Trajtimi i kancerit, rritja e jetëgjatësisë përmes teknikave të avancueme

Dr. Ledio Bregu, Onkolog Radioterapeut

Sot, në saj të teknikave të avancuara të radioterapisë, kirurgjisë dhe zbulimit të mjekimeve të reja në kimioterapi, është bërë e mundur që shumë lloje kanceri, sidomos ato të zbuluara në stadet e hershme të sëmundjes, të jenë 100% të shërueshme. Por, edhe në rastet e kancerit në stade të avancuara, janë bërë përparime të mëdha, duke rritur ndjeshëm (përqindjen) e mbijetesës te personat e prekur.

Në rastet kur një pacient ka nevojë apo i është rekomanduar trajtimi me radioterapi, është shumë e rëndësishme që fillimisht të drejtohen për një konsultë me mjekun onkolog radioterapeut, si i vetmi mjek specialist që mund t’ju ofrojë informacionin dhe trajtimin e kërkuar.

Ku ndryshon radioterapia nga kimioterapia?

Radioterapia është trajtimi që vret qelizat kanceroze me anë të rrezatimit jonizues të prodhuar nga akseleratorët linearë. Ndërsa kimioterapia është trajtimi që vret qelizat tumorale me anë të medikamenteve të cilat merren nëpërmjet gjakut. Radioterapia përdoret në kancerin e lokalizuar, duke shkaktuar efekte anësore vetëm në zonën që trajtohet, ndërsa kimioterapia, duke qenë se merret me anë të gjakut, vepron në të gjithë organizmin, duke shkaktuar efekte anësore më të mëdha.

Çfarë është radioterapia?

Radioterapia është një nga trajtimet onkologjike që përdor rrezatimin jonizues për eliminimin e qelizave tumorale. Pra, radioterapia vepron mbi tumorin që po trajtohet, duke vrarë qelizat tumorale ose duke penguar riprodhimin e tyre. Rrezatimi jonizues prodhohet nga aparatura bashkëkohore të quajtura akselerator linear, aparaturë e cila në botë që prej vitit 1980 zëvendësoi në masë të gjerë aparaturat e kobaltit, të cilat përdoreshin për të trajtuar kancerin. Akseleratori linear bën të mundur që të aplikohen teknika nga më bashkëkohoret dhe shumë avangardë për kohën, siç është edhe teknika IMRT, teknikë kjo shumë e përdorur sot për sot në botë nga qendrat më të specializuara onkologjike.

Çfarë është Teknika e IMRT?

IMRT është një teknike moderne e radioterapisë, ku intensiteti i fushës së rrezatimit ndryshon, duke aplikuar një dozë të madhe rrezatimi tek masa tumorale, duke e shkatërruar atë, pra doza e rrezatimit është e përqendruar tek masa tumorale dhe në këtë mënyrë arrin të ruajë të paprekura, duke mbrojtur maksimalisht indet dhe organet e shëndosha përreth kësaj mase. Problemi kryesor në radioterapi është rrezatimi i organeve të shëndosha, që në varësi të dozës që marrin shfaqin efekte anësore, ndonjëherë janë vërtetë serioze, duke kompromentuar trajtimin me radioterapi. Me teknikën e IMRT, duke mbrojtur maksimalisht organet e shëndosha, efektet anësore janë të papërfillshme. Aplikimi i kësaj teknike bashkëkohore ka rritur në mënyrë të ndjeshme përqindjen e mbijetesës dhe ka përmirësuar dukshëm cilësinë e jetës te pacientët e prekur nga sëmundje tumorale.

Në cilat raste gjen aplikim radioterapia?

Radioterapia mund të aplikohet në çdo pjesë të trupit dhe për të gjitha tipet e kancerit. Vlerësohet që rreth 50-60% e pacientëve të prekur nga kanceri, në një moment të caktuar të ecurisë së sëmundjes, do të kenë nevojë për radioterapi, qoftë kjo për qëllim kurativ (shërimi) apo paliativ (trajtim të dhimbjes, hemorragjisë apo simptomave të tjera).

Me anë të teknikës IMRT, që siç e theksuam edhe më lart është teknikë shumë e avancuar për kohën, përveç rezultateve mjaft të mira që jep në kurimin e pacientëve me kancer, rrit dhe shanset e trajtimit edhe për ata pacientë të cilët do e kishin të pamundur kurimin me metodat e mëparshme të radioterapisë (teknika e thjeshtë 3-Dimensionale), që me anë të kësaj teknike konsideroheshin si raste të pakurueshme. Në saj të teknikës IMRT, tashmë edhe këto raste mund të trajtohen, pra i nënshtrohen trajtimit me qëllim kurativ, duke rritur ndjeshëm përqindjen e mbijetesës nga kjo sëmundje.

A jep efekte anësore radioterapia dhe cilat janë ato?

Ndryshe nga kimioterapia, efektet anësore të radioterapisë, në përgjithësi, kategorizohen si më të lehta dhe lidhen ngushtë me zonën e trupit që po trajtohet (rrezatohet).

Disa nga efektet anësore më të shpeshta që jep radioterapia janë:

Radiodermia: skuqja e lëkurës në zonën ku bëhet rrezatimi, është efekt anësor i zakonshëm dhe i menaxhueshëm. Në këto raste këshillohet përdorimi i kremrave mbrojtës për lëkurën.

Radiomukoziti: është skuqja nga rrezatimi i mukozës së gojës, fytit apo ezofagut, në raste kur këto zona trajtohen me radioterapi, si në rastet e kancerit të kokë-qafës, kanceri gastrointestinal apo kanceri i mushkërisë. Radioukoziti është një nga efektet më serioze të radioterapisë, por që arrin të menaxhohet nëpërmjet medikamenteve analgjezikë apo aplikimit të mbrojtësve lokale, si kremra, solucione për gojën etj, gjithmonë bazuar në rekomandime të dhëna nga mjeku përgjegjës.

Xerostomia: tharja e gojës e cila shkaktohet nga rrezatimi i gjëndrave të pështymës në rastet kur trajtohen kancerat e kokë-qafës. Xerostomia ka gravitet të variushëm dhe permanent në disa raste trajtimesh. Ajo që duam të theksojmë në këto raste është, gjatë trajtimit me teknikën IMRT Xerostmia si efekt anësor është shumë herë më pak e shprehur sesa në rastet kur trajtohet me teknikën konvencionale 3D, ku shumica e pacientëve të trajtuar me këto teknika 3D, pas radioterapisë kanë një cilësi jetese shumë të keqe.

Citopenia: rënia e rruazave të gjakut. Kjo është një simptomë jo problematike dhe lehtësisht e menaxhueshme e krahasuar me efektet që jep kimioterapia. Citopenia ndodh kryesisht kur trajtohet me fusha të mëdha dhe volume të mëdha kockore, si në rastet e trajtimit të metastazave të shumta kockore.

Nauzea apo të vjella: këto nuk janë efekte anësore të zakonshme në radioterapi. Zakonisht, këto efekte mund të shfaqen në rastet kur trajtohen zona e barkut apo pelvisit, si në rastet e kancerit gastrointesgtinal, kancerit genitourinar etj. Gjithsesi kjo simptomë është shumë herë më e lehtë nga ajo që shkaktohet si efekt anësor i kimikoterapisë. Theksojmë faktin që në rastin e radioterapisë këto simptoma janë lehtësisht të menaxhueshme.

Rënia e flokëve: edhe rënia e flokëve nuk është efekt anësor i zakonshëm në radioterapi. Kjo ndodh vetëm në rastet kur trajtohet me radioterapi zona e kokës, si në rastet e pacientëve të prekur nga tumore cerebrale apo kanceri i lëkurës së kokës./ Shendeti.com.al

Shperndaje në: