Thirrjet për luftë, kryeministri Haradinaj i përgjigjet Vucic’it, ka disa fjalë edhe për deklaratat e Thaçit për bashkim me Shqipninë

Kryeministri Ramush Haradinaj, mbas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, ka komentue shkurt idenë e fundit të Presidentit Hashim Thaçi për bashkim të Kosovës dhe Shqipnisë.

“Bashkimi Kombëtar është projekt i shekujve por në etapën që ndodhemi është me rëndësi që Kosova dhe Shqipëria ta thellojnë bashkëpunimin me t’i heqin pengesat burokratike – ose ta heqin taksën rrugore që ju ka vendosur qytetarëve të Kosovës”, ka thanë Haradinaj.

Simbas kryeministrit, kishte me qenë mirë që me u ndihmue lidhja ma e fuqishme ekonomie Kosovë-Shqipni.

Ndërsa, sa i përket kërcënimeve nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic, se ushtria asht gati me ndërhy në veri të vendit mbas operacioneve të policisë, kryeministri u përgjigj:

“Ju siguroj se operacioni, i cili nuk është duke ndodhë vetëm sot, por është duke ndodhë që dy ditë, është operacion në nivel vendi është i drejtuar kundër individëve, të cilët janë të involvuar në trafiqe, kontrabandë, krime të organizuara. Ata janë shqiptarë me vendpune në Jarinjë, Merdare e vende të tjera, janë zyrtarë doganier e të tjerë, është zbatim i ligjit. Ka pasur tentativa me pengu ketë operacion, Policia e Kosovës është e aftë të kryej detyrën e saj. Nuk mundet me pengu ligjin as Serbia as BE-ja sepse po synohet hyrja në BE”, ka thanë kryeministri.

Haradinaj ka thanë se nuk ka nevojë për nji retorikë për luftë nga Serbia, luftimi i krimit të organizuem asht e ligjshme.

Shperndaje në: