Stuhia “Andrea” godet Ballkanin. Në disa shtete gjendje e jashtëzakonshme. Rrezik edhe në Kosovë

Nji përkeqësim i kushteve atmosferike, me shi të rrëmbyem dhe erna të forta, ka goditë pjesë të Ballkanit Perëndimor, ku në disa rajone asht shpallë gjendja e emergjencës nga përmbytjet.

Ma kritike situata duket në veriperëndim të Bosnje-Hercegovinës, ku vërshimi i ujnave kërcënon disa katunde. Paralajmërime janë lëshue edhe në Serbi e Kroaci, ndërsa po shihet me kujdes situata e lumejve të mëdhej, tue nisë nga Danubi e Sava.

Parashikimet se stuhia “Andrea” pritet me çue në Shkup reshje prej 50 deri 80 milimetra për metër katror detyruen Qendrën e Krizave të mblidhet në nji takim urgjent të drejtuem nga Dusko Veskovski, drejtori i NP “Ujësjellësi dhe kanalizimi”, ku u diskutue koordinimi i aktiviteteve dhe u caktuen detyrat mes ndërmarrjeve publike, brigadës së zjarrfikësve e shërbimeve të inspektimit.

Përpara mbërritjes së stuhisë, – thonë burime në kryeqytetin maqedonas, – po kontrollohen pusetat dhe kanalet e kullimit, ndërsa banorët janë këshillue mos me parkue poshtë pemëve. Shi e stuhi parashikohen përgjatë tanë javës edhe në Kosovë, ku temperaturat maksimale priten me shenue ulje me deri në 7 gradë, e ku mundet me pasë edhe shkarkime rrufesh.

Moti i keq shkaktoi dy viktima gjatë fundjavës në Itali, në zonën e Brescias. Përkeqësimi i situatës, simbas shtypit italian i detyrohet nji fronti të ftoftë, të zbritun nga Europa e Veriut, ndërsa ashpërsimi i kushteve atmosferike në disa rajone të vendit përtej Adriatikut asht shoqnue me erna të dhunshme dhe breshën.

Tahir Ahmeti, njohës i çashtjeve të emergjencave dhe njiherit bashkëthemelues i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC), thotë se vërshimet e mundshme që janë parashikue nga IHMK munden me shkaktue dame të mëdhaja.

“Vërshimet e mundshme që janë parashikuar nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, hyjnë në kategorinë e vërshimeve të shpejta duke përfshirë territore të caktuara dhe kalojnë shpejt, kryesisht ndodhin në lumenjtë ose përroskat e vogla malore, por që mund të shkaktojnë dëme të paparashikueshme”, tha Ahmeti.

Tutje ai thotë se IHMK ka informue në kohën e duhun qytetarët dhe opinion lidhun me zonat që munden me u vërshue.

“Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës në bazë të përgjegjësive ligjore që i ka, bazuar në ligjin për veprimtaritë hidrometeorologjike, ka bërë paralajmërimin e duhur me dhënien e informatave në lidhje me vërshimet e mundshme që mund të ndodhin në zona të ndryshme të vendit, ndërsa institucionet përgjegjëse në Kosovë, si ato qendrore ashtu edhe ato lokale, varësisht prej përgjegjësive që kanë, duhet që me kohë të marrin masat e duhura preventive, në mënyrë që dëmet e mundshme të jenë sa më të vogla”, thotë Ahmeti.

Paralajmërohen vërshime në Kosovë

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmërue se që nga data 14 Maj, ka me pasë të reshuna prej 30-50 mm.

Simbas parashikimeve të institutit zonat ma të prekuna nga vërshimet munden me qenë rrethinat e qytetit të Pejës, Junikut, Deçanit, Prizrenit, Dragashit si dhe zonat malore.

Megjithatë, zyrtarë të Institutit dhe meteorologu Sylë Tahirsylaj thonë se kjo gjendje nuk asht e jashtëzakonshme dhe nuk ka vend për panik.

Shperndaje në: