Ditmir Bushati ia kopjon fjalimin Gent Cakajt

Në nji hulumtim që ka ba së fundmi Gazeta “Shqip” online, ish-ministri i Jashtëmi Shqipnisë, Ditmir Bushati, ka nisë me shitë platforma dhe ide politike sikur të ishin të të tijat.

Para dy ditësh, Bushati ka publikue nji shkrim në Gazetën Panorama dhe rrjetet sociale për samitin e Berlinit, i mbajtun para pak javësh, ku ka analizue edhe ndryshimin e ashtuquejtun të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

Por në nji paragraf të shkrimit, edhe pse jo në mënyrë origjinale, konteksti asht shkëputë nga nji deklaratë e Cakajt gjatë nji interviste televizive të kryeme shumë muej ma parë në Klan Kosova.

Mjafton me u lexue të dyja paragrafët (si i Cakajt, ashtu edhe ai i Bushatit), për me kuptue se ky i fundit përdor nji farë plagjiature të përpunueme, me të njajtën ide, veç se ndryshon kontesti.

Paragrafi i Gent Cakajt:

Sepse janë tri lloje të kontesteve bilaterale në rajon. E para është kontestet e trashëguara historikisht prej vitit 1940 kur Greqia e miraton ligjin e luftës në raport me Shqipërinë dhe ai formalisht është ende në fuqi. Këto janë konteste të trashëguara prej Luftës së Dytë Botërore.

Janë kontestet sikur ta zëmë midis Kroacisë dhe Sllovenisë që sot janë anëtare në Bashkimin Europian, të cilat janë të trashëguara prej shpërbërjes së Jugosllavisë, përkatësisht kontestet e tyre territoriale

Dhe janë konteste të tjera që lidhen me funksionalitetin apo shtetndërtimin, siç është rasti i funksionalitetit në Bosnje dhe shtetndërtimit në Kosovë.

Paragrafi i Ditmir Bushatit:

Në Ballkanin Perëndimor kemi tri lloj mosmarrëveshjesh, të cilat nuk duhen ngatërruar me njëra-tjetrën. Natyra e parë e mosmarrëveshjeve e ka origjinën tek Lufta e Dytë Botërore, siç është për shembull rasti i Shqipërisë me Greqinë. Që nga Lufta e Dytë Botërore, Greqia ka vendosur një ligj luftë ndaj Shqipërisë, ligj që prodhon efekte edhe sot pavarësisht se të dyja vendet janë anëtare të NATO-s. Të dyja vendet po trajtojnë në një paketë çështje që burojnë që nga Lufta e Dytë Botërore e deri më sot.

Natyra e dytë e mosmarrëveshjeve e ka origjinën te shpërbërja e ish-Jugosllavisë, siç është për shembull rasti i Sllovenisë dhe Kroacisë; Kroacisë dhe Malit të Zi; Bosnjës dhe Serbisë; Kroacisë dhe Bosnjës, që kryesisht kanë lidhje me çështje kufitare dhe trajtimin e pasojave të luftës.

Natyra e tretë e mosmarrëveshjeve ka lidhje me subjektivitetin juridiko-ndërkombëtar, siç është rasti i Kosovës apo funksionaliteti i Bosnjë-Hercegovinës.

 

Shperndaje në: