Mbi 30% e familjeve në Shqipni nuk munden m’i sigurue kushtet bazë të jetesës, Kosova qëndron ma mirë (video)

Shqipnia ka përqindjen ma të naltë në rajon të familjeve që nuk munden me i sigurue kushtet bazë me jetue. Kjo simbas Barometrit të Ballkanit për vitin 2019, i cili thekson se ma shumë se 1/3 e shqiptarëve e kanë të pamundun me i plotësue nevojat për ushqim e veshmbathje.

Disa kthehen në shtëpi duerthatë. Të tjerët i bajnë llogaritë mirë para se me shpenzue.

Buxheti nuk iu del me i ba të gjitha. Kjo zojë na tregon se për me i përmbushë nevojat bazë duhet me shpenzue rreth 1 mijë lekë të reja në ditë.

31 % e familjeve shqiptare simbas Barometrit të Ballkanit për vitin 2019 e kanë të pamundun me i përmbushë nevojat për ushqim, veshje apo shërbime të tjera bazë.

Kjo asht përqindja ma e naltë në rajon.

Familjet shqiptare që nuk munden me i plotësue nevojat minimale me jetue janë gati dyfish i atyne serbe të cilat renditen të dytat me 17%.

Ma mirë paraqitet Kosova dhe Mali i Zi ku 14% e familjeve të pyetuna kanë pohue se kanë hasë vështirësi me ble ushqime dhe veshje në 12 muejt e fundit.

Nivelin ma të ulët të familjeve në varfni e ka Maqedonia e Veriut me 13% dhe Bosnje Hercegovina me 8%./ABCNews/

Shperndaje në: