E shkuara nuk është një vend tjetër

Rudolf Marku

1.
Historiani i sotëm i shquar britanik, Donald Rayfield, që ka studiuar në arkivat sekrete të Komitetit Qendror të Partisë Komunistë të Bashkimit Sovjetik për afro 20 vite me radhë, përpara se të shkruante librin shterues “Stalini dhe Kasapët e vet”- e mbyll librin me këto fjalë: “Qytetarët rusë (dhe ata shqiptarë) janë tepër të preokupuar që të mund të sigurojnë jetesën e përditshme dhe që të mund të arrijnë moshën e pleqërisë, përpara se …të mendojnë që të zgjedhin burrat e ndershëm dhe gratë e ndershme në pushtet. Pjesa më e madhe e së vërtetës vazhdon të jetë e kyçur në arkiva, të cilat çdo muaj që kalon bëhen më të paarritshme. Librat shkollorë të historisë, me pak përjashtime, i kalojnë në heshtje krimet e dokumentuara të Stalinizmit (dhe të Enverizmit). Derisa ngjarjet të jenë treguar tërësisht dhe derisa komuniteti ndërkombëtar (Ndërkombëtarët) të ngulin këmbë që trashëgimia e Stalinit (dhe e Enver Hoxhës) të ekspozohen duke u dënuar dhe duke u purifikuar nga e Keqja, Rusia (dhe Shqipëria) do ngelin vende shpirtërisht të sëmura, të ndjekur nga fantazmat e Stalinit (dhe të Enver Hoxhës)-dhe, ende më keq, nga ankthi i ringjalljes së tyre”. Mendoj se ajo çfarë ndodh sot në Shqipëri-protestat, zemërimi i turmave, brimat retorike të politikanëve, kakofonia mediatike, përgjumja Levantine e pjesës më të madhe të intelektualëve dhe zgjimi herë pas here delirant i tyre nga gjumi me gogësima shkrimore nëpër faqe gazetash- të gjitha këto na bëjnë të mendojmë se E shkuara nuk qenka një Atdhe tjetër, dhe as Një vend tjetër; se autenticiteti demokratik nuk mund të ngrihet as mbi mohimin e krimeve dhe as mbi manipulimet e atyre që morën përsipër të vetëshpallen si demokratë antikomunistë në mënyrën më skizofrenike të splitit të personalitetit të vet.

2.
Në Rumani Presidenti Traian Basesca pat deklaruar në vitin 2006, ditën e 18 Dhjetorit si “Ditën e Shkëputjes nga Komunizmi”. Një ditë të tillë shqiptarët nuk mund ta shpallin as sot e kësaj dite. Sepse Shqipëria është një vend unik, një rast i veçantë- na sigurojnë prej shumë e shume vitesh politikanët tanë, sikur Shqipëria të qe një vend i banuar nga marsianët. As Lindje dhe as Perëndim. As Komunizëm dhe as Demokraci. As Ndershmëri dhe as Korrupsion! Një tranzicion i përjetshëm – na sigurojnë prej sa e sa vitesh politikanët. Dhe, në një farë mënyre, kanë të drejtë! Shqipëria është i vetmi vend komunist që preferoi ta luftonte komunizmin me komunistët e thekur të së djeshmes në krye. Ata që u vunë në krye të Partisë së Parë antikomuniste, kanë mëkatin e madh të manipulimit të shpresave të qytetarëve për demokratizimin e vendit, për të realizuar qëllimin e mosprekjes së interesave të Kastës së Lartë të Komunistëve të djeshëm. Gjithashtu, ata janë dhe politikanët e parë që, menjëherë pas zgërlaqjes së sistemit komunist, guxuan të shpallnin një koncept tepër origjinal të ekonomisë së tregut – ekonomia e tregut të lirë, sipas udhëheqësve të parë antikomunistë, do të thoshte krijimi i një kaste të re kapitalistësh duke filluar nga ata vetë, përmes shfrytëzimit të posteve partiake dhe shtetërore- duke shpallur kësisoj haptazi një model hibrid të paparë të shartimit të retorikës antikomuniste me pasurimin e menjëhershëm marramendës përmes korrupsionit, dhe, tani së fundi, edhe përmes konceptit të trashëgimisë biologjike rojaliste të pushtetit përmes fëmijëve dhe njerëzve më të afërm!

Hibridi më i shëmtuar i politikës shqiptare, pas rrëzimit të Komunizmit, mbetet libidoja e Partisë Demokratike me LSI-në të gjendur në një shtrat të përbashkët bashkëshortor. Ndërsa demokratët e vërtetë, ata të manipuluarit e përjetshëm, trokisnin nëpër dyert e zyrave për të gjetur një punë sa për të mbijetuar, dyert e administratës së shtetit të udhëhequr nga partitë e shpallura antikomuniste kanë qenë gjithnjë të mbyllura për elektoratin e vet! Fantazma e krijesës frankenshtajne të hibridit politik PD+LSI është shfaqur me arrogancë sot si realiteti më i mundshëm në luftën e atij korrupsioni që pretendohet të luftohet përmes protestave. Frytet e protestave popullore presin t’i korrin ata që i kanë korrur gjithmonë. Dhe të manipuluarit, si gjithmonë, do vazhdojnë të trokasin nëpër dyert e zyrave për të gjetur një punë sa për të jetuar minimalisht, duke mos e gjetur kurrë! Po të flasësh për moralin politik, menjëherë do të akuzohesh për një idealist të dalë jashtë mode. Për politikanët e parë të periudhës postkomuniste, u bë e modës leximi i vonuar i Princit të Makiavelit, ose të atij teksti që duan të besojnë se është i Makiavelit.

Politikani më i vjetër i partisë së parë antikomuniste e pat bërë të modës që t’i priste të ftuarit në zyrën e vet të Kryeministrit a të Presidentit me librin e Makiavelit të ekspozuar në mënyrë të dukshme mbi tavolinë. Duke dashur të thotë se është për një politikë pragmatiste dhe pa moral. Kjo dhe mund t’i shkonte kryetarit të çdo Partie tjetër politike, përveç asaj partie që pat ardhur në pushtet si një parti e trashëgimisë së disidentëve antikomunistë. Dhe disidentët kanë luftuar për lirinë, për të vërtetën dhe moralin. Kanë luftuar kundër dyfytyrësisë, gënjeshtrës dhe cinizmit, duke mbrojtur atë që Georgy Konrad e pat quajtur antipolitikë! Kurse politikanët që u emëruan në krye të lëvizjes antikomuniste kanë ditur të gënjejnë. Me Antikomunizmin e tyre ata thjesht kanë bërë Teatër, dhe, me dramaturgjinë e mashtrimit, në fakt në fillimet e veta, kanë arritur të impresionojnë shumë njerëz. Por pikërisht teatralizimi i pasinqertë i partive të shpallura antikomuniste bëri që këto parti të bëhen të pabesueshme, të diskredituara pikërisht në të drejtën morale, në atë që besohej se ishte pika më e fortë e vetja!

3.
Ajo që po ndodh sot nuk është gjë tjetër veçse një përsëritje e bezdisshme e manipulimit të shpresave të njerëzve kundër korrupsionit – përpjekja që në emrin e luftës kundër korrupsionit të mbijetojnë në pushtetin politik të korruptuarit e certifikuar të ciklimit të përjetshëm. Përpjekja për të ndërruar kuajt e karrocës, dhe jo karrocën që mbart arkat e vjedhura të shtetit shqiptar. Revolta kundër korrupsionit të pafre është një shprehje prekëse e qytetarisë së shqiptarëve. Protesta ndaj së keqes është hapi i parë i lirisë. Por, po aq e rëndësishme në hapin e madh drejt lirisë është vetëdija e njerëzve se çfarë vjen pas protestës, se cila është rezultantja e protestës.

Të mos harrojmë se menjëherë pas protestave kundër komunizmit, në vendin tonë u shfaq kombi i pasanikëve të krijuar brenda ditës; kombi i milionerëve mashtrues, të paskrupullt, pa moral, vrasës; kombi i zyrtarëve arrogantë që i falen veç Zotit të Korrupsionit, ndërsa njerëzit e varfër e të mashtruar vriteshin në Gërdec për të fituar bukën e gojës. Menjëherë pas protestave krijuam një administratë të pashpirt, kafkianeske, me gjykatës kriminelë që mburren se janë në anën e kundërt të ligjit, me mjekë hiena që zhvatin dhe të vdekurit, me zyrtarë katundarë nga Tora Bora…

Duket sikur në Shqipëri njeriu i ndershëm ka qenë gjithnjë i tradhtuar nga një e keqe banale, e patrajtë, e paskrupullt, mizore. Ndërsa njeriu i ndershëm shqiptar ka ëndërruar dhe vazhdon të ëndërrojë një atdhe të udhëhequr nga standardet demokratike të drejtësisë dhe të strukturave sociale të botës së qytetëruar, ëndrrat e tij tradhtohen pafundësisht. Kam parasysh ata mijëra dhe mijëra njerëz demokratë të ndershëm, pasionantë dhe të papajtueshmit me të keqen-shumica e tyre të paidentifikuar me një parti politike. Kam parasysh njerëzit që i lejojnë vetes iluzionin e bukur të zhdukjes së korrupsionit dhe eliminimin e strukturës psikike dhe shpirtërore të arrogancës së komunizmit që nuk është ndëshkuar ende në vendin tonë.

Kam parasysh atë Teatralizimin e menjëhershëm të periudhës postkomuniste, atë besëprerjen e madhe të shpresave të njerëzve, si dhe atë inercinë e namun të politikes së lozur nga të njëjtët aktorë të vjetër të politikes shqiptare. Dhe kam parasysh atë zhgënjimin e madh- atë zhgënjim, që është e vetmja gjë që nuk të zhgënjen me mosprezencen e vet, atë zhgënjim të cilin e harrojmë përse na vjen gjithmonë menjëherë pasi pankartat e shfaqjeve spektakolare të Teatrit Politik janë hequr nga duart e padukshme të aktorëve të vjetër që ne në të vërtetë i njohim aq mirë!

Shperndaje në: