Edhe djali i deputetes së AAK’s punësohet në PTK: M’u pasë pyet si nanë, kisha thanë në Telekom kurrë jo (foto)

Kohëve të fundit kanë qenë të shpeshta raportimet e mediave për punësimet e familjarëve të zyrtarëve të Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës në Telekom. Periskopi merr vesh që nga Kallnori, valës së këtyne punësimeve iu asht shtue edhe djali i deputetes së kësaj partie, Teuta Haxhiut, Ilirian Haxhiu….

Periskopi merr vesh se djali i deputetes Haxhiu iu asht bashkue stafit të punëtorëve të Telekomit në Kallnor të këtij viti.

Kjo ndodhi pikërisht në kohën kur filloi me të madhe punësimi i familjarëve të zyrtarëve të kësaj partie në këtë ndërmarrje publike.

Madje, Iliriani nuk ka hezitue aspak me ba publik angazhimin e tij në këtë ndërmarrje.

Sa u punësue në Telekom, ai bani nji publikim në rrjetin social “Facebook” kur tregoi për angazhimin e tij në këtë ndërmarrje.

Edhe pse, nuk tregoi se në çfarë pozite po punon aty.

Për këtë çashtje, Periskopi ka kontaktue deputeten Teuta Haxhiu, e cila ka mohue që pozita e saj ka ndikue në punësimin e djalit të saj.

“Po të isha pyet së pari si një nënë, kisha thanë në Telekom jo kurrë. Kjo kompani ka nevojë me u rimëkëmb. Por, Iliriani është një nga katër fëmijët e mi që janë të moshës madhore. Jo vetëm që nuk kam ndikuar, por po e them që me dëshirën më të madhe nuk kisha dashur ta shoh të punësuar aty”, ka thanë Haxhiu për Periskopin.

Ajo ka folë edhe për kritikat që shpërthyen kohëve të fundit ndaj zyrtarëve të partisë së saj, për punësimin e familjarëve në Telekom.

“Unë i shoh të arsyeshme kritikat sepse me të vërtet Kompania ka nevojë për rimëkëmbje, pasi dikur ka qenë kompani që e ka mbush buxhetin e Kosovës. Tanimë ajo nuk është në gjendje të mirë. Iliriani po i bon 25 vjet. Nuk ka qenë dëshirë e imja që ai të fillojë punën në këtë kompani”, ka përsëritë edhe njiherë tjetër Haxhiu.

Shperndaje në: