Rrëfimi shokant i grues që u dhunue shtatzanë nga serbët në liftin e Spitalit të Prishtinës!

Ky rrëfim asht nxjerrë nga libri “Unë dua të dëgjohem: Libër kujtimi me rrëfimet e grave të mbijetuara të torturës gjatë luftës së fundit në Kosovë”.

Ajo nuk kishte fëmijëri të mirë. Një dashuri e dështuar në rini dhe një martesë në kushte të varfërisë ekstreme, por edhe mungesës së dashurisë nga burri. Nuk kishte arritur ta gëzonte as lindjen e fëmijës që do ta humbiste si foshnje.

Sikur për të mos i mjaftuar këto, ajo ka qenë dy herë viktimë e dhunës seksuale. Një herë gjatë luftës dhe një herë tjetër shumë kohë para se të niste lufta.

Rrëfimi në vetën e parë: Haj medet haj

HËNA

Fmininë e kena pasë shumë t’shtirë. Edhe baba jem ish konë rritë jetim. Nuk maj n’mend kurgjo t’mirë në fmini.

Shumë m’ka pëlqy me shku n’shkollë. Po nuk na lejke babgjyshi, se na thojke duhet me shku me i rujtë gjatë. Shumë, shumë, gjithë m’ka pëlqye profesioni për mjeke, gjithë kom pas qejf. Haj medet haj, po s’kishim kushte.

M’kujtohet pak diçka qat’here që u rritëm, pak diçka maj n’mend deri në 18 vjet. Qat’here punojshim… Qat kohë ma s’shumti që kishim qef, punojshim punë dore. Vijshim te dajtë, i kena pasë dajtë n’shehër, n’qytet jonë konë, punojshim. Te dajtë ishin edhe çikat e tezës. I dojsha. Ishim shoqe shumë. Njona tha, “A pe merr qet djalë?”, ish kanë i mirë… ish kanë i mirë boll.

Mu më pëlqej po s’guxojsha me thanë se na qitshin faqen e zezë. Ai djali n’Austri ish kanë. Po thashë une a din çikë e shpisë, masi n’shkollë s’jom, tybe s’ëm merr ky mue. Asaj çikës i thashë, “Tybe ky s’ëm merr mue, veç po mashtrohna e bona gaz”. Une e pashë prej s’largti, po at’here s’folëm. At’here s’folshim, kurrë s’e harroj sa t’jom gjallë, kurrë… Ai ish konë i mirë, sjejllja e tijna. Edhe u pamë, a din dajtë e tezet i kishim ngat, kur tha, “Veç me folë”.

Po folim tha, “Kysmet po fejohemi, që s’fejohemi pa t`ikë s’kom me lanë”, O konë vjeshta qaty para se mi mbush 15 vjet. Erdhëm tani kha n’katun te shpija, ai qashtu… e pajsha kanihere, m’pajke. Hajt do vjet shkuen, i kishim do punë, do skamje, do telashe, hjeka, po apet a pe din nuk e marrke vesh kërkush. Hjeka, boll isha mërzitë për shkollë që na ndërprei po u tutsha, thojsha ka me m’lanë, se e sheh që prej meje s’ka interes kurgjo, thojsha ku me ditë. E lokja e dajve thojke, “N’odë duhet me u rujtë se mos po thotë kush najsen”.

Kur vij, kha n’katun, nuk po di une gja hiç po thojnë, “Ni djalë i mirë, duhet me fejue n’katun”. Edhe pa ditë gja une hiç, m’fejojnë.

Jo për këtë djalin po për një tjetër. Për ni fjalë goje m’shkoi jeta. M’shkoi jeta poshtë, e ai u bo dhe. Po at’here u kon nrysh, e mytshin njerin. Me nalë robin, u mytë njeri. Vëllaznitë i kisha t’rijë, ku me i qitë me i mytë. Vllaun e madh e kisha n’shkollë t’mesme. Valla s’po shkoj, po s’di pse s’iksha qat’here. Pse u munojsha, kaj e kaj, mërzitu, s’po shkoj… po shkoj. Do i kom harru do hjeka, do s’harrohen kurrë për jetë.

Për ni fjalë goje..Kishe nejta nja ni vjet qashtu e fejume, a me shku a mos me shkue. Une atë djalë s’e kisha pa që shkojsha nuse për to.

Ai bajegi ish kanë njeri i sokaqeve. Nanën e kish pasë smutë, babë s’kish pasë edhe dy vllazën. Veç dy soba i ka pasë, fukare sa t’thuesh, po nana thojke, “Veç që osht me burrë t’vetë, e ka burrin n’punë, nuk ia lypë ni trohë bukë kërkujna…”

Kur shkova u çuditshin ata, hina n’atë oborr, ish kanë ajo gruja e smutë, ni gru e mixhës. Oh Zot i madh… me iu përshkru, film, nuk di. I kom pi kokrrat edhe jom shtrëngue. Me ju përshkru film, nuk di qysh. Qysh ish kanë ajo smutë, ajo vjehrra… fukare. E smutë psiçikisht. Dy djemtë e shnoshë prej menje ishin kanë. Por ai nuk ish kanë taman ai djali, burri që m’kanë çue për to. Dy soba i kish pasë, njo e jemja, ni kuzhinë, haj medet po fukare, po keq.

Te shpija, babës e nanës qaty kajsha e u mërzitsha boll. S’ish ai njeri, veç rrijke me gra t’hallkut, s’ish njeri, far majmuni, fukare, bukë me hangër s’kish. Hajt qashtu tu e shty, mas dy vjete meta shtatzanë me ma t’parin fmi. Rrëzohna n’oborr sa jam shtatzane… Ish dëmtue beba, edhe shkoj te mjeku… n’Prishtinë. “Valla s’bon pa u pastrue”. E m’pastrojnë, kur m’pastrojnë thojnë…. mas gjashtë mujve mos gjoj mo fmi

Tani menihere e kom gjetë çikën, Ishim fukare, haj medet s’kishe çka han, as s’kish çka pin, u untojsha, u eçtojsha. Haj Zot çka kom hjekë, me jau la teshat, e ata t’smutë, t’gubaftë, t’flliçtë. M’rrokën kishe do dhimtë, po s’i kisha unë dhimtë se kisha hi në t’nantin mujë, njo tri ditë a katër.

Edhe te një doktoreshe privat n’Prishtinë, po m’kqyrë, kur thotë, “Shko n’spital, ka t’përzimë shkije e do shqiptarë, jonë mjetet krejt se s’guxoj me t’nalë”.

Hymë n’spital n’Prishtinë, çka me hi… çka me hi, n’pranim ma s’pari do motra ishin kanë shkina, ni doktor ish kanë shka aty, ni tavolinë që e bijnë me na kqyrë gratë. P’i frynë sytë ai doktori shka, doktoricat shkina, qeshtu na i çkyejshin kaaap {imiton zhurmën e shçyerjes} e na kapshin, na çkyjshin blluzat. Thashë, “Pse s’po folni ju shqip?”. Kjo ka ndodhë në vitin ’92.

E t’na qesin najllonin me i veshë t’spitalit. E t’na qet ni tavolinë, doktori me na kqyrë. E t’na i prekë barkat, e tu m’nrydhë… a plasa, plasa. E kesh e kesh, e a plasa, plasa.

Kurrë s’e harroj hjekën, na shtinë n’lift. Hypën n’shkallë me kravatë t’bardhë, ish kanë i madh, m’kanë kapë n’lift. Edhe dy motra, po m’i deshin teshat, po m’fëlliqin deri sa shkumë naltë. Ish kanë i madh me kravatë t’bardhë… Po, m’kanë dhunue. Po n’lift, n’qet liftin e spitalit tonë që osht’ n’Prishtinë.

Qat’here që jonë kanë shkijet, e kishin pa marrë krejt. Edhe shkojmë na, na hipim naltë, hijmë në ni sobë. Po vijnë njo tre, do tjerë, po vjen ni si milic me automatin e pshtetë, unë isha, ma ka bo, “Çu ti! Çka ki ktu?” Unë at’here veç u qartsha me dhimtë, knej e anej… dhimtë, luj njo, luj njo, me qato dhimtë. Qashtu na kanë koritë, qashtu na kanë rrehë. Pse… e çka, tybe nuk di, veç mos na ngushto Zot. Për lift, edhe na që ishim n’ato sobat, a din që dojshin me i gjetë fëminë. Pritshin me i hekë qaty. Edhe hijmë na, m’koriti, m’fëlliçi njo, ma dha ineksinë. “Çohu” tha, “atje ku ke”. Qashtu m’hipën mu edhe mes dy syve t’mi e din krejt dyjeja. Qai… që u konë me kravatë t’bardhë n’lift, po tani tjerët jonë ardhë renë, njo katër. Ata masanej. Po, edhe ni milic o ardhë me tesha… kështu si aftomat.

M’ka ra t’ligtë tani edhe jom gjue n’tokë, tani aty edhe prej dhimte, edhe prej tute. Tani ka dhonë Zoti do tjera motra qaty.

M’dhununë mirë, m’kqyrën, m’dhununë, ma dhanë ineksinë, ni gjilponë qitu n’kukë. Ma dhanë qat ineksi, e m’rrokin dhimtë. E gjoj. E nij kur ka kajtë çika. Mo kurrë nuk di gja, m’ka ra t’fiktë prej s’lodhni, m’u lshu gjakderdhja, katër ditë tani m’kanë majtë qejtë e poshtër n’atë sallë. Po s’ëm kanë mytë bile krejt. Tani e di qaty jonë tutë ma s’shumti, kur m’kanë dhonë gjak. Ni doktor o ardhë me mjekërr, i zi, qaty i kom thonë, “Çka po m’ban?”, tha: “Gjak, gjak”. Edhe qaty m’ka dhonë gjak, kom nejtë nja katër ditë a tri. Qysh po rrijnë sot… që thojnë n’shok dhomë. Ratë, e m’çitshin zall diçka, m’lidhshin, pa hangër, pa pi, veç qaty kom nejtë. Hjeka e tutë, s’di qysh po foli sot e qysh jom.

E kom lindë çikën, mo tani çikën s’e kom pa, kom nejtë qaty, kom nejtë, natën ma kanë pru. Me ni kerr i prujshin bebat. Jo sikur sot që p’i lejshin te kryet, kur i ka gjetë kunata jeme dy djemë t’vocërr, te kryet po ua u lejshin. Tu i ngarku fmitë n’atë far kerrin e madh, e… bum bum (imiton zhurmën v.j.) ma rrëzon çikën. Kështu hopa i merrke dy beba. Ma rrëzoi çikën…

Çika e la gjinin s’thithi nja dy netë që nejta qaty. Ma rrëzoi çikën nër sy, po s’guxojshe me thanë kurgjo. Qaty bile me lajmru dikon, po ishin shkije at’herë, s’kishe ku, s’kishe ku.

Krejt shkije, kun shqiptarë s’kom pa.

Çikën e mora qashtu t’rrëzume, na lshunë për shpi dikur. Çika, veç krahu iu kish pa nxi. Edhe pak huna e sari. E la gjinin s’un thithi, “O valla çika smutë”. “Mirë, mirë shkoni n’shpi, n’gjendje t’rregullt osht”.

Erdha te shpija. Tjetër atmosferë po t’u doke me fmi. Jeta dupllo po t’kushtojke, ndaç t’osht’ çikë, ndaç t’osht’ djalë. Shumë, shumë, shumë n’kët’ dyje ma shumë s’kisha dashtë veç me dekë, mos me jetue mo. Vjen nana me m’pa me vllaun e vogël. Une isha ratë, çika ish e lodhët nuk thithke hiç. Qashtu t’u hjekë, po hiçke fmia i vogël. U gëzu nana, tonë u gëzunë, “Ama te laj çikën”. Erdh edhe ni gru e kojshive kishe me m’pa, “Ça po ta merr menja bre? E lodhët koka çika. Po loçka jeme, ishalla je shnoshë vetë, këta jonë t’rijë, se kogja e lodhët koka çika”. Edhe unë kujtojsha që p’i men, s’dijsha vallahin. Kur po thotë nana, “Po çka ka oj nanë çika e zezë n’krah kështu?” thashë, “Oj nanë qështu po osht vallahin, veç zaher që e rrëzunë, po i men. Po, po i men”. N’dorë e pata, hiçke, hiçke me dekë… m’diç. Erdh nana me m’pa. Paj njeti n’këtë dyje, kurrë se ka harrue as nana. Kurrë nuk e kom pa t’u keshë. Qaty e ka fitu sheqerin. E dille o kanë ajo ditë që o hie n’dhe, kurrë s’e harroj ftyrën e çikës…

Qysh more asi gjinë ishin konë pa men, mjekë. Unë ato kurrë s’e harroj, as s’ka pasë ligj as shtet. Kurrë, kurrë se ashtu s’u duftë me ia bo kërkuj. Po ata vijshin edhe nëpër shpija na rrehshin, na kputshin.

Burri tybe… burri tha, mas gjashtë dite, tha, “Hajde n’sobë”. Met pa duhan kur m’çoi n’sobë, m’deshi, çka me pa trupin, tha, “Çka je bo kështu? Kush t’ka hongër me dhomë kështu?”.

Vallahi i kallxova, do-do se krejt mozallah kush guxon. “Kush t’ka hongër n’dhomë? Pse kështu?” Veç masanej m’rrehke. Burri, edhe kurrë mo s’ma dajti dajakin. Po s’kom guxue me kallxu.

Nuk guxojsha, me i kallxu krejt çka ka ndodh. Thojsha po m’lëshon. I thash “Na rrehën, qaty do gra, na deshën teshat e veç na rrehën”.

Na kanë rrehë. Se që na kanë koritë t’u gjetë fëmi, tybe n’guxofta, veç që na kanë rrehë. Pasha Zotin s’guxojsha, nashti u konë ma mirë me i kallxu, po jo. Ai u konë njeri i poshtër, s’ke guxu. Përveç na kanë rrehë vallahi, se s’guxofta, thashë a din m’lëshon. Po… haj medet haj. Po ai m’rrehke masanena, s’ma dajke kurrë. “Pse diç çika?” “Çikën e rrëzunë” “Ku ke ti?” “Une kesh qaty, na prunën me na dhonë çikën n’krevet, se une n’kamë s’jom konë, tybe n’te kom rrëzu unë”. Edhe hajt, hajt qashtu, pasha Zotin deri qaty mo erdhën prej shpije krejt çka patën. Mas tre vjete ika prej tij, jom dalë, thashë, “Unë mo s’guxoj me shku te ky”.

Pesë vjet t’zeza ditë n’ditë. Thashë unë mo nuk guxoj me nejtë se le uni që po des se s’po kem, po marova prej t’rrehnit t’tij.

Kjo me çikën më ka ndodh qaty 92-tën. Mas tre vjete ika prej atij burri.

Tani nana e baba m’lypshin mem martu diku tjetër. Po fëmi t’vogël thojsha s’muj me i kqyrë. Ma gjojnë apet qit vend, burrin ku jam tash.

Kur um lypi ky burri, me msit, thojnë nihere “I ka veç tre fëmi”, kur vij, i gjoj gjashtë fëmi. Ky u kanë i ri, i zoti, p’i pëlqej këtij burrit. Une e re jom konë. Ky ish konë i vjetër, do fëmi, namin e zi.

I ka pas nja 50 vjet, Une 27.

Mirë isha me këtë burrin. Ky as nuk ish konë i udhve t’kqija, as qen as kurgjo hiç.

Dhomët m’u prishën, m’u nxinë, m’i hujdisi do dhomë, do tani m’u thynë n’luftë kur na rrehën, që na gjuen. M’i hujdisi dhomtë edhe m’veshi. U bana shumë mirë po a din, e pafat.

Vjehrrën e kom pasë, edhe fëmitë e burrit. Djali i burrit, njoni ish konë n’Gjermoni, njoni aty. Ia morrën inat burrit pse më kqyrke edhe u kujdeske për mu.

Po me burrin shumë mirë. Ky s’ëm bërtitke, nxehtë e kisha, me hangër bukë e m’blejti tesha, s’ëm bërtitke. Edhe mire, i çela sytë. U ktheva, u hujdisa, s’ëm njofke kërkush. Kur u dhezë lufta!

E t’u dhezë tani lufta. E dalim tani prej shpije, mo me 24 kur i ra NATO-ja n’mars, a me të 28-tin, qeshtu po m’doket, po m’përzihet. Dulëm prej shpije. Kurrë mo ditën tem s’e pashë. Mora teposhtëze. E kena pasë ble at’here ni kerr t’mirë. E burrin… shkijet ku ia pajshin atë kerr, u konë nifar FIJAT tip, shumë i mirë. E marrin e rrehin nihere burrin, e ia marrin kerrin e njo thojke, “Merre”, njo thojke, “Hajde zovatëm prej punktit” ku u konë “dej te komuna”. Edhe e rrehin, e sakatojnë veç apet ia kishin dhonë kerrin, po s’kish çka i vyen kerri, po nom, nom bani ma mirë diçka.

Kur shkumë me ni katun desh na mytën me granata. U shtremë n’atë far shpije, krejt.

Mandej shkumë në një katun ngat. Rrishim me një fushë. Rrijshim me ren n’kerr, veç kena nirthtë deri qaty.

Krejt tani jashtë kena nejtë. Ni kolibë dikush e bijke me do dru, o çka kena hjekë, çka kemi nirthtë qaty. Tonë robtë qaty flejshim.

Shkojmë me ni katun tjetër e bujmë në ni pleme te sana. Del ni grue, zoja e shpisë e thotë, “Vallahi s’kena ven ku me ju shti, sfyngjera kem” na i dha do qebe, në ni pleme me sanë. E na dha do bukë, “Bre vllaznia e mi, s’kom ku me ju shti, bukë po ju dhojmë”. Akshami, vijshin granatat, kuku nanë o nanë. U ba… qat’here ia nisëm e murrëm teposhtëzen ka pak, ka pak, hajt, hajt, ecëm.

E thojnë, “Mule, hipni n’traktor”. Qato igball e kena pasë, në ni traktor jena hipë. Fëmia e vogël, nusja, burri ka ecë n’kamë. Aty dulëm, u dhezë lufta, njo bile e vranë qaty menihere, ish kanë ushtar, i veshun. Ato e gjujnë me snajperkë e vrajnë. E hajt, hajt gjithë ditën na, e gjithë natën tu ecë. Hypëm tani te ni traktor, herë zhdrypshim se nuk ngrihshin ata far traktora, kur erdhëm tani n’sabah drejt n’qytet. O qaty pak pa hi do i dajtën qaty, po hijmë ma heret n’gjashtë.

E hijmë n’qytet. Aty e pamë një shpi prej ku ishin dalë nejrëzit, e hyjmë mrena. Qat natë bujtëm, hajt e hamë do bukë. Akshami tani kur erdh, para akshamit jon konë edhe nihere kqyrën do si tesha t’zeza ishin kanë, tybe si ushtri. “Sa jeni, ku jeni?” qashtu, shkuen. Eh mirë, shkuen, u krye, na kujtoftëm që shkuen. Kur tani po vijnë apet mas njizet minutave. E t’na kapin, une jom kanë te sodoperi tu e la ni tavë.

E t’i dajnë burrin e do djemë t’rijë, kështu do soba a din, do far shpijash e t’i marrin t’i ngujojnë. Po s’dita, kishe e mytën burrin. E t’i kishin rrehë, e kanë marrë dukat, e marrin pare. Rrehë, mytë, ata fëmia e vogël, brit e brit tu u çmendë. E na kapin qeshtu për dore. Qaty me burra, ata tu i shkelë, tu i shkelë tetonë tu i pucavë. E t’na kapin na çuen aty me ni shpi ma larg. Ish kanë ni shpi e madhe kah dy-tre kat. Ni i shkretë sahati nihere ec e eci deri n’dy t’natës.

N’atë sobë, ish kanë ni çikë e re. Si i ka çepu nihere shkelëm, e ka gjue. Ki pasë gjak, ki pasë flokë t’ngrehta, ki pasë gra, ishin kanë t’myta si flejtun rrijshin përmys, nuk livritën kurrë. Çkamos ki pasë, tesha t’grave, a brekë a gjak a kreveta që kena pa. Tre kat ish kanë, do u dirgjshin, tu u rrehë, tu qitë tesha, flokë, sene… çka t’kujtohesh n’atë shpi që kena pa, deri n’sabah. N’sabah perenia, na kanë deshë e na rrehën, na qitën n’korridor.

N’qat shpi më koritën katër vetë, me ren. Tani, na rrehën na sakatunë edhe na pshurrën, çudi more! Edhe na pshurrën… Teshat tona s’i gjojshim hiç. S’mujshe ti me gjetë aty teshë tane. Na rrehën, na sosën e na pshurrën. Na bonën zi e terr! S’di ma anej ku me kallxu, po ma i fortë se insani s’kish kërkush. Qaty valla jem lodhë, veç s’di qysh jem ardhë. Na rrehën mirë, na mytën, na sakatunë. Nja dy veta kenë qaty, nuk di qysh jem ikë. Do duqa i kom veshë, edhe jena dalë. Nuk kish pasë shkije n’qat far vakti kah n’shtatë që jena dalë prej asaj shpije. Kur erdhëm këtu ku kem, burri i rrehtë, veç gjak.

E vijmë aty t’rrehta, t’llomita, vijke tu m’u ajë ftyra, qitu hala m’dhem ftyra sot. E ni dhom ma thyen, se a din kur na rrehshin, na gjujshin. E dora, qikjo, qysh um ka pritë, veç qitu, m’u ajë qikjo. E qito ma shtrënguen, tybe nuk di ma zi. Veç s’di qysh jom sot, qysh po rrnoj sot. Edhe na rrehën e na shajtën, e na pshurrën, ma s’mrami, çka ni t’zezë na banë. Kur erdha, hina aty, burrin u gëzova qaty e pashë, bujtëm edhe qat natë n’Prishtinë. Deri n’sabah bujtëm, tu keshë burri, “A je gjallë?”, thashë, “Po, po, gjallë jam”. Ajo kunata për kunat na bojke, “Po ti s’vyn gja mo, që e kanë marrë shkijet” keshke ajo u ngryske. I thojke qaty do grave ça ishin. Kunata, kunata u thojke grave. Rijmë qaty na edhe qat natë, bujmë. T’nesërmit po vijmë, po thojnë me ec.

Mo u kry ajo. U kthymë në katun tonin. Burri u nda n’qytet. U ardhë n’kamë… Na gjithë ditën udhtumë, erdhëm deri n’aksham prej 12-ve deri n’aksham jena ardhë prej qyteti.

Trupi m’shkojke krejt rekë, e smutë, e lodhtë, e rrehtë, komtë s’um majshin… haj medet haj, e mërzitë, e tutë. I pajshim shkijet që erdhën. Rrugës na nalën e te rrehin shoferin. E t’ia marrin paret dej edhe sahatin e dorës. E te rrehin e t’ia shtijnë krytë ktu për llastik a e din përmas që ishin me t’mbluet ata llastikat. E i qitën bajagi do plaka kështu përpara ja nisën ata keshin, do ushtarë t’ri ishin kanë, e do t’zi ishin konë me shirita n’dorë n’qat ven qaty.

Edhe thojshin, “Shih qysh i kanë qitë plakat knena. Qitni këto plaka n’tokë”. E ti zhdrypin plakat n’tokë, për ni dorë i kapshin. E t’na zhdrypin krejtve t’na rrehin qaty mirë. Qaty na rrehën, na plaçkitën, çka patëm do sene, do cikrrime, na bastisën. E kom pasë ni unazë.

Na i murrën nja dy unaza, ni zingjir e pata n’xhep n’ostar t’palltës. Po s’na rajke n’menë për ato, veç ça me bo veç me pshtu. Po, po veç me pshtu, diçka murën. Plakat i kanë qitë knena prej dere renë. E tani nom na dha Zoti… e thanë, “Ecni!” E rrehën atë shoferin me neve. Nja dy-tri orë qaty t’rrehtë e t’përplastë metëm. Neve na lanë. Erdh nji tjetër traktor, i hallakatshin edhe ata, i kontrollojshin. Na erdhëm, hypëm n’traktor erdhëm diqysh. Eh, nuk na kanë lonë me hi n’shpija tona qysh jena konë të lodhët. Shkojmë me ni katun tjeter, bujmë n’oborr t`shkollës. E shkumë e gjetëm një shpi ku ishin ikë njerëzit, që i kishin kthye.

Hijmë na aty n’atë shpinë, dhezim zjermin e bojmë diçka. Pak valla, miell, se s’kish pasë kurgjo, as tmarumë, as sodë për bukë. E dha Zoti erdhën ata të zotët e shpisë. Edhe Bajramin e pritëm qaty… Jonë konë 100 refugjatë. E kanë pre ni dash, e na e bon kishe Bajramin.

Burri s’disha hiç ku osht, me djalë t’madh ish, me re, as kunati, ishin nda. Ata rrehë, këputë i kishin pasë nguju në nifar si shpellë. Edhe rrimë na. E vijshin ushtria asajde, “Sa vetë jini, kush jini?”

Kur dha Zoti kanë bombardue qaty e i kanë çu do tenka, menihere. Qaty nom pshtumë, edhe mirë.

U kthym nëpër shpija. Gjak, tesha t’grave. A kishin pre, a kishin koritë a, a kishin bo, ni Zot e din. Plot valla qiso t’zeza qi s’kanë skej valla me vjet, edhe u kthyem qashtu qysh u kthyem, une e smutë, me hajt, hajt, hajt… Mas ni muj dite, mas nja tri javë dite shkova tani n’spital se mu nalën a din… tani teshat (menstruaciont v.j.). U bonë nja dy muj. Haj medet haj, u bonë gati tre.

U kryen, u kryen bombardimet, hini NATO-ja. U kthyem te shpija, haj medet, haj. Isha smutë fort. Kishe po thojnë me shku te mjeku. E vi n’Prishtinë…hi kha. M’nalin n’spital, n’gjinekologji, n’patologji në nifar veni. Po m’thojnë…une isha smutë. Këta mjeket po m’thojnë që… n’Prishtinë… shtatzanë nuk je. E thashë mirë masi shtatzanë s’jam metë, so gajle, gjithë ai dhunim që ma bonën, shtatzanë s’jam. Mirë, i marrë do ilaçe thashë tash m’men, po s’ëm mejke hiç. Psiçikisht, fizikisht e lodhne, dhimtë, tugu… tugu, dhimtë haj medet, tu u kujtue, s’mujsha me i largue hiç. E moj, a diça, diça…

Mo s’di as mu gëzu, e në jetë nuk gzohna kurrë une.

Vallahi gjithë i kujtoj. Pasha Zotin shpesh boll. Po vallahi si para sa vjete që u konë lufta, sikur sot po m’doket. Veç a din tash i pi kokrrat me rregull. Trajtohem. Se kam tuten qe s’kam ilaçe. Tutën nuk e kom.

Burri kanihere më nimon kanihere jo. Po i shkoj nerva. Gjithë ditën po shan e po bërtet, po thotë, “Qysh m’ra mu ky fat i zi kështu? E ku qëlloi gruja jeme, pse veç na ashtu e pse s’shkojshum jashtë? Vyjti kur shkoi OSBE-ja me shku edhe na e… “ Turli t’zezë valla, turli hjekë, pi vjen edhe inati. Veç me m’bo gaz, qajo kunatë m’bani, ma qiti faqen e zezë nëpër sebepe. E u duftë me rrehë, po badihava, e rreha e sosa po kurgjo. Hupi mo kontrolla. E qashtu motra jeme t’zitë e territ, jo valla mo kurrë mirë s’jom konë.

Po tutem se punën tonë moti s’pe ban llaf kërkush, pej që shkoi Atifetja. Edhe po tutem masi s’kena kallxue, po bohëm horë, s’po na paguhet kurgjo. Kajhere qata na jem tu u tutë, veç televizorin e kqyrim, e ngojmë, droj po bohem horë. Pasha Zotin nuk di, këta ushtria po shkojnë hyxhym ministries p’i bojne yrysh. Ashtu keq po bojnë që pi thejnë venin tonë veç, nashta ishalla diçka del se drejt s’kena kallxu, jena bo gaz krejt. Shumë kadal.

Shumë i kisha porositë që të punojnë mirë e ti respektojnë ligjet, rregullat, se nuk osht lojë veç puna jonë, veç puna e femrave nuk osh’ çkado se pa kon femrat në rregull me i maru rininë, fminë e shnoshë. Kosova s’ka çka na vyen neve. S’ka çka na vyen neve Kosova. Kush ka bo punë deri qitu për neve Zoti e rujtë e i nimoftë e gëzoftë kit popull, krejt mjekët e Kosovës kah jonë udhëheqësia, punëtorët, fëmitë, shkollat Zot.

Fuqizuar nga: Integra dhe forumZFD

Në bashkëpunim me: KRCT

Mbështetur nga: RBF, MOTT, BMZ dhe UN Women/KultPlus.com

Shperndaje në: