Procesi zgjedhor në BE dhe relacioni me Ballkanin Perëndimor (Pjesa I)

 Ardian Kastrati

Pavarësisht algoritmeve mbrapa mediave sociale, të cilat vitet e fundit kanë krijuar polarizim të paparë mes të qytetarëve gjithandej Bashkimit Evropian, partitë e ekstremit të djathtë dhe ato euroskeptike nuk u votuan sipas pritshmërive në zgjedhjet e fundit për Parlamentin Evropian. Njëkohësisht, në shumë shtete të rëndësishme të BE-së, partitë tradicionale të qendrës së majtë dhe të qendrës së djathtë pësuan rënie, e në disa raste edhe debakël, si për shembull laburistët në Mbretërinë e Bashkuar me vetëm 14 për qind të votave.

Për herë të parë që nga viti 1989, Partia Popullore Evropiane e qendrës së djathtë ra nën 25 për qind, kurse socialistët me rreth 20 për qind patën rezultatin e tyre më të keq që nga viti 1979. Në Mbretërinë e Bashkuar, pavarësisht fitores së Partisë së Brexit-it të Nigel Farages me rreth 32 për qind (28 ulëse), rezultatet e Liberaldemokratëve me 20 për qind, të të Gjelbërve me 12 për qind dhe të Partisë Nacionale të Skocisë me rreth 38 për qind, hodhën në erë sistemin politik të Mbretërisë së Bashkuar. Ndonëse tingëllon kontradiktore, këto rezultate treguan shpirtin evropian të votuesit britanik, duke ndryshuar sistemin politik të dominuar nga dy partitë tradicionale në një sistem multipartiak.

Sa i përket partive të ekstremit të djathtë, përjashtim bëri fitorja e Le Penit në Francë dhe Lega Nord e Matteo Salvinit me 73 ulëse si dhe euroskeptikët e Fidesz-it të Viktor Orban duke arritur 53 për qind të votave, që është ekuivalent me 13 ulëse. Megjithatë, te tri këto do jenë larg dominimit në raport me institucionet e BE-së.. Në Austri, Partia e Lirisë (FPÖ) humbi mbështetjen pas të ashtuquajturit skandali “Ibiza”, kurse në Danimarkë, Partia Popullore Daneze humbi dy nga tri ulëset e saj, përfshirë edhe ulësen e Anders Primdahl Vistisenit – njërit nga aleatët kryesor të Salvinit. Në anën tjetër, pavarësisht narrativit anti-imigrim të së majtës ekstreme gjermane të Sahra Wagenknechtit apo asaj franceze të Jean-Luc Mélenchonit duke argumentuar se ardhja e emigrantëve është komplot kapitalist që do t’i ulë pagat e punëtorëve, edhe e majta ekstreme pësojë rënie të ndjeshme.

Me përjashtim të rezultateve të Le Pennit dhe të Salvinit, dalja e madhe e votuesve në zgjedhje mund të lexohet si refuzim i populizmit dhe i establishmenteve politike në shtetet me peshë në BE. Mesazhi kryesor ishte se pavarësisht mosfunksionimit më të mirë EU mbijeton. Thënë ndryshe, përmes këtyre zgjedhjeve u refuzua ideja e nacionalizimit të politikave evropiane dhe u fuqizua ideja e europianizimit të politikave nacionale. Vota e qytetarëve evropianë po ashtu tregoi qartë se politika mbetet çështje lokale. Pavarësisht faktit se Marine Le Pen, Matteo Salvini si dhe Guy Verhofstadt kanë marrë pjesë në fushatat zgjedhore edhe jashtë vendeve të tyre, votat u determinuan kryesisht nga temat lokale.

Shikuar nga aspekti ideologjik, u vërejt se partitë tradicionale, të frikësuara nga populizmi, së paku një vit para zgjedhjeve ikën nga krahët e tyre të majtë dhe të djathtë duke kërkuar qendrën për të tërhequr votues nga të dy krahët. Kjo strategji ishte e gabuar, sepse elektoratin gjatë viteve të kaluara e zunë partitë e ekstremit të djathtë dhe të majtë. Kështu, gjatë fushatës zgjedhore, duke u munduar të kompensojnë elektoratin, disa nga partitë tradicionale përdoren gjuhën e populistëve dhe devijuan nga ‘mainstream’-i i tyre politik. Këto parti humbën zgjedhjet, siç është rasti Macron vs Le Pen në Francë. Kjo gjuhë i trembi votuesit liberalë, sepse këta votues nuk e shohin populizmin vetëm në kuadrin e çështjeve anti-imigrim, por i shohin populistët si ata që synojnë të shkatërrojnë sigurinë që vjen nga rendi demokratik me sundim të ligjit. Mirëpo, edhe në rastet kur është përkufizuar debati, si i “progresistëve kundrejt nacionalistëve”, populistët prapë kanë qenë më të efektshëm, sepse kanë barazuar “progresivizmin” me zbatimin e politikave “të hapura” ose “anti-krishtere”. Një qasje më e mirë do të ishte sikur presidenti francez, Emmanuel Macron, do të bënte fushatë për betejën ekzistenciale, pra për shpirtin e Evropës, si “demokratët kundrejt autoritarëve”.

Megjithatë, votat për listën e Macronit ishin përcaktuese që aleanca e liberalëve dhe demokratëve, ALDE, të radhitet e treta, me çka edhe do të ndikojë në fuqinë negociuese të Partisë Popullore Evropiane (EPP), nëse Fidesz-i i Viktor Orban vendos të lëshojë këtë grup dhe nëse realizohet Brexit-i me 31 tetor. Macron tani jo vetëm që do te jetë person kyç në negocimin e pozitave kryesore në Bashkimin Evropian, por nga ai do të varet edhe fati i Ballkanit Perëndimor në vitet në vazhdim. Menjëherë pas zgjedhjeve, Macron e bëri të qartë se është kundër procesit “Spitzenkandidat” (kandidatit udhëheqës), që është Max Webber nga EPP, i cili e ka përkrahjen e kancelares gjermane, Angela Merkel. Pas përçarjes së BE-së më 2008 për njohjen apo mosnjohjen e Kosovës, pastaj përçarjes së akterëve kryesorë sesi të paketohet dialogu Kosovë-Serbi (Merkeli kundër korrigjimit të kufijve të Kosovës, Macron i papërcaktuar, kryenegociatorja e BE-së, Frederica Mogherini, pro këtij korrigjimi), kjo qarje e re mes Macronit dhe Merkelit do të reflektojë edhe më keq në Ballkanin Perëndimor.

Me dështimin e procesit të Berlinit dhe të Samitit të BE-së në Bullgari, u bë e qartë se zgjerimi nuk është opsion as për qendrën e majtë e as për qendrën e djathtë të BE-së. Fjalisë së famshme përmes së cilës është përshkruar relacioni në mes të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor “se ne po bëhemi sikur po dëshirojmë zgjerimin dhe ata po bëhen sikur po bëjnë reforma”, i dha fund Macroni i cili qartë ka thënë se aktualisht nuk ka zgjerim. Në anën tjetër, të njëjtën po e bëjnë vendet aspiruese të Ballkanit Perëndimor. Ato nuk veprojnë kinse po bëjnë reforma, por disa po kërkojnë zgjidhje edhe përmes Samitit 16+1 e disa janë në kërkim të alternativave tjera. Një nga argumentet e Macronit dhe bashkëmendimtarëve të tij në BE kundër zgjerimit, është se kanë pasur përvoja të këqija të regresionit demokratik me “anëtarët e rinj” (zgjerimi më 2004 dhe më 2007). Ky argument nuk mund të qëndrojë, sepse si mund te mendohet që ato shtete do të avanconin më mirë standardet demokratike duke pritur gjatë jashtë BE-së. Argumenti tjetër është se shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë performuar dobët me reformat demokratike. Kjo qëndron, por edhe retorikat nacionaliste, korrupsioni masiv, ekonomitë e shkatërruara, sistemet gjyqësore të kontrolluara nga politika, nuk janë ekskluzivisht prodhime vendore, pasi që vet BE i ka përkrahur “stabilokratët” e Ballkanit për 20 vite me radhë në rrugëtimin e tyre deri këtu ku janë sot.

Të udhëhequr nga dyshimet e tyre për zgjerimin, Macron dhe Merkel, me pajtim të shteteve anëtare të BE-së, e shtynë publikimin e vendimit të Komisionit Evropian për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, sepse iu frikësuan rezultateve të zgjedhjeve. Nëse rezultatet e zgjedhjeve do të ishin në favor të së djathtës ekstreme dhe të euroskeptikëve, atëherë ka gjasa që vendimi i Komisionit do të shtyhej prapë.

(Autori asht ligjërues në Departmentin e Shkencave Politike të Universitetit të Prishtinës)

 

 

Shperndaje në: