Viktimat e dhunës seksuale kërkojnë drejtësi e dinjitet: Fotografia e publikuar i ktheu në vitin ‘99

Organizatat që përfaqësojnë të mbijetuemet e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë kanë mbajtë marshin protestues përmes së cilit kanë kërkue dinjitet për trajtimit e të mbijetuemve.

Ky marsh u mbajt në shej proteste ndaj publikimit të nji fotografie në Kuvendin e Kosovës, e cila u paraqit si dëshmi e dhunës seksuale gjatë luftës, por doli që ishte fotografi nga filmat porno.

Feride Rushiti, Qendra Kosovare për rehabilitimin e të Mbijetuemve të Torturës, kërkoi nga institucionet e Kosovës që të përkrahin viktimat.

Rushiti tue përcjellë mesazhin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë tha se pamjet e publikueme nuk e kanë vendin në parlament, por në gjykatë.

“Të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës duan dinjitet dhe drejtësi. I mbetet kuvendit që të marrë përgjegjësinë për dëmin. Pamjet e tilla nuk kanë vend në parlament por në gjykatë”

“Kërkojmë nga institucionet e vendit që të mbijetuarat e dhunës seksuale të përkrahen. Sot më shumë se kurrë të mbijetuarit kanë nevojë për solidaritete, për mbështetjen tonë. Kërkojmë drejtësi dhe dinjitet”, tha ajo.

Ndërsa, nji përfaqësuese nga organizata Medika Kosova, deklaroi se me publikimin e fotografisë në Kuvend, puna e bame deri tash ka shkue huq.

Kjo mbasi me dhimbjen dhe shqetësimin e shkaktuem me publikimin e asaj fotografie, viktimat dhe përfaqësuesit e organizatave që janë marrë me trajtimin e tyne janë kthye në vitit 99.

“Publikimi i fotos i para disa ditëve më pamje të rënda dhe shumë të ndjeshme ka shkaktuar shumë vuajtje, ankth, mërzi dhe ritraumatizim të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Kjo ngjarje ka bërë që puna gjatë luftës na është kthyer mbrapsht, na janë rrënuar përpjekjet tona. Na keni kthyer në vitin 1999. Ne nuk do të ndalemi, do të përkrahemi , do të respektojmë dhe do të trajtojmë me dinjitet heroinat tona. Në i themi atyre që u munduan të përdorin dhimbjen e viktimave për poena politike se nuk do të lejojmë që të keqpërdoret dhuna e viktimave për qëllime të tjera. Bëjmë thirrje prokurorisë dhe organeve të drejtësisë që sa më parë të zbardhin të vërtetën për skandalin e bërë disa ditë më parë”.

Shperndaje në: