Ambasada Amerikane kritikon sistemin e drejtësisë: Pse askush s’asht përgjegjës për krimin e organizuem

Ambasada e Amerikës përmes nji deklarate për media ka kritikue sistemin e drejtësisë në Kosovë që nuk po e ban askend përgjegjës për krimin e organizuem që ka thanë se asht qartësisht prezent në rastet Pronto, viza italiane, ikja nga burgi i Dubravës, Toka, Apex dhe në raste të tjera të ngjashme.

Në nji deklaratë, kjo ambasadë ka thanë se qytetarët e Kosovës meritojnë nji sistem drejtësie që mban individët përgjegjës për veprimet e tyne korruptuese.

Ajo ka thanë se si ambasadë po merr hapa për me sigurue që individëve që janë të përfshimë në rastet e mëdhaja të korrupsionit mos me ju lshue viza për udhëtim në SHBA për biznis apo turizëm.

“Është praktikë e zyrtarëve konsullorë që të shqyrtojnë faktet për çdo aplikim për vizë, duke përfshirë edhe çdo informatë negative lidhur me aplikuesin, dhe që të përcaktojnë përshtatshmërinë për marrje të vizës në bazë të ligjeve të SHBA-ve. Sipas nevojës, ne vazhdimisht i peshojmë akuzat dhe dëshmitë për korrupsionin dhe krimin e organizuar gjatë vendimmarrjes për viza, në mënyrë që t’i kufizojmë ata që kontribuojnë në këto probleme nga marrja e vizave për udhëtim në Shtetet e Bashkuara”, thuhet në deklaratë.

Ne do të vazhdojmë të shprehim publikisht shqetësimin tonë se askush nuk është duke u mbajtur përgjegjës, përfshirë zyrtarë të Kosovës, për korrupsionin dhe krimin e organizuar që janë qartësisht prezente në rastet Pronto, viza italiane, ikja nga burgu i Dubravës, Toka, dhe Apex, si dhe në raste të tjera të ngjashme”, përfundon deklarata e ambasadës amerikane.

Shperndaje në: