Kush po luen me kufij n’Ballkan

Adelheid Woelfl / Der Standard

Mediat serbe njoftuan të enjten se Shqipëria kërkon të hapë kufijtë e saj me Kosovën fqinje që nga 1 janari. Në Serbi, kjo u interpretua si një përpjekje për të krijuar Shqipërinë e Madhe. Në fakt, kryeministri shqiptar, Edi Rama, njoftoi shumë muaj më parë se ai do të lehtësonte regjimin kufitar mes Shqipërisë dhe Kosovës. Në një intervistë me “Der Standard” në vjeshtën e vitit 2018, ai tha se kontrollet kufitare do jenë në të ardhmen të njëjta si mes Austrisë dhe Zvicrës. “Tani ka shumë kontrolle të rënda dhe ne duam një menaxhim të lehtë të kufirit, por jo pa kontrolle plotësisht. Në çdo rast, të dyja palët do jenë së bashku”. Në kufirin mes Malit të Zi dhe Shqipërisë, menaxhimi i integruar i kufirit është vendosur para shumë vitesh- zyrtarët e vendeve fqinje punojnë ngushtë së bashku. Sipas Ramës, menaxhimi i kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës do të jetë akoma më i lehtë. Shqipëria është e gatshme që të prezantojë të njëjtin model të menaxhimit të kufirit me Maqedoninë, Malin e Zi dhe Greqinë, tha Rama në atë kohë. “Ne jemi të gatshëm ta bëjmë këtë me të gjithë, por në rastin e Kosovës duhet ta bëjmë këtë, pasi prej andej lëvizin shumica e njerëzve që vuajnë në kufi”, tha Rama. Nuk bëhet fjalë vetëm për lëvizjen e personave, por edhe për lëvizjen e mallrave dhe e gjitha është pjesë e një plani veprimi të hartuar me komisionerin e BE, Johannes Hahn.

 

Të vendosur në pozicion

Shqetësimi për menaxhimin e kufijve nuk është i rastësishëm. Kjo për shkak se tensionet po rriten përpara marrëveshjes së planifikuar mes Serbisë dhe Kosovës, e cila do të mbyllet tashmë vitin që vjen. Të gjithë palët janë pozicionuar dhe përpiqen të skanojnë situatën me propozime të ndryshme. Marrëveshja kornizë e parashikuar mes dy shteteve duhet të çojë në një lloj njohje indirekte të Kosovës nga Serbia. Megjithatë, kufiri mes Serbisë dhe veriut të Kosovës, të populluar kryesisht nga serbët, mund të bëhet lehtësisht i kalueshëm si kufiri mes Kosovës jugore dhe Shqipërisë. Ajo që mund të duket si zgjidhje pragmatike nga një anë, thekson përkatësinë etnike në vend të integritetit territorial nga ana tjetër. Kohët e fundit, presidenti kosovar, Hashim Thaçi foli për korrigjim të kufijve. Thaçi tha se dialogu duhet të përfshijë edhe bashkimin me Luginën e Preshevës në Serbinë jugore. Lugina e Preshevës është gjithashtu vendi ku jetojnë shumë shqipfolës me nënshtetësi serbe.

Eufemizma për ndarjen

Deklaratat e Thaçit u interpretuan sikur ai është në favor të ndarjes së Kosovës apo të shkëmbimit të territoreve. Politikani kosovar i opozitës, Ilir Deda, tha se deklarata për korrigjimin e kufijve është një eufemizëm për ndarjen. Shkëmbimi i territoreve do të thotë se Lugina e Preshevës shkon në Kosovë dhe veriu i Kosovës në Serbi. Ideja e ndarjes mbrohej kryesisht nga ministri i Brendshëm serb, prorusi Ivica Daçiç. Megjithatë, ai vetëm dëshiron që shumica e veriut të Kosovës të kalojë në Serbi, por ai nuk e përkrah kurrë lëshimin e Luginës së Preshevës. Është e mundur që Thaçi po e përmend Luginën e Preshevës për të vënë argumente kundër ndarjes së Kosovës, që ai e hedh poshtë. Diplomatët e BE, që e njohin rajonin, kanë qenë të shqetësuar prej muajsh se komisionerja për marrëdhëniet me jashtë e BE, Federica Mogherini, nuk vendosi një vijë të kuqe në debatin e vazhdueshëm për kufijtë. Kjo hapi spekulime mbi këtë temë të rrezikshme, veçanërisht për integritetin shtetëror të Bosnjë-Hercegovinës, që është vazhdimisht në pikëpyetja nga nacionalistët serbë dhe kroatë. Pasiguri krijoi edhe një deklaratë e ambasadorit amerikan në Kosovë, Greg Delawie, që tha se Kosova duhet të pajtohet me një marrëveshje- e cila duhet të jetë marrëveshja përfundimtare me Serbinë.

Jo sipas kritereve etnike

Qeveria gjermane dhe Komisioni i BE- dhe të tjerë vende të BE-së si Sllovenia, që kanë njohuri të mira- e kundërshtuan fuqishëm çdo ndarje të Kosovës. Një ndarje e shtetit të Kosovës bie në kundërshtim jo vetëm me Kushtetutën e Kosovës, por edhe me të gjitha përpjekjet politike të Perëndimit gjatë 25 viteve të fundit, për të mos krijuar vija etnike në Ballkan. Shpërbërja e Jugosllavisë është bazuar në parimin e ligjit ndërkombëtar ‘uti pessidetis’, që do të thotë se kufijtë e rinj ndërkombëtarë duhet të jenë ata kufij administrativë në datën e pavarësisë- në rastin e Jugosllavisë ishin republikat, në Kosovë, kufijtë e mëparshëm të provincës autonome. Edi Rama e ka luajtur tashmë ‘kartën etnike’ në lidhje me Kosovën shpesh në mënyrë kundërproduktive. Gjatë vizitës së tij në Prishtinë, me rastin e jubileut të pavarësisë në shkurt, ai sugjeroi që Shqipëria dhe Kosova të kenë një president të përbashkët ‘si shenjë e unitetit kombëtar dhe një politike të përbashkët të sigurisë kombëtare’. Këto deklarata të Ramës nxitën frikën në rajon se mund të krijohet Shqipëria e Madhe. Rama emëroi, gjithashtu, katër zëvendësministra kosovarë- ndoshta për të theksuar rëndësinë e tij rajonale.

Paralajmërim për incidente të inskenuara

Përpara raundit të ardhshëm të bisedimeve mes Serbisë dhe Kosovës, tensionet në veri të Kosovës po rriten. Apostulli ortodoks, Sava Janjiç, nga manastiri i Deçanit paralajmëroi së fundmi për dhunë të inskenuar. Ai u bëri thirrje të gjithë liderëve politikë që të refuzojnë thirrjet për ndarje territoriale. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç i quajti këto deklarata boshe. Kurse NATO në Kosovë e bëri të qartë se do ndërhyjnë në rast dhune.

Shperndaje në: