Veseli takohet me Clinton dhe e përcjell për n’aeroport (foto)

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka zhvillue nji takim të veçantë me ish-presidentin e Shteteve të Bashkueme të Amerikës, Bill Clinton, në kuadër të vizitës që ish-kryetari i SHBA’ve zhvilloi në Kosovë, në shënim të 20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO’s.

Ka qenë Kryetari Veseli që e ka shoqnue Presidentin Clinton në Aeroportin e Prishtinës në përfundim të vizitës së tij dyditore në Kosovë.

Kryeparlamentari Veseli dhe ish-presidenti Clinton biseduen për proceset nëpër të cilat ka kalue vendi ynë nga lufta e kendej, për arritjet e shënueme, zhvillimet aktuale dhe sfidat që e presin në të ardhmen.

Kryeparlamentari Veseli theksoi se, “ky jubile i shënimit të çlirimit të Kosovës nuk do të kishte kuptim pa prezencën e tre njerëzve më meritorë dhe vendimtarë të ndaljes së gjenocidit serb mbi shqiptarët e Kosovës dhe fitores mbi Serbinë, Bill Clinton, Madeleine Albright dhe Wesley Clark”.

Veseli tha se falë kësaj ndërhymje, e bazueme mbi parimet e humanizmit dhe të lirisë, sot Kosova jo vetëm që asht e lirë dhe e pamvarun, por asht shendrrue në ikonë të suksesit të politikës ndërhymëse të shteteve demokratike perëndimore.

Ish-presidenti amerikan, Clinton, u shpreh i lumtun që ishte pjesë e shënimit të përvjetorit të 20 të ndërhymjes së NATO’s në Kosovë, ndërsa shtoi se ndihet i kënaqun me progresin që vendi ynë ka shënue gjatë këtyne dy dekadave.

Shperndaje në: