Gjykata merr nji vendim tjetër ndaj grupit ‘Curri’ për aferën e fajdeve

Gjykata Themelore në Prishtinë, jau ka vazhdue masën e paraburgimit edhe për dy muej, të dyshuemve për fajde, detyrim e mashtrim, Ismet Osmani “Curri”, Ilir Bojku, Mentor Maqani dhe Adil Thaqi.

Vazhdimin e kësaj mase ndaj të dyshuemve për përfshimje në rastin e aferës së fajdeve, e kanë ba të ditun për “Betimi për Drejtësi”, burime mbrenda kësaj gjykate.

Ndryshe, me 20 Qershor të këtij viti, Gjykata e Apelit i kishte refuzue si të pabazueme ankesat e avokatëve mbrojtës, tue e lanë kështu në fuqi masën e paraburgimit ndaj “Currit” dhe të tjerëve.

Kurse, paraprakisht Gjykata Themelore në Prishtinë, me 21 Maj 2019, ju kishte caktue nga nji muej paraburgim të dyshuemve në fjalë, ndërsa kërkesa për caktimin e paraburgimit ishte refuzue si e pabazueme për biznismenin Rrahim Hashimi.

Pronari i disa bastoreve dhe kazinove, Ismet Osmani, i njoftun si “Curri” nga Mitrovica, biznismeni Rrahim Hashimi dhe tre të tjerë ishin arrestue nga Policia e Kosovës, me dyshimin se kanë krye veprën penale të fajdes dhe atë të detyrimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Caktimi i masës së paraburgimit ishte ba mbas seancës ndigjimore që asht mbajtë me dyer të mbylluna të Martën, te gjykatësja Allten Murseli.

“Gjykata ka konstatuar se ekzistojnë arsyet e bazuara se të pandehurit po të gjendeshin në liri, do të pengonin rrjedhën e procedurës penale duke fshehur, ndryshuar ose falsifikuar provat e veprës penale si dhe duke ndikuar në të dëmtuar dhe në dëshmitarë, po ashtu Gjykata ka konstatuar se duke u bazuar në mënyrën dhe rrethanat në të cilën është kryer vepra penale, peshën e veprës penale, karakteristikat personale të pandehurve, si dhe sjelljet e tyre të mëparshme, ashtu që nëse të pandehurit qëndrojnë në liri do të mund të përsërisin veprën e njëjtë apo të ngjashme penale. Kundër këtij vendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës”, thuhej në komunikatën e kësaj gjykate.

Shperndaje në: