Djuric jep detaje mbas takimit me Vucic’in

Drejtori i zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Djuric, ka zbulue detaje nga takimi i sotëm me presidentin serb, Aleksandar Vucic.

Drejtori i zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Djuric, ka deklarue sot mbas takimit me presidentin serb, Aleksandar Vucic, se nuk ka me pasë negociata për vazhdimin e dialogut me Prishtinën deri në hekjen e taksës ndaj mallnave serbe.

Djuric ka thanë se gjatë takimit të sotëm në Beograd asht marrë vendim për “masa të forta dhe shumë të rrepta” ndaj Kosovës nëse nuk hek taksën deri te Samiti i Parisit që do të mbahet në fillim të Korrikut me iniciativë nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Ai ka thanë se janë lavdue nga Vucic për “fitoren e mrekullueshme” në zgjedhjet e javës së kalueme në katër komunat veriore të Kosovës që simbas tij ka dëshmue bashkimin e serbëve dhe lidhjen e “pandashme” me shtetin e Serbisë.

“Porosia e qartë e zgjedhjeve asht që atë lidhje nuk asht e mundun me ndërpre askush pa marrë parasysh presionet politike, ekonomike dhe të tjera”, u shpreh ai.

Ai ka theksue se gjatë takimit kanë ardhë në përfundim se mbas zgjedhjeve “nuk duhet me pasë gjumë” por përfaqësuesve të serbëve nga Kosova ju asht thanë se prej tyne pritet që çdo ditë me punue në përmirësimin e kushteve të serbëve në Kosovë.

Shperndaje në: