Presidenti Thaçi dorëzon në Kuvend Draft Rezolutën për Luginën e Preshevës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ia ka dërgue Kuvendit për shqyrtim dhe miratim Draft Rezolutën për kërkesat legjitime të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Në nji dokument ekskluziv të siguruem nga Periskopi, presidenti ka kërkue që me miratimin e kësaj Rezolute shqiptarët e Luginës së Preshevës me u ba pjesë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Po ashtu, kërkohet që “çashtja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës të ngritët në çdo forum ndërkombëtar ku marrin pjesë përfaqësuesit të institucioneve të Kosovës”.

Madje, Rezoluta kërkon që “institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë të bashkëpunojnë për hartimin e një platforme të përbashkët për shqiptarët e Luginës së Preshevës”

Në pikën 1 të kësaj Rezolute thuhet se institucionet e Kosovës obligohen të respektojnë vullnetin politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën, të shprehur në Referendumin e vitit 1992 si dhe me Luftën e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

Në këtë rezolutë, tutje thuhet se kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës për vetë përcaktim janë kërkesa legjitime, në pajtim me të drejtën ndërkombëtare, janë kërkesa që kanë të bëjë me të drejta historike dhe politike, si dhe me të drejta të një popullate që dëshiron të jetojë e lirë si të gjithë popujt e Evropës.

Tutje, pika 3 e kësaj Rezolute thekson se kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës janë kërkesa që i ndihmojnë stabilitetit afatgjatë të rajonit dhe që kontribuojnë në vendosjen e paqes afatgjate të rajonit dhe hapjes së një kapitulli të ri në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Aty, pika 4 e Rezolutës kërkon që këto kërkesa të shqiptarëve të Luginës së Preshevës duhet të mbështeten nga të gjitha organet dhe institucionet e Kosovës, pa asnjë dallim politik.

Shperndaje në: