Në Kosovë ka zyrtar që ka tetë vende pune, 2 të tjerë kanë nga 7 pozita të ndryshme…

Edhe pse Kosova vlerësohet vendi me shkallën ma të naltë të papunësisë në Europë, zyrtarë të naltë të institucioneve shtetnore, të cilët prijnë për kah pagat e nalta, nuk e kanë problem me i sigurue dhe me i mbajtë 2 e ma shumë vende pune, apo ka edhe raste kur nji zyrtar ka tetë vende pune.

Simbas raportit të fundit të publikuem nga Agjencia Kosovare Kundër Korrupcionit, thuhet se janë identifikue 1873 zyrtarë të naltë publikë që ushtrojnë ma shumë se nji funksion.

Simbas agjencisë, nji zyrtar i naltë ushtron tetë funksione, 2 persona kanë nga shtatë pozita të ndryshme, po ashtu 2 zyrtarë të tjerë mbajnë gjashtë vende pune, 13 zyrtarë mbajnë për të njajtën kohë 5 funksione, 37 të tjerë gëzojnë katër puna të ndryshme, me nga tre pozita janë 366 zyrtarë, kurse me nga dy funksione në Kosovë janë 1451 zyrtarë të naltë shtetnorë.

Kjo praktikë, konsiderohet jo vetëm e kundërligjshme, por edhe e damshme për institucionin përkatës, mbasi që zyrtarët me ma shumë se nji vend pune, vlerësohet se nuk munden me qenë të efektshëm.

Arton Demhasaj nga organizata ÇOHU, për Radion Europa e Lirë, thotë se numri i zyrtarëve publikë me funksione të shumëfishta mundet me qenë edhe ma i naltë. Kjo praktikë, nënvizon ai, asht edhe konflikt interesi nga i cili paraqiten shumë probleme.

Shperndaje në: