Befason Bahtiri: Qe edhe kush e kanë nënshkrue peticionin për bashkimin e Mitrovicës

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, në nji intervistë për Telegrafin ka folë për iniciativën e ndërmarr për nënshkrimin e peticionit nga qytetarët e Mitrovicës për bashkimin e qytetit, si dhe bisedën me presidentin Thaçi dhe deklaratat e kryeministrit Haradinaj, që kanë të bajnë me bashkimin e qytetit të ndamë.

Bahtiri tregoi tri arsyet që e kanë dërgue deri në nji veprim të tillë, siç asht nënshkrimi i peticionit nga qytetarët e Mitrovicës.

Ai tha se në fillimet e qeverisjes së tij, Mitrovicën e ka gjetë me 15 mijë banorë të veriut të Mitrovicës të shpërngulun në jug të saj, barrikada në urën e Ibrit si dhe me shumë tensione.

“E kam gjetur Mitrovicën me 15 mijë banorë të shpërngulur nga veriu, me 9,876 incidente, me tonelata rërë në urën e Ibrit, me barrikada, me një gjendje shumë të rëndë të sigurisë. Dhe gjithë këtë e kam kaluar duke i falënderuar ambasadat për të filluar një proces të ri, për të ulur tensionet, sepse qëllimi im është për një zhvillim ekonomik”, tregoi ai.

Simbas tij, problemin e Mitrovicës e ka ditë jo vetëm Prishtina, por edhe Brukseli e Washingtoni, sepse Mitrovica siç tha ai asht quejt ‘qytet i problemeve’.

“Qëllimi im kryesor ka qenë stabiliteti. Serbët donin që lumi Ibër të ishte pjesë ndarëse e qytetit. Unë këtë nuk e kam lejuar, kam shkuar dhe në Bruksel. E kam nënshkruar memorandumin për kufijtë administrativ të planit të Ahtisaarit, ndërsa ish kryetari Rakiq nuk e ka nënshkruar. Ky ka qenë hapi parë i imi. Hapi i dytë ka qenë hapja e urës së Ibrit, por dhe kjo ka qenë e pamundur… Në zyrën e Apostolovës kemi biseduar me Goran Rakiqin, dhe ai nuk ka lejuar që kjo urë të hapet. Arsyet i ka thënë formale: ‘ende nuk janë pjek kushtet për t’u bashkuar ura’. Aty i kemi pas tensionet e ngritura. Sa që dola nga takimi. Dhe e treta që më ka futur në këtë proces ka qenë dorëheqja e kryetarëve të komunave në veri të Mitrovicës”, u shpreh ai.

Bahtiri tha se peticionin për bashkimin e Mitrovicës e kanë nënshkrue edhe qytetarët intelektualë të kombësisë serbe, mbasi ata nuk dëshirojnë që të udhëhiqen nga strukturat ilegale serbe.

“Njerëzit intelektual në pjesën e veriut e kanë nënshkruar peticionin të cilët janë të komunitetit serb, sepse atje udhëheqin njerëzit e krimit. Tash unë e kam dërguar nëpër organet kompetente këtë peticion dhe atyre i mbetet që ta përkrahin këtë peticion të nënshkruar nga qytetarët”, theksoi ai, tue kërkue nga zyrtarët e naltë në Prishtinë që të ndërmarrin hapa konkretë dhe me ba realitet statusin e Mitrovicës.

Shperndaje në: