Borxhin për energjinë e shpenzueme në veri nuk e paguen askush

AP

Rreth 12 milionë euro në vit llogaritet fatura e përbashkët e energjisë së shpenzueme nga katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Qytetarët e këtyne komunave (Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq), nuk kanë pague që nga mbarimi i luftës së fundit për energjinë e shpenzueme.

Që nga viti, 1999 deri në vitin 2017, faturat e shpenzueme të asaj pjese u janë faturue qytetarëve të viseve tjera të Kosovës. Por, mbas ankesave të shumta, Gjykata e Apelit, në fund të vitit 2017, kishte vendosë që kjo praktikë me u pezullue, sepse ishte joligjore.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Valdrin Lluka, tha për Radion Europa e Lirë, se faturat e energjisë nuk paguhen aktualisht as nga qytetarët dhe as nga buxheti i Republikës së Kosovës.

Lluka tregon se pjesa veriore e Kosovës asht tue u furnizue nga transmisioni ndërkombëtar, por borxhi do të mbetet pezull, derisa të merret nji vendim rreth inkasimit të mjeteve.

“Për momentin është duke u bërë tërheqje nga transmisioni ndërkombëtar. Që do të thotë se për atë energji jemi duke u futur në borxh në rrjetin ndërkombëtar të transmisionit, sepse e tërheqim ekzakt sasinë e njëjtë që kërkohet nga konsumi verior”, tha Lluka.

“Ajo energji normalisht se dikur do kthehet (do të paguhet). Dhe forma se si do të kthehet do të jetë pjesë e diskutimit me fillimin e zbatimit të Marrëveshjes për energji. A do të kthehet përmes tarifave të qytetarëve në veri, a të kthehet përmes një bashkëpunimi me Qeverinë e Kosovës apo përmes tepricave energjetike të Korporatës Energjetike të Kosovës, nuk është definuar ende”, tha ministri Lluka.

Shperndaje në: