Metro: Skandaloze, VV mbush Komunën e Prizrenit me militantë e familjarë (foto)

Lëvizja Vetëvendosje e ka mbushë Komunën e Prizrenit me militantë e familjarë, edhe pse në vazhdimësi ka drejtue kritika të shumta ndaj partive në pushtet për punësime familjare e partiake, VV ka punësue numër të madh të militantëve të saj në Komunën e Prizrenit, transmeton Gazeta Metro.

Shkrimi i plotë në Gazeta Metro:

Partia e Albin Kurtit ka shfrytëzuar komunën e vetme ku qeverisë përmes kryetarit, Mytaher Haskuka, që të sigurojë vende pune edhe për militantë partiakë nga komuna të tjera. Dhjetëra militantë e familjarë janë rehatuar në pozita të ndryshme.

Jetmira Vrenezi, kandidate për asamble e VV-së në zgjedhjet lokale dhe kandidate për deputete e kësaj partie në zgjedhjet nacionale të vitit 2017, është punësuar si Udhëheqëse e sektorit të ndërtimit në Komunën e Prizrenit. Ani pse, Vrenezi jeton dhe është e angazhuar në degën e VV-së në Malishevë. Asistenti i Kryesuesit të Komunës Artan Abrashi, ka qenë po ashtu kandidat për asamble në Prizren në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2017.

Zgjim Kryeziu, një nga aktivistat kryesorë të degës së VV-së në Prizren. Kandidatja tjetër për asamble të Prizrenit në zgjedhjet e fundit lokale, Afërdita Avdyli, është rehatuar nga qeverisja e VV-së në pozitën e zyrtares për biblioteka.

Sazan Cukaj, po ashtu kandidat për asamblenë komunale të Prizrenit nga VV, është rehatuar në Drejtorinë e Kulturës.

VV ka mbushur me militantë të saj edhe drejtori të tjera të Komunës. Aktivisti Fatlum Berisha është punësuar në Drejtorinë e Shëndetësisë, Zija Krusha në Drejtorinë për Zhvillim e Turizëm dhe Nol Bytyqi në Drejtorinë e Shërbimeve Publike. Ky i fundit, siç dëshmohet edhe nga fotografitë në rrjetet sociale, është njeri shumë i afërt i deputetit Rexhep Selimi.

Madje, burimet të Gazetës Metro mësojnë se vendosja e tij në këtë pozitë ka ardhur si pasojë e ndërhyrjeve të ish-komandantit të UÇK-së. Më tej, e punësuar si përgjegjëse për IT është edhe aktivistja e kësaj partie, Dua Slishani.

Kurse të angazhuar si zyrtarë komunalë janë edhe dy aktivistë të tjerë nga VV, Ron Shehu e Dijedon Shala. Njërëz të saj VV ka punësuar edhe si inspektorë, siç është rasti me Arben Krasniqin dhe Shqipron Ibrahimin, ky i fundit njeri i afërt i deputetit Liburn Aliu.

Ndërsa në ndërmarrjen “Eko Regjioni” vend pune i është gjetur aktivistit të VV-së Bujar Dakajt, njëherit familjar i ngushtë i Drejtorit për Emergjencë e Siguri në Prizren, Faruk Dakaj.

Ndërkohë, Vetim Shala, i afërm i deputetit të VV-së nga Prizreni, Arbër Rexhaj, është rehatuar po ashtu në këtë ndërmarrje.

Teksa në krye të QKMF-së, si kryeshef i saj, është rehatuar militanti i VV-së, Arsim Berisha. E, ndonëse Drejtoria e Arsimit në këtë komunë udhëhiqet nga partneri i koalicionit Nisma Socialdemokrate, VV ka shfrytëzuar pushtetin që njërin nga aktivistët e hershëm të saj në Prizren, Jeronim Susurin, ta vendos si drejtor në Shkollën “Gjon Buzuku”.

Partia e Kurtit ka vepruar njëjtë edhe me militantit tjetër të saj, Magjun Krasniqit, që mban pozitën e drejtorit të Shkollës “Abdyl Frashëri”. Sikurse edhe me Rivan Shalën, tashmë drejtor në Shkollën “Luciano Matroni”. Në vazhdën e këtyre punësimeve bëjnë pjesë edhe familjarë të vetë kryetarit të Prizrenit Mytaher Haskuka, siç është rasti me Ardora Haskukën e punësuar si mësuese në një shkollë.

Madje, Haskuka është përkujdesur që ta rehatojë edhe dajën e tij Ergin Yagcilar, i cili është asistent administrativ. /gazetametro.net

Shperndaje në: