Mustafa: Foto, jo vetëm përgjegjësi e Brovinës (video)

Kryetari i LDK’s, Isa Mustafa, në konferencën mbas përfundimit të Kuvendit të partisë së tij, ka folë edhe për publikimin e fotos nga deputetja e PDK’s, Flora Brovina, që u pretendue me qenë skenë e nji dhunimi nga forcat serbe, por që mandej rezultoi të mos ishte ashtu.

Mustafa tha se asht për keqardhje plasimi i fotove të tilla pa e dijtë burimin, sepse prekin dinjitetin e grave dhe burrave të cilët kanë përjetue dhunë seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Kreu i LDK’s u shpreh se nuk duhet me u vnue në dyshim egzistimi i dhunimeve, gjenocidit dhe agresionit serb para 20 vjetesh në Kosovë, por se me të tilla çashtje duhet të merret drejtësia.

Ai tha se nuk e ban përgjegjëse vetëm deputeten Brovina në këtë rast, por edhe partinë e saj dhe krejt koalicionin qeveritar që, simbas tij, mbulon paaftësinë për me udhëheqë me të tilla skandale.

“Nuk e shoh në këtë rast përgjegjëse vetëm zonjën Brovina për këtë situatë, unë shpreh keqardhje që asaj i ka ndodhur kjo sepse është një grua e cila në një formë e ka një histori të saj të angazhimit për të drejtat e grave dhe për të drejtat e njeriut, por është problemi te politikat e PAN-it, d.m.th. të atyre që sot janë në pushtet, edhe të Partisë Demokratike dhe të subjekteve të tjera duan me çdo kush të mbajnë pushtetin duke prodhuar skandale dhe duke prodhuar situata në mënyrë që përmes tyre ta mbulojnë atë çfarë sot po mungon në Kosovë, që po mungon një qeverisje e drejtë dhe po mungon zgjidhja e problemeve të qytetarëve dhe korrupsioni i lartë”, deklaroi Mustafa.

Shperndaje në: