Gjinekologji, nji grueje i hiqet cista që peshonte 10 kilogramë (foto)

Nji ekip mjekësor në Klinikën e Gjinekologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ka krye nji operacion të komplikuem te nji grue, tue ia largue nji cist nga vezorja, i cili peshonte 10 kilogramë.

Gjatë intervenimit, pacientes i janë ruejt organet reproduktive (mitra dhe vezorja), ajo asht në gjendje të mirë shëndetësore dhe me rekomandim të mjekut ka me u lirue shumë shpejt në shtëpi.

Shef i Repartit të Operativës, Dr. Zef Ndrejaj, e ka përshkrue hollësisht çashtjen, ndërkaq ka thanë se gjatë karrierës së tij asht rasti i parë me përmasa kaq të mëdhaja.

“Është një tumor i vezores, faktikisht cist i vezores së djathtë. Janë raste të shpeshta, por jo në këtë përmasë , me këtë përmasë janë shumë të ralla. Prej përvojës sime 20 vjeçare, është rasti i vetëm që e kam parë me këto përmasa”, thotë dr. Ndrejaj.

“Operimi ka zgjatur dy orë dhe është realizuar me Thikën Ultrasonike (Ligashurën), një pajisje që e bën ndërhyrjen më të shpejtë e më të lehtë dhe, veç prerjes, kryen edhe qepjen, pa pasur nevojë për intervenim me penj e gjilpërë”, njofton Shërbimi Spitalor dhe Universitar i Kosovës.

Shperndaje në: