I shpëtova katastrofës në Tiranë

Rrjeti më i madh publik gjerman, ARD, dërgoi në Tiranë gazetarin e saj të njohur, Michael Mandlik. Ja një përjetim i tij nga protesta e 11 majit me titull: ‘Përshtypje nga një protestë antiqeveritare në Tiranë, si i shpëtuam për pak katastrofës’

 

Michael Mandlik

Zhurma është me të vërtetë shurdhuese. Me sy të mbyllur mund të imagjinosh një skenar lufte. Por mbyllja e syve në këtë situatë do të ishte një çmenduri. Jo për shkak të shashkave, që hidhen nga turma në çdo sekondë dhe shpërthejnë me zhurmë mes demonstruesve dhe policëve. Rreziku real është zjarri: kokteje molotov hidhen me shumicë drejt fasadës së Këshillit të Ministrave. Në mes megjithatë janë njerëzit: policët, që janë vendosur në një rresht, në përpjekje për të mbajtur demonstruesit larg ndërtesës. Në të njëjtën kohë, protestuesit, të cilët arrijnë të thyejnë zinxhirin e policisë, shfaqen triumfues përpara portës së Këshillit të Ministrave disa sekonda më vonë. Krejt papritur një prej tyre mbulohet nga flakët. Ky njeri ka një fat të jashtëzakonshëm. Menjëherë, dy bashkëprotestues ia heqin nga trupi rrobat e djegura. Disa sekonda më vonë ai qëndron atje, gjysmë i zhveshur dhe me sa duket i paralizuar- kjo për shkak se vetëm shikon i tmerruar se si fluturojnë drejt tij flakët, ndërsa policia nxiton ta rrëmbejë dhe ta largojë nga zona e rrezikut.

Vetëm një maskë mbrojtëse

Kudo policia: Jam i impresionuar në këtë moment se sa profesionistë tregohen oficerët e policisë në këtë situatë jashtëzakonisht kërcënuese. Ata thjesht shohin se si mjetet piroteknike u fluturojnë mbi kokë. Nuk mbajnë asnjë pajisje speciale mbrojtëse, shkopinj apo armë. Përveç uniformës së përditshme, ata kanë një maskë mbrojtëse kundër gazit lotsjellës. Kjo duhet të jetë qetësuese. Por pak më vonë, në pjesë të tjera të qendrës së qytetit, demonstrata rrezikon të dalë jashtë kontrollit, duke tërhequr policinë e trazirave, e pajisur siç duhet. Fakti që numri i të plagosurve në të dy palët gjatë kësaj mbrëmjeje mbetet i menaxhueshëm, është më shumë se i pabesueshëm. Për shkak se ky tubim mund të kishte përfunduar shumë mirë në një katastrofë.

Përdorimi i gazit lotsjellës në të gjitha rastet njoftohet nga policia. Ai duket i drejtë, por kjo u shërben vetëm atyre që mund të lëvizin me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Kush i injoron thirrjet, pa pasur mbështetjen e nevojshme për frymëmarrjen dhe sytë, duhet të zhgënjehet shpejt për vendimin që ka marrë. Nuk e di se çfarë po hedhin, por është kaq agresive, sa edhe kontakti me sytë pak sekonda më vonë shkakton shumë probleme.

Kameramani ynë e njeh këtë melodi prej kohësh. I pajisur me maskë për frymëmarrjen dhe me syzë mbrojtëse, ai po bën atë që duhet të bëjë një dëshmitar gjatë kësaj mbrëmjeje. Gjithmonë në ballë, edhe pse i mbështjellë vazhdimisht me gaz lotsjellës, ai transmeton skena spektakolare këtë mbrëmje për pjesën tjetër të botës përmes Eurovizionit.

Për një të qindtën e sekondës

Mund të them se vetëm për të qindtën e sekondës, siç thotë vetë Danieli, ai i heq syzet e sigurisë për t’u ajrosur pasi ishin mbushur me avull dhe nuk mund të shihte më. Pas kësaj ai vetëm ia doli që të tërhiqej në një cep rruge. Disa demonstrues që ishin aty u kujdesën për Danielin, që u shemb në tokë dhe u tmerrua, duke kërkuar menjëherë ndihmë mjekësore. Një kalimtar e filmon të gjithë skenën me celularin e tij. Danieli është normalisht tip i fortë, ka filmuar protesta të shumta. Por edhe pse ai ia del që të ngrihet në këmbë relativisht shpejt, kjo përvojë ishte e re për të. Dy nga demonstruesit, që u kujdesën në mënyrë të veçantë për Danielin, na falënderuan të nesërmen me një vakt në një restorant në qendër të qytetit.

Shperndaje në: