Haradinaj: Flamuri i Kosovës asht edhe i serbëve, ata duhet me respektue atë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thanë se serbët që jetojnë në Kosovë shtet të tyne e kanë Kosovën, dhe se flamuri asht edhe i atyne.

Tue folë në tryezën e organizueme nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) , me temë ‘Doalogu Kosovë-Serbi mbas Samitit të Berlinit’, kryeministri tha se Kosova asht Europë.

Kosova është Evropë si në gjeografi, si popull, si kulturë, si vlerë, si identitet. Unë jam shqiptar por shteti im është Kosova. Edhe një serb i Kosovës e ka shtet Kosovën. Unë e dua shumë Shqipërinë dhe e kam si shtëpinë time, por prapë e kam shtet Kosovën. Kjo duhet kuptuar drejt prej të gjithëve sidomos nga serbët e Kosovës. Ai mund të jetë serb, por nëse ka lind në Kosovë e ka shtet Kosovën. Një shtet e kemi të gjithë ne që jetojmë në Kosovë”, theksoi ai.

Tutje, Haradinaj ka thanë se flamuri i Kosovës asht i të gjithë qytetarëve që jetojnë në Kosovë, tue përfshi këtu edhe serbët.

“Të gjithë mund të kenë vërejtje që jetojnë në Kosovë se si e kemi shpallur pavarësinë, e gjëra të tjera. Por flamuri i Kosovës nuk është vetëm i shqiptarëve, ai është i të gjithë atyre që jetojnë në Kosovë. Serbët e kanë edhe një flamur në shtëpi serb. Edhe unë e kam një flamur tjetër, është ai kuq e zi, por flamur të shtetit e kem Kosovën, duhet të definohet kjo. Unë nuk e mohoj Kosovën nëse e dua flamurin kuq e zi, nuk mendoj që një serb e mohon Kosovën nëse e don flamurin e Serbisë. Nuk ka arsye të mos e respektoj flamurin e shtetit të tij, të Kosovës”, përfundoi ai.

Shperndaje në: