhërin “Për veprimtari patriotike” të kl.I. Përpiloi dhe botoi disa harta gjeografike dhe historike, ndër to hartën “Shqipëria në vitet 1878-1881”, “Kryengritjet shqiptare për pavarësi në vitet 1909-1912”, “Lëvizja kombëtare shqiptare e vitit 1908”.

Harta Shqipnija e Vërtetë paraqet shtrirjen etnike të shqiptarëve në shkallën 1 me 200 000 dhe shoqërohet me studimin e Prof. A. Gashit: Shqipnija ethnike edhe vuajtjet e shqiptarëve në Shqipnin e robnueme, nga i cili po paraqesim pjesët kryesore për lexuesin e gazetës “Mapo”, duke ruajtur gjuhën origjinale të dokumentit. Kujtojmë se pas kapitullimit të Jugosllavisë, në prill 1941, Mbretëria Shqiptare u zgjerua në një pjesë të trojeve shqiptare të shtrira në Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi, ku shtriu dhe veprimin e pushtetit politik, ushtarak dhe administrativ.

Vlera e këtij studimi është e shumëfishtë dhe aktuale, në një kohë kur diskutimet, kundërshtitë, argumentet dhe kundërargumentet për korigjimin e kufirit Kosovë-Serbi, apo shkëmbime territori janë intensifikuar në Kosovë, Serbi, Shqipëri, Evropë, ShBA etj.

Në vijim ndiqni pjesë nga studimi.

***

Masa e dytë për fikjen ekonomikisht të elementit shqiptar muhamedan të mbetun në pjesën e Shqipnis së robnueme ndën Greqin, ishte konfiskimi i trojeve të tyre bujqësore. Qeverija greke, kinse për qëllimet e reformës agrare, pat hartue disa ligje. Këto ligje të hartueme me mjeshtëri të posaçme u zbatuen vetëm për tokat e elementit shqiptar muhamedanë e jo kurrë ndonjëherë për elementin grek të shtetit grek. Në këtë mënyrë djallëzore autoritetet greke duke u mbështetun mbi ato ligje e nxirrshin shqiptarin nga toka e vet pa i pague asgjë ose tue i pague një çmim pa vleftë. Tokat shqiptare të grabituna u jepeshin falas grekëve të sjellun prej visesh të tjera. Shqiptari i mbetun keq nuk mund të përmbahesh mâ, nuk mund të ushqente më fëmijët e vet e kështu shtërngohesh me dhimbje zemre me i lanë trojet, votrat edhe varrezat e stërgjyshëve e me emigrue në Shqipnin e lirë ose në Turqi.

Qeveritarët grekë, kur panë se nuk mund të zhdukesh një popull i tânë me masakrime, filluen me masat që përmendëm ma naltë t’i dëshpërojnë shqiptarët muhamedanë tue u grabitun tokat bujqësore. Veç kësaj, u vunë taksa të rënda e të papagueshme e kështu i fikën fare ekonomikisht. Këta të shkretë të dëshpëruar e të vorfënuem humbën çdo shpresë jetese e u shtrënguen të emigrojnë, shumë për në Turqi (pse ashtu dojshin autoritetet greke) edhe një pakicë në Shqipni (sepse pengoheshin me të gjitha mënyrat prej autoriteteve greke).

Deri më 1923, si thamë edhe më naltë, në periudha të ndryshme qenë të shtrënguem të ikin për në Turqi edhe gjetiu shumë mijë familjesh shqiptare të krahinave të ndryshme, si të Voshtinës, Filatit, Margëllëçit, të Prevezës, të Janinës e të tjera. Shumica e tyre shkuen mbas shtërngatës së tmerrshme të barbarizmave të Luftës Ballkanike të 1912-ës.

Më 1923, mbas luftës turko-greke, qe lidhun Traktati i Lausanne-s ndërmjet Turqisë dhe Greqisë. Në këtë traktat, veç të tjerash, ishte edhe puna e shkëmbimit të pakicave. Greqia muer 1 500 000 ortodoksë turq, tue i quejtun këta grekë pse ishin ortodoksë. Në vend të këtyne çoi në Turqi qindra mijë muhamedanë, shumica e tyne jo nga raca e verdhë turke, por nga raca e bardhë. Ndër këta që u çuen me përdhuni në Turqi ndodheshin më se 20 000 familje shqiptarësh që nuk dinin asnjë fjalë turqisht. Sadoqë këta u ankuan për këto padrejtësi pranë Komitetit të Shkëmbimeve që ndodhej me qendër në Stamboll, asnjëherë nuk iu muer parasysh ankimi, pse anëtarët e atij komisoni përbaheshin prej njerëzish të porositun prej qeverive të tyne të mos ua vinin veshin ankimeve të drejta të shqiptarëve. Kështu pra kemi humbun me qindra mijë frymë shqiptarësh nga Shqipnija e Jugut e pushtueme prej Greqisë me politikën e saj djallëzore. Sot këta shqiptarë të Shqipnisë së Jugut, të çuem me përdhuni në Turqi bashkë me vllaznit e tyne të Shqipnisë veriore e lindore, i kujtojnë me mallëngjim trojet  e tyne, i vajtojnë vllaznit e të njoftunit e tyne të masakruem barbarisht prej serbëve e grekëve dhe presin gjithnjë që të vijë Dita e Drejtësisë, në të cilën ta shohin të liruem mëmedheun e vet e t’u zgjatet një dorë shpëtimtare që t’i marrin prej andej e t’i sjellë prap në vendet e tyne.

Shqiptarët e emigruem me përdhuni në Turqi, kur piqen njëri me tjetrin, fjalën e përditshme “Ç’kemi nga Kosova e Çamëria? Kur po na lirohen?”, e kanë gjithmonë në gojë dhe sa herë që e flasin mallëngjehen e përloten. Këta qindra mijë shqiptarë që ndodhen në Turqi duhet të kthehen në vendet e veta, kur të lirohen këto në ditën vendimtare të drejtësisë dhe shpenzimet për këtë punë duhet t’u ngarkohen shteteve që janë përgjegjës për fajin e randë që kanë bâmë tue dashtë nergut ta humbin e ta shfarojnë racën fisnike arbënore.

  1. Gjendja e tashme e shqiptarëve në Shqipnin e robnueme ndën Jugosllavi e ndën Greqi

Përdhunimet e vrasjet, djegiet e pjekjet, nuk iu kursyen racës shqiptare nga qeveritë antipopullore të Jugosllavisë dhe Greqisë nëpër viset arbnore, megjithëkëtë shqiptarët, me shumicë e më një durim të pashoq, qëndruen të fortë në vatrat e tyne. Kjo është cilësija e një race të vjetër, që âshtë regjun e mësuem të heqi keq qysh në kohnat e vjetra të shkeljeve të barbarëvet. Nuk besoj të gjindet ndonjë racë tjetër, në fytyrën e tokës, që të mundet të qëndrojë në kâmbë mbasi të ketë vuejtun aq sa raca e shqiptarit.

Sot, me gjithë ato të vuajtuna, prap se prap vetëm në zgjedhën jugosllave (në pjesën e Podgoricës, Tivarit, Ulqinit, në ish – vilajetin e Kosovës e të Manastirit) ndodhen më se  1 200 000 frymë shqiptarë (serbët me statistikën zyrtare pohojnë vetëm një të tretën e kësaj sasie, tue i numërue dy të tretat po të asaj sasie si turq ose serbë muhamedanë të shqiptarizuem-shënim i A. Gashit), në një gjendje tepër të mjerueme, janë të fikun ekonomikisht, janë shtypun egërsisht, kanë mbetun pa shkolla në gjuhën amtare, janë lanë pa asnjë kredi bankare që âshtë fort e nevojshme për zhvillimin e tregëtisë, kurse serbëve të instaluem në vatrat shqiptare u jepen pa kursim ato kredina dhe çdo farë ndihme e përkrahje. Këta shqiptarë i mban të gjallë vetëm një shpresë, e cila âshtë “shpëtimi nga zgjedha e rândë dhe bashkimi me Shqipnin!”.

Presim me durim të thellë që t’ia mbërrijë dita e drejtësisë në të cilën të gjykohet fati i tyne dhe t’u zgjatet dora e fortë e shpëtimtarit që t’i shpëtojë nga ajo robni e zezë.

Këta përbajnë elementin mâ të fortë të racës shqiptare, këta janë luftëtarët e 1910-ës, 1911-ës, 1912-ës, në kryengritjet e Kosovës që luftuan për pavarësinë e Shqipnis dhe së fundi në pragun e luftës Ballkanike, fituan autonomin e katër vilajeteve, të Kosovës, të Manastirit, të Shkodrës e të Janinës (shih veprën “Një shkurtim kujtimesh mbi kryengritjen shqiptare të vjetit 1912, shkruem prej Hasan Prishtinës, Shkodër, Sh. Françeskane, 1921, faqe 28, 29, 30-shënim i A. Gashit).

Edhe ndën zgjedhën e rândë të Greqisë, nëpër krahinat e Çamërisë, të Janinës, të Sulit, të Maqedonisë Jugperëndimore ndodhen më se 200 mijë frymë shqiptarë. Këta porsi vllaznit e tyne të robnuem në Jugosllavi, gjendjen e kanë të mjerueme, por të ndjekun e të dhunuem egërsisht janë dëbue përdhunisht që të ikin në Turqi, në Shqipnin e Lirë. Edhe këta i mban të gjallë vetëm shpresa e cila është “SHPËTIMI NGA ROBNIMI I GREKËVET DHE BASHKIMI ME SHQIPNIN”.

Ky element i fortë, punëtor e luftëtar ka me dijtun mâ së miri të jetë mirënjohtës ndaj dorës së fuqishme që ka me na shpëtue nga thonjt’ e pushtuesve barbarë.

  1. Disa statistika për viset shqiptare të robnueme (pjesë nga studimi)

(Këto shënime janë nxjerrë prej librit “Albanais et Slaves” të Lumo Skendos, shtypun në Lausanne, më 1919-shënim i A. Gashit)

Në kohën e inspektorit të përgjithshëm turk Hysen Hilmi Pashës e tanë popullsia e Vilajetit të Kosovës ishte çmue 1 063 666 frymë, nga të cilat 754 631 ishin myslimanë, domethânë shqiptarë, sepse turqit gjithnjë i shënojshin shqiptarët si myslimanë; kështu pra Vilajeti i Kosovës ishte tre të katërtat shqiptarë e një e katërta sllavë (serbë e bullgarë), simbas politikës, megjithëqë në këtë vilajet hynin edhe disa kaza që ishin jashtë kufirit të shqiptarëve, sikurse Egri-Palanka, Malëshova, Ishtibi, Koçani, Karatova, Radovishta, Novi-Varoshi, Senica e Tashlixheja, që kishin sllav e turq. Po të mos i fusim në numër këto kaza, atëherë shqiptarët baheshin 85% e popullsisë së vilajetit të Kosovës.

Statistikat e fundit turke, që janë bâ disa muaj përpara Luftës Ballkanike, mund të merren si mâ të mirat e me mâ pak gabime se të gjitha të tjerat. Në këto statistika popullsia âshtë shënuem simbas fesë e jo simbas kombësisë e prandaj shqiptarët janë shënue myslimanë, përveç kësaj edhe nga ata që janë shënue serbë e bullgarë ka një shumicë të madhe që janë shqiptarë ortodoksë. Këto statistika të fundit turke na thonë se Vilajeti i Kosovës (bashkë me vendet ku s’ka shqiptarë, si Egri-Palanka, Ishtibi, Koçani, Karatova, Radovishta, Senica e Plavlja) ka gjithsejt 1 341 499 frymë të ndame sipas fesë kështu:

  • 829 756 myslimanë, domethanë shqiptarë 64,14%.
  • 226 528 serbë edhe shumë pak grekë (shumë shqiptarë ortodoksë) 18,80%.
  • 204 021 bullgarë (shumë shqiptarë ortodoksë) 15,76%.
  • 20 349 katolikë shqiptarë 1,50%.
  • 147 protestantë shqiptarë.
  • 3 171 çifutë 0,20%.
  • 10 527 ciganë 0,60%.

* * *

Epaminondas Mavromatis, që ka qenë konsull i Greqisë në Shkodër më 1876 deri më 1881, jep këtë statistikë në një studim të vetin të botuem, më 1884:

Shqiptarë Serbë Bullgarë
Myslimanë Të krishterë Myslimanë Të krishterë Myslimanë Të krishterë
Prizreni 35 000 1 700 13 000 15 500
Gjakova 25 000 9 800 500
Ipeku (Peja) 20 000 2 200 15 000
Kalkandeleni(Tetova) 52 000 25 000 26 000
Luma 32 000
Prishtina 19 000 11 000
Gjilani 22 000 1 300 1 200 21 300
Vuçiterni 12 000 5 500
Mitrovica 6 000 5 000
Novipazari 30 000 26 000 80 000
Vranja 23 000 60 500
Shkupi 18 000 3 000 30 000
Kumanova 10 500 2 000 29 000

Edhe këtu, sikurse edhe në statistikat e tjera të atyne kohëve, duhet ta kemi ndërmend se një pjesë e madhe e atyne që janë shënuem si serbë a bullgarë të krishterë janë shqiptarë ortodoksë e prandaj janë shënuem si sllavë.

Po ky shkrimtarë grek thotë se Maqedonija Perëndimore shqiptare përfshin Bitoljen (Manastirin), Prilepin, Ohrin, Kastorijen, Florinën, Kërçovën, Kolonjën edhe Korçën. Veç kësaj thotë edhe se Shqipnija gjeografike shtrihet prej Malit të Zi deri në Gjirin e Artës edhe prej Pindit në Malin e Sharrit.

Fund

Burimet:

AQSH, Fondi 144 – Koleksioni i hartave, Dosja 3.

AQSH, Fondi 161 – Mëkëmbësia e Përgjithshme, V.1941.

Fjalori Enciklopedik Shqiptar, vëllimi I, ”Kritalina-KH”, Tiranë, 2008.

Gani Demir Ratkoceri, Prof. Ahmet Gashi, rilindasi i fundit, “Albano Esperanto-Instituto”, Tiranë, 2008.

Shperndaje në: