Nuk votohet vendimi i Qeverisë për privatizimin e Telekomit

Komisioni për Zhvillim Ekonomik nuk e ka votue vendimin e Qeverisë së Kosovës, me të cilin autorizohet Komisioni Qeveritar për Privatizimin e Telekomit të Kosovës.

Nënkryetari i Komisionit, Dardan Sejdiu, ka kërkue hekjen nga rendi i ditës të kësaj pike me arsyetimin se ende nuk ka përfundue raporti hetues për Telekomin.

“Të shohim raportin përfundimtar hetimor nga Komisioni parlamentar për Telekomin, pastaj të shohim. Përndryshe, unë nuk marr pjesë në votim”, tha Sejdiu.

Anëtari tjetër i komisionit Memli Krasniqi u shpreh kundër hekjes së kësaj pike nga rendi i ditës, por shtoi se nëse nuk merr pjesë deputeti Sejdiu në votim, atëherë nuk ka zgjidhje tjetër.

“Nuk duhet me lënë në gjendje aq të keqe në të cilën është Telekomi. Vetëm privatizimi e kishte shpëtuar Telekomin. Mendoj se duhet votohet ky vendim, s’e edhe ashtu i gjithë procesi i privatizimit nuk mund të ndodhë para dy vjetësh. Nëse nuk merr pjesë Dardan Sejdiu, propozoj mos me e qitë në rend dite, kështu që vetëm bartet nga mbledhja në mbledhje”, tha Krasniqi.

Komisioni me shumicë votash miratoi kërkesën e Sejdiut për hekjen nga rendi i ditës së vendimit qeveritar për privatizimin e Telekomit.

Shperndaje në: